Struktura e Posaçme Antikorrupsion nuk do të vonojë edhe shumë. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Genti Ibrahimi deklaroi dy ditë më parë se tetori do ta gjejë Shqipërinë me SPAK. Peng këtë proces po e mban procesi i vetingut për kandidatët prokurorë. Deri tani kanë kaluar në sitë dhjetë kandidatë, ndërsa kanë mbetur edhe pesë të tjerë, për të cilët janë mbyllur hetimet, por po kryhen modalitetet e fundit. Për të dhjetë kandidatët e rivlerësuar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka zbardhur vendimet. Ditën e djeshme u zbardh vendimi për prokuroren e Prokurorisë së Tiranës, Elida Kaçkini. Pak ditë më herët KPK zbardhi vendimet edhe për prokurorët Altin Dumani dhe Klodjan Braho. Tani Këshilli i Lartë i Prokurorisë po pret vendimmarrjen nëse do të ketë apo jo ankimim për këta tri emra, me qëllim që të vijojë më tej puna për ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Nga një përllogaritje e bërë nga gazeta rezulton se KLP do të mblidhet pas 4 tetorit për të emëruar anëtarët e parë të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Komisioneri Publik ka 15 ditë afat për të ankimuar ose jo një vendim të KPK. Në rastin konkret, për Elida Kaçkinin do të duhet të pritet deri në datën 3 tetor për të kuptuar nëse do të ketë ankimim kundër vendimit të konfirmimit të dhënë për të apo jo. Ndërsa për Altin Dumanin dhe Klodjan Brahon afatet e ankimimit skadojnë në datën 27 shtator. Kjo do të thotë se brenda datës 3 tetor merr fund dilema nëse çështjet e këtyre tre kandidatëve do të shkojnë apo jo në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Më pas i hapet rruga Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të vepruar. Më herët Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimet edhe për kandidatët Manjola Kajana, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Behar Dibra, Enkeleda Millonai, Arben Kraja dhe Besnik Muçi. Nga të shtatë këta emra, ankimim ka patur vetëm për Manjola Kajanën dhe Besnik Muçin. Për këtë të fundit çështja është regjistruar në Apel dhe nesër do të mbahet seanca e dytë.
5 anëtarët zyrtarë të SPAK
Nga dhjetëshja e deritanishme e kandidatëve për Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion që kanë kaluar në veting, pesë prej tyre mund të quhen zyrtarisht anëtarë. Për Edvin Kondilin, Ened Nakuçin, Behar Dibrën, Enkeleda Millonain dhe Arben Krajën nuk ka patur ankimim kundër vendimit të konfirmimit të dhënë nga KPK për ta. Kjo do të thotë se për ta nuk ka asnjë pengesë që të quhen prokurorë të SPAK dhe pritet që emërimi i tyre nga KLP të jetë automatik. I rëndësishëm është fakti se që të gjithë kandidatët e SPAK kanë patur në duar dosje të bujshme. Hetimi i çështjeve të nxehta do të jetë primar për Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion dhe këtë kusht si duket kandidatët e plotësojnë më së miri. Arben Kraja është prokurori që hetoi Lulzim Bashën për aferën e Rrugës së Kombit. Ai gjithashtu ka qenë prokuror i çështjes së ish-gjyqtares së Lartë, Majlinda Andrea, e shpallur fajtore për afera korrupsioni. Prokurori i Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi nga ana tjetër ka patur në dorë dosjen “Shullazi”, si edhe është prokuror i çështjes së Klement Balilit. Sakaq, Enkeleda Millonai nuk njihet për ndonjë dosje të bujshme, por si një prokurore me qëndrim të prerë e të pakompromis ndaj krimit e korrupsionit. Manjola Kajana nga ana tjetër ka spikatur me hetimin e grabitëses seriale të njohur me nofkën “Nikita”. Altin Dumani bëri bujë me qëndrimin e akullt që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008, ndërsa Anton Martini njihet si prokurori i bandës së Durrësit, bandës së Cërrikut, etj.
Mimoza Ibra