Xhamitë e Shqipërisë nga ana e tipologjisë arkitekturore, i takojnë dy grupeve tradicionale, ato me sallë unike mbuluar me kupolë dhe ato të tipit sallë e mbuluar me çati druri e tjegulla. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore se Xhamia Mbret në Berat është shembulli i xhamisë e tipit sallë me çati druri, ndërsa Xhamia e Plumbit është shembulli i xhamisë e tipit sallë me kupolë. Ndërsa shprehet për këto objekte të trashëgimisë sonë kulturore IKTK fton për të zbuluar më shumë rreth Xhamisë së Plumbit në Berat. “Ju ftojmë në një tur virtual për të zbuluar më shumë detaje nga Xhamia e Plumbit . Vetëm një klik https://bit.ly/3c0hh5g”, shprehet IKTK. Qyteti i Beratit ka mjaft vende dhe destinacione për t’u eksploruar dhe një ndër to është dhe Xhamia e Plumbit. Xhamia e Plumbit (Izgurliut) u ndërtua në vitet 30 të shekullit XVI, koha e sundimit të sulltanit Sulejman Konunorit (1520-1566), periudhë kur qyteti i Beratit fillon të rimëkëmbet duke u shndërruar në një qendër të rëndësishme administrative dhe fetare në suazën e Perandorisë Osmane. Monumenti fetare dhe kulturore ngrihet në qendër të qytetit dhe u ndërtua me porosi të feudalit Ahmet Bej Uzgurliu, i cili mendohet të jetë pinjoll i Skurajve. Udhëtari osman Evlia Celebi kur shprehet për listën e ndërtimeve të Ahmet Beut në qytetin e Beratit, pas përshkrimit të vetë xhamisë, si një xhami e ndërtuar me gurë të gdhendur, mbuluar me plumb, me minaren elegante dhe një portik me shtatë kupola mbuluar me plumb edhe ato, na thotë se ajo ishte pjesë e një kompleksi të përbërë nga pazari, medreseja, imareti (mensë publike), shkolla, banja e çezmja. Elementët përbërës arkitekturor të monumentit janë: salla e lutjeve në formë katrore me kupolë, portiku nga ana veriore dhe minareja e lartë dhe e hollë punuar në bazamentin e saj në teknikën e kluasonazhit. Në brendësinë e saj karakteristik është ndriçimi i bollshëm nga prezenca e shumë dritareve. Xhamia ndodhet në qytetin e Beratit, deklaruar qytet muze në vitin 1961 nga qeveria shqiptare, i cili iu shtua listës së trashëgimisë kulturore të UNESCO-s në 2008, si një shembull i rrallë i një qyteti të periudhës otomane. Qytet në UNESCO Berati vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes për të huajt. Një qendër historike, që për trashëgiminë e saj kulturore vijon të ketë vlerësime të shumta.