SHBA ndërpret marrëdhëniet me OBSH, ja si organizata dështoi në menaxhimin e pandemisë dhe si qëndroi në krah të Kinës

0
401

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara po ndërpresin marrëdhëniet me Organizatën Botërore të Shëndetit për shkak të trajtimit nga ana e saj të koronavirusit, duke thënë se OBSH-ja ishte bërë në thelb një organizatë kukull e Kinës. Duke u shfaqur në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, Trump shkoi më tej kërcënimeve të përsëritura për të eliminuar fondet amerikane për organizatën, që shkon në disa qindra milionë dollarë në vit.

Trump tha se OBSH-ja kishte dështuar të bënte reforma në organizatë që presidenti kishte kërkuar përmes një letre më 18 maj drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus. Në letër jepej 30 ditë afat për t’u angazhuar për reforma. Në paraqitjen e tij në Kopshtin e Trëndafilave, Trump e lidhi OBSH-në ngushtë me Kinën, nga e kishte origjinën koronavirusi. Ai tha se zyrtarët kinezë “injoruan detyrimet e tyre të raportimit” në OBSH në lidhje me virusin dhe i bëri presion OBSH që të “mashtrojë botën” kur virusi u zbulua për herë të parë nga autoritetet kineze. “Kina ka kontroll të plotë mbi Organizatën Botërore të Shëndetit, pavarësisht se ka paguar vetëm 40 milionë dollarë në vit në krahasim me ato që kanë paguar Shtetet e Bashkuara, shumë e cila është afërsisht 450 milionë dollarë në vit. Ne kemi detajuar reformat që duhet të bëjë dhe të angazhohen drejtpërdrejt me to, por OBSH nuk ka pranuar të veprojnë. Për shkak se ata nuk kanë arritur të bëjnë reformat e kërkuara dhe të nevojshme, ne po ndërpresim sot marrëdhëniet tona me Organizatën Botërore të Shëndetit dhe do të ridrejtojmë ato fonde në të gjithë botën duke plotësuar nevoja urgjente globale të shëndetit publik”, tha presidenti. Shkurtimi i kontributit të SHBA mund të ketë pasoja globale pasi OBSH është e përfshirë në përgjigjen ndaj pandemisë, e cila ka goditur dhjetëra vende. Presidenti Trump ka kohë që ka vënë në dyshim vlerën e Kombeve të Bashkuara dhe ka përçmuar rëndësinë e multilateralizmit ndërsa përqendrohet në moton “Amerika e Para”. Që nga marrja e postit, presidenti Trump ka tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Komisioni i të Drejtave të Njeriut të OKB-së, agjencia kulturore e UNESCO, një marrëveshje globale për të adresuar ndryshimin e klimës dhe marrëveshjen bërthamore të Iranit. Organizata Botërore e Shëndetit është një organ i pavarur ndërkombëtar që punon me Kombet e Bashkuara. OBSH nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment për vendimin e presidentit Trump. “Ne kemi bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme që të gjitha shtetet të mbështesin OBSH-në”, tha një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres kur u pyet për vendimin e presidentit Trump.

Si dështoi OBSH

Deklarata e Trump ishte e parlajmëruar pasi për shumë ekspertë botërorë OBSH dështoi në misionin e saj. Organizata ndryshoi me dhjetëra herë qëndrim mbi Covid-19, duke e përkeqësuar më shumë situatën. Pastaj OBSH ka dalë hapur në krah të Kinës, edhe pse Pekini futi në kaos gjithë botën. Eksperti francez, Jacques Attali, pak kohë më parë hodhi dyshime mbi qëndrimet e OBSH. Mendoj se OBSH e menaxhoi keq këtë krizë. Sepse nëse OBSH do ta kishte menaxhuar mirë këtë krizë do të kishte paralajmëruar që në muajin dhjetor se kishte një rrezik, do të kishte paralajmëruar që në dhjetor se kishte një strategji që po vihej në zbatim në Korenë e Jugut, që ishte një strategji për mbajtjen e maskave, bërjes së testeve dhe gjurmimit të popullatës, dhe do t’u kishte propozuar të gjithëve që të përgatiteshin për një zhvillim si në Kore, duke kërkuar mbajtjen e maskave, bërjen e testeve. “Ju kujtoj që testet ishin të disponueshme që më 12 janar 2020 dhe çdokush kishte kohë të përgatitej. Pra OBSH, duke ndjekur modelin kinez, – me Kinën që njoftoi me shumë vonesë se sa e rëndë ishte situata, – e pra OBSH dështoi plotësisht në misionin e saj”, tha Attali.

Kina informoi fillimisht OBSH për raste të dyshimta pneumonie më 31 dhjetor. Në 5 janar, organizata tha se nuk kishte prova për transmetim të virusit nga njeriu në njeri.

OBSH, 5 janar: “Bazuar në informacionet paraprake nga ekipi i hetuesve kinezë, nuk ka prova për transmetim të rëndësishëm nga njeriu në njeri”. Këtë teori e rikonfirmoi në 14 janar, përmes një postimi në Twitter, por në të njëjtën ditë Komisioni i Shëndetësisë në Wuhan, tha se mundësia e transmetimit të virusit mes njerëzve nuk mund të përjashtohej. Më 22 janar, OBSH, pas një vizite të shkurtët në Kinë, bëri një deklaratë shumë më të qartë, duke thënë se në Wuhan po ndodhte transmetim i virusit mes njerëzve. Vlen të përmendet se inspektorë të organizatës nuk shkelën në Kinë para javës së dytë të shkurtit. Në fund të janarit, OBSH-ja vlerësoi Kinën për përpjekjet në frenimin e përhapjes së virusit, dhe për përkushtimin ndaj transparencës, siç u shpreh Lawrence Gostin, ekspert i shëndetësisë publike. “Vlerësimi i papërmbajtur i OBSH-së ndaj Kinës është shqetësues. OBSH-ja duhej të ishte treguar më kritike, e ta ndiqte më nga afër situatën”. Por edhe pasi Kina zbuloi se transmetimi te njerëzit po ndodhte, OBSH-ja vijoi të minimizonte rrezikun, e madje e zhvendosi vëmendjen te nevoja për të mos diskriminuar Kinën dhe popullsinë e saj Tedros Adhanom Ghebreyesus: “Armiku më i madh më të cilin përballemi nuk është virusi vetë, por damka që na kthen kundër njëri-tjetrit”. Më 10 janar, Ghebreyesus paralajmëroi botën kundër kufizimit të udhëtimeve si mënyrë për të frenuar përhapjen. Ai kritikoi qasjen e Shteteve të Bashkuara, për pezullim të udhëtimeve me Kinën. BSH, 10 janar: “Kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave gjatë emergjencave shëndetësore është joefikas në shumicën e situatave”. Nuk do të kalonte shumë kohë, para se organizata përgjegjëse për shëndetin publik, koordinimin e fushatave të vaksinimit dhe emergjencave shëndetësore, të bënte një kthesë 360 gradë, duke promovuar izolimin si mënyrën më efikase të luftimit të pandemisë. Megjithatë, një studim i publikuar nga gazeta për menaxhimin e emergjencave zbuloi se ndalimet e udhëtimeve kishin qenë të efektshme vetëm në terma afatshkurtër, në frenimin e përhapjes së viruseve të tilla si Ebola e SARS. Një tjetër qëndrim kontradiktor i OBSH-së, për të cilën është vënë nën cikonin e kritikave të kryesuara nga Donald Trump, ka të bëjë me çështjen e maskave. Pyetjes nëse të gjithë duhet t‘i mbanin maskat, organizata iu përgjigj që prej fillimit me një “jo” të prerë. OBSH: “Maskat duhet të mbahen vetëm nga personat e sëmurë dhe punonjësit e shëndetësisë. Nuk është e nevojshme që personat e shëndetshëm t’i mbajnë”.

Rekomandimi u ndoq nga një sërë vendesh, nga Shtetet e Bashkuara në Singapor. Por gjithçka do të ndryshonte pak javë më vonë. Mike Ryan, drejtor ekzekutiv i programit të emergjencave në OBSH deklaron: “Përdorimi masiv i maskave, si ato profesionale edhe ato artizanale, mund të ndihmojnë në frenimin e përhapjes së pandemisë”. Ky ndryshim i qëndrimit lidhej me provat gjithmonë e në rritje se disa persona të infektuar nuk shfaqnin simptoma, e rrjedhimisht rrezikonin të tjerët. Polemikat ushtuan pas publikimit aksidental të një dokumenti ku OBSH-ja shprehej se ilaçi i përfolur si antidoti i mundshëm për trajtimin e pandemisë, Remdesivir nuk kishte dhënë rezultat. Por konstatimi bie ndesh me pretendimet e ekspertëve të shëndetësisë në SHBA, përfshirë këshilltarin e lartë Anthony Fauci, se rezultatet e testimit të ilaçit antiviral ishin premtuese. Kompania prodhuese e tij, Gilead, publikoi një studim që sugjeroi se 50% e pacientëve të trajtuar me 5 doza të ilaçit ishin shëruar.

Reagon BE

Bashkimi Europian u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të shqyrtojnë sërish vendimin për ndërprerje të bashkëpunimit me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, për shkak të menaxhimit të kësaj të fundit, të situatës me pandeminë e koronavirusit. “Përballë këtij kërcënimi global, tani është koha për rritje të bashkëpunimit dhe zgjidhjeve të përbashkëta. Veprimet që dobësojnë rezultatet ndërkombëtare duhet të mënjanohen”, kanë thënë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe diplomati i lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here