Plas skandali me “Butrintin grek”, Neritan Ceka hedh dritë: Ministria e Kulturës e ka futur në dokumente zyrtare, nuk mbron dot identitetin kombëtar

0
368

Butrinti, është perla e pasurisë sonë arkeologjike, shprehet prof. dr. Neritan Ceka. Çështja e Butrintit ka sjellë këto ditë reagime të arkeologëve të ndryshëm, ku me kritika për çfarë ndodh me trashëgiminë tonë kulturore është shprehur më parë dhe profesor Neritan Ceka. Në intervistën për gazetën “SOT” prof. dr. Neritan Ceka shprehet me kritika ndaj Ministrisë së Kulturës për trashëgiminë tonë kulturore. Sipas tij, fakti se “Butrinti grek” gjendet edhe në sajtin e UNESCO-s dëshmon se këto institucione flenë gjumë në promovimin e kulturës dhe identitetit shqiptar. Për arkeologun e njohur Neritan Ceka në kushte kur kemi institucione të paafta për promovimin, por edhe mbrojtjen e identitetit tonë kombëtar, kjo detyrë i takon secilit që ka kulturën dhe atdhedashurinë e duhur.

-Çështja e Butrintit ka sjellë këto ditë reagime të specialistëve të fushës së trashëgimisë kulturore. “The Guardian” në shkrimin e saj për vendet që ofron Shqipëria ndër të tjera shkruan: “Gërmoni në të kaluarën e pasur të Shqipërisë duke vizituar qytete dhe fortesa në majë të kodrave si Kruja, kryeqyteti i parë i vendit, apo Gjirokastra dhe Berati. Rrënoja greke dhe romake ka edhe në Apoloni dhe Butrint”. Për çështjen e të pasurit ose jo identitet grek Butrinti, ju keni reaguar dhe më parë. Çfarë është shqetësuese për ju?

Ky shkrim, sipas meje, është krejtësisht pozitiv dhe nuk sjell asgjë të keqe, në se turistët e nxitur prej tij do të shumëfishohen gjatë sezonit që po vjen. E keqja qëndron në mënyrën se si do t’i ofrojmë atyre trashëgiminë tonë kulturore, veçanërisht dëshirën e tyre për të mësuar se nga vijnë shqiptarë, ku e kanë origjinën gjuha dhe kultura e tyre. Duhet të pranojmë se burimi kryesor informativ i turistëve që vizitojnë Shqipërinë është Wikipedia, ku zërat që shpjegojnë historinë, kulturën dhe veçanërisht sitet arkeologjike, janë përgatitur përgjithësisht nga historianë grekë me prirje të dukshme vorio-epirote. Është në interesin tonë që t’i ofrojmë turistëve të huaj bashkë me mikpritjen legjendare e kuzhinën interesante, edhe njohuri solide shkencore për identitetin kombëtar, ku prejardhja nga ilirët e kulturuar përbën fillesën e tregimit.

-Bazuar në fakte historike çfarë mund të na thoni rreth Butrintit si arkeolog, cila është e vërteta?

Butrinti, ose Butroti antik, është perla e pasurisë sonë arkeologjike për arsye të ruajtjes së përsosur të monumenteve, por edhe të kontributit njëshekullor të arkeologëve që i kanë zbuluar. Çfarë treguan gërmimet arkeologjike të realizuara në pesë dekadat e fundit në Butrint? Së pari që Butrinti ishte krijuar si një kështjellë e vogël rreth viteve 1400 p. Kr., si një vendbanim peshkatarësh dhe bujqish, me një kulturë materiale që e lidhte me trevat e banuara nga ilirët. Nuk u gjet asnjë objekt që mund ta lidhte me Greqinë, apo me Trojën e asaj periudhe dhe ishte e qartë që Enea dhe trojanët nuk kishin shkelur kurrë në Butrint. Në dekadat e fundit të shek. V p. Kr. gjendja ndryshoi dhe vendin e kështjellës e zuri një qytet i vërtetë, ai që shikojmë sot me muret prej blloqesh të latuar, ku gjendet Porta Skea dhe Porta e Luanit. Ndërtuesit e tij ishin kaonët, të cilët sipas historianit helen të asaj periudhe, Tukididit, ishin “barbarë”, pra jo grekë, sipas terminologjisë së kohës. Sipas tij, kaonët qeveriseshin nga dy nëpunës të zgjedhur çdo vit, të cilët drejtonin në vitin 429 p. Kr. një ushtri prej 1000 vetash në aleancë me mbretin Tharyps të Molosisë. Në atë periudhë u ndërtuan në territorin e Kaonisë një rradhë qytetesh, si Foinike (Finiqi), Borshi, Himara, etj. Dhjetëra mbishkrime të zbuluara në Butrint rezulton se qyteti ishte qendra e një njësie të veçantë politike të Kaonisë, që njihej si Koinon i Prasaibëve dhe që shtrihej në luginën e lumit Pavlla. Pra dëshmitë arkeologjike dhe historike dëshmojnë qartë se Butrinti ishte një themelim prasaib, apo më gjerësisht kaon dhe epirot. Që kaonët nuk ishin helenë, ashtu siç nuk ishin të gjithë epirotët e tjerë, këtë e dëshmojnë të gjithë autorët antikë, Tukididi dhe Skylaksi në shek. V, Efori në shek. IV, Polibi në shek II, apo Straboni në shek. I p. Kr. Kjo përforcohet edhe nga kërkimet arkeologjike, të cilat dëshmojnë një bashkësi ilire-epirote në kulturën e tyre materiale dhe shpirtërore gjatë Antikitetit.

-Përballë kësaj që po ndodh me Butrintin, sa përgjegjësi kanë sipas jush institucione përgjegjëse me Ministrinë e Kulturës?

Fakti se “Butrinti grek” gjendet edhe në sajtin e UNESCO-s dëshmon se këto institucione flenë gjumë në promovimin e kulturës dhe identitetit shqiptar. Pra do ishte më e saktë të më pyesnit për institucione të papërgjegjshme në Ministrinë e Kulturës.

-Ju keni kundërshtuar më parë dhe Plani i Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit (2020-2030), duke u shprehur me kritika. Pse?

Nuk kam kundërshtuar planin, por metodologjinë e përgatitjes së tij, ku u përjashtuan specialistët shqiptarë, që e kanë krijuar atë park dhe që vazhdojnë të punojnë atje. Hartimi atij plani ju ngarkua një studioje angleze, që angazhoi vetëm arkeologë anglezë dhe pasoja ishte përgatitja e një dokumenti, në të cilin ishin fshirë të gjithë arkeologët shqiptarë që kanë punuar në Butrint dhe ku rezultonte që Parku ishte një dhuratë e “Butrint Fondation”, të financuar nga dy lordë anglezë. Së dyti, rezultonte se Butrinti ishte formuar gjatë periudhave greke dhe romake dhe e gjithë periudha prasaibe, kaone, apo epirote ishte fshirë bashkë më studiuesit shqiptarë. Së treti, ky plan menaxhimi ishte një aeroplan pa motor, sepse nuk shërbente për asgjë në ditën që do të fillonte një mënyrë e re administrimi në Butrint. Duhet të kujtoj me këtë rast se në prezantimin e parë publik të atij plani, nuk ju dha fjala në mënyrën më arrogante Auron Tares, që ka qenë krijuesi i parkut modern që vizitojmë sot dhe që e mbrojti me rrezik për jetën në muajt e kaosit të vitit 1997.

-Në lidhje me Butrintin edhe “The Times” kohë më parë botoi një shkrim me titull “Gërmimet zbulojnë të shkuarën greke të qytetit antik shqiptar”, duke pretenduar se është grek….

Nuk dua ta komentoj më gjatë atë karakterizim, duke e konsideruar si lapsus. Por përse duhet të kërkojmë gjilpërën në kashtë në artikujt e gazetarëve të huaj, të cilët na bëjnë një nder në promovimin e turizmit tonë në tribuna të tilla prestigjioze. “Butrintin grek” sa një elefant e keni në dokumente zyrtare të miratuara me ceremoni nga Ministria jonë e Kulturës. Në kushte kur kemi institucione të tilla krejt të paafta për promovimin, por edhe mbrojtjen e identitetit tonë kombëtar, kjo detyrë i takon secilit që ka kulturën dhe atdhedashurinë e duhur.

– Ditët e fundit ju keni reaguar se në një dokument shumë të rëndësishëm zyrtar, me siglën e Ministrisë së Kulturës, Bylisi është konsideruar si qytet grek. Bëhet fjalë për Planin e Menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit. Ju i drejtoheni ministres së Kulturës: ku bazoheni në konfirmimin e ministrisë suaj se Bylisi ka qenë qytet grek? Çfarë po ndodh?

Kjo është e vërtetë dhe unë, së bashku me kolegët e Institutit të Arkeologjisë, e kemi ngritur këtë deformim skandaloz të historisë së Bylisit, por edhe vetë të historisë së lashtë të Shqipërisë edhe në formë zyrtare. Aspekti i dytë është ai i frymës së poshtërimit ndaj shkencës shqiptare të arkeologjisë që përshkon nga fillimi në fund atë dokument. Këto janë çështje po aq shkencore, sa edhe politike, prandaj ministrja Margariti duhet t’i përgjigjet çdo personi që ja kërkon këtë mbi bazën e të drejtave kushtetuese. Thjeshtë i kemi kërkuar të na parashtrojë në një debat publik argumentet, se përse në dokumentin që mban siglën e Ministrisë së Kulturës, Bylisi rezulton i themeluar nga helenët, se koha e egzistencës së tij ishin vetëm periudhat greke dhe romake, apo se Bylisi qeverisej me ligje greke? Me që ndoshta, për arsye të moskompetencës së saj në një fushë si historia dhe arkeologjia, ministrja nuk mund të na përgjigjet individualisht, i kam kërkuar një ballafaqim publik me “kompetentët” që ajo mund të përzgjedhë nga stafi prej njëqind personash që marrin sot rroga për “menaxhimin” e trashëgiminë kulturore në Ministrinë e Kulturës. Mund të sjellë edhe të gjithë“kompetentët” italianë, të cilëve ministria e saj i besoi hartimin e Planit të Bylisit. Në anën tjetër të tryezës së debatit mund të zgjedhë secilin nga dhjetë profesorët, asistent/profesorët, apo doktorët e shkencave të Institutit të Arkeologjisë, që Ministria e Kulturës i ka përjashtuar deri më sotme aq vendosmëri nga hartimi i planeve dhe zbatimi i tyre jo vetëm në Butrint, Apolloni, Finiq dhe tani së fundi edhe në Bylis. Nuk gjej shpjegim tjetër për vazhdimin e heshtjes, veçse ta konsideroj si një paranojë të institucionit të Ministrisë së Kulturës, që e bashkon atë si dy binjake me një praktikë të zbatuar në investimet e mësipërme dështake të BE në vendin tonë. Prandaj do të dëshiroja që në një ballafaqim të tillë të jenë edhe përfaqësuesit e Zyrës së Delegacionit të BE në Tiranë, si dhe “menaxhuesit” e tyre të preferuar për paratë e taksapaguesve europianë, të bëra rrush e kumbulla në Apolloni, Finiq, Butrint dhe, vitin që kaloi, edhe në Bylis, vetëm për t’i bërë atyre pyetjen e përbashkët me ministren: Kur ju silleni kështu me arkeologët shqiptarë, që janë njëkohësisht edhe elitë e shkencave albanologjike në nivel ndërkombëtar, çfarë mund t’i bëni ju një qytetari të thjeshtë dhe cili është imazhi që transmetoni ju për Europën aq të ëndërruar prej tyre?

-Ju jeni shprehur se zëri i specialistëve nuk dëgjohet nga Ministria e Kulturës për problemet me trashëgiminë kulturore, çfarë ka sjellë kjo?

Populli thotë: Fol me atë gur, fol me atë mur!

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here