Presidenti Ilir Meta ka dhënë një intervistë për gazetarin Adriatik Kelmendi në “Rubikon” ku ka folur për herë të parë për marrëveshjen e arritur për reformën zgjedhore mes PS-së e opozitës.
“Uroj të jetë fillim i vendosjes së një dialogu strukturor e të qëndrueshëm për çështje të interesit të përbashkët, që ndihmojnë integrimin europian të Shqipërisë”, tha Meta ndërsa më tej i dërgoi edhe një mesazh të prerë maxhorancës.
“Mazhoranca e di shumë mirë se mua nuk më shkarkon dot.
Për arsye se unë, jo vetëm nuk kam shkelur Kushtetutën, por edhe nëse një president mund të nxirrte një akt, pra nxjerr një dekret sikurse nxjerr parlamenti një ligj apo qeveria nxjerr një vendim, dhe vlerësohet se nuk është në përputhje me Kushtetutën, kjo nuk është kurrë një shkak për shkarkim, përkundrazi”, u shpreh Presidenti.
Pjesë nga intervista
Gazetari (Adriatik Kelmendi): Në fillim fare viti ishte i vështirë për Shqipërinë. Po hymë në një vit ku ka më tepër hapësirë për optimizëm. Një ndër brengat kryesore është hapja e negociatave?
Presidenti Meta: Pa asnjë diskutim që viti që kaloi ishte me shumë zhgënjime, të paktën për Shqipërinë, por sidoqoftë nuk mund të themi se ishte një vit i humbur. Në rast se dëshirojmë të mësojmë nga gabimet dhe unë shpresoj se të gjithë ta kenë kuptuar se Shqipëria nuk ka më nevojë për vite të humbura.
Në këtë drejtim shpresoj se edhe një marrëveshje e arritur për çështjen e reformës zgjedhore të jetë thjesht fillimi i një reflektimi të thellë dhe i vendosjes së një dialogu strukturor e të qëndrueshëm për çështje të interesit të përbashkët, që ndihmojnë integrimin europian të Shqipërisë, por edhe që ndihmojnë për një performancë tjetër të shqiptarëve në tërësi, në planin e qeverisjes dhe në planin e afirmimit ndërkombëtar.
Gazetari: Reforma zgjedhore që ju e përmendët dhe që u dakortësua është paraparë që të arrijë një pajtueshmëri deri më 15 mars, kësaj radhe do të jetë e suksesshme?
Presidenti Meta: Ka një dakordim për ta përmbyllur këtë proces deri më 15 mars me konsensus. Unë besoj se po.
Gazetari: Ka qenë një presion për të gjitha subjektet politike që kanë marrë pjesë në zgjedhje.
Presidenti Meta: Padyshim që ka qenë e njëjta për të gjitha subjektet politike, prandaj jemi këtu, sepse përgjegjësia është e përbashkët. Përgjegjësia është e mazhorancës, e cila kërkon të ushtrojë pushtete që dalin jashtë kufijve që ia përcakton Kushtetuta qeverisë dhe që dëmtojnë rëndë parimin e balancës dhe kontrollit të pushteteve që është i domosdoshëm për një funksionim demokratik të shtetit.
Padyshim që përgjegjësia është edhe e opozitës, e cila zgjodhi rrugën e deligjitimimit të institucioneve përmes largimit nga parlamenti, përmes mospjesëmarrjes në zgjedhjet vendore. Këtu nuk po nuk flasim për një përgjegjësi thjesht të një force apo të një individi të caktuar.
Është një përgjegjësi e përbashkët, por mendoj se përgjegjësia më e madhe është e atij që ka përgjegjësinë për të ushtruar mandatin e qeverisjes së vendit.