Zbardhen dokumentet, ja si u licencua në mënyrë të dyshimtë “Besa”, Fullani manovra ekstra ligjore në ndihmë të fondit

0
315

Skandalet në sektorin financiar duket se po shtohen nga dita në ditë. Ish-guvernatori Ardian Fullani do mbahet mend gjatë për batërdinë në krye të Bankës së Shqipërisë. Por edhe pasardhësi i tij, Gent Sejko, duket se nuk mbetet pas. Gazeta ka treguar për muaj me radhë fakte se si është abuzuar me falimentimin e “Veneto Banak” dhe si po lulëzojnë fondacione mikrorkedie të përfshira në mashtrim. Bëhet fjalë për Fondin “Besa”. Ky fond ka vite që operon në vendin tonë, por a është ai i ligjshëm? A është ndjekur një procedurë normale për licencimin e tij? Gazeta e ka prekur më herët këtë çështje, ndërsa sot po e tregojmë më me detaje se si Fullani licencoi brenda pak ditësh Fondin “Besa”. Soros krijoi në vitin 1999 Fondacionin “Besa”, i cili më pas u kthye në fond. Kërkesa për licencim nga ky fond u bë në Bankën e Shqipërisë në vitin 2007. “Gjatë vitit 2007 është paraqitur kërkesa nga fondi “BESA” për marrjen e licencës si subjekt jobankë”, thuhet në raportin vjetor të BSH. Por ky fond nuk e ka marrë licencën, megjithëse kjo nuk e ka penguar të ofrojë shërbime edhe pse ka qenë në proces licencimi. Fondi “Besa’ e ka marrë licencën në fund të vitit 2008, por me manovra. “Në vitin 2008 shoqëria aksionere Fondi “Besa” sh.a. u pajis me licencën nr. 10, datë 26.12.2008 si subjekt jobankë për ushtrimin e veprimtarive financiare të parashikuara nga ligji për bankat”, thuhet në raportin vjetor të BSH të këtij viti. Aty përmendet data 26, por sipas investigimit të gazetës, rezulton se mbledhja e fundit e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë ka ndodhur në dt. 24 dhjetor 2008. Nuk ka pasur asnjë mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës në dt. 26 dhjetor që i jep licencën nr. 10 “Besa sh.a.”, dhe nuk ekzistonte asnjë vendim i këtij Këshilli për dhënien e kësaj licence. Mbledhjet e Këshillit Mbikëqyrës kanë një axhendë të mirëpërcaktuar dhe ka gjithmonë njoftime publike detyruese edhe online që i thërrasin ato në një afat paraprak. Mbledhja e dt. 26 dhjetor 2008 nuk ka ekzistuar kurrë dhe licenca nr. 10 për “Besa sh.a.” është firmosur nga Fullani në kafenetë e Tiranës. Mbledhja e fundit e Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë është zhvilluar në dt. 24 dhjetor 2008 ku nuk është marrë aspak në shqyrtim ndonjë licencë për “Besa sh.a.”. Vendimet e asaj dite përfshijnë shumë çështje me përjashtim të ndonjë licence për “Besa sh.a.”. Por pavarësisht manovrave, fondi vijon të funksionojë edhe sot. Pasardhësi i Fullanit është Gent Sejko, i cili vijon të mbyllë sytë. Edhe pse Fondi “Besa” u përfshi nga skandali me mashtrimin e kredive, BSH fle.

Operimi pa licencë

Fondit “Besa” i është dashur 1 vit të pajiset me licencë, por kjo nuk e ka ndalur të ushtrojë aktivitetin e dhënies së kredive. Sipas vetë fondacionit, rezultatet e vitit 2007 për Fondin “Besa”, shënuan një konsolidim dhe zgjerim të aktivitetit duke shënuar rreth 9,200 klientë aktivë në 2007 dhe një tepricë kredie prej gati 37 milionë dollarësh. Referuar një artikulli të një të përditshmeje në atë kohë,që nga fillimi i aktivitetit Fondi “Besa” ka dhënë rreth 37,000 kredi me një shumë të përgjithshme prej 194 milionë dollarësh. “Mbi bazë të rezultateve të arritura, por dhe objektivat ambicioze që kanë drejtuesit e këtij fondi për vitet 2008-2010 Fondi “Besa” parashikon të disbursojë një shumë prej 150 milionë dollarësh dhe të zgjerojë aktivitetin në degë të reja si dhe të lançojë produkte e shërbime të reja. Sipas Drejtorit Ekzekutiv të Fondit “Besa”, Bajram Muça merita e përfshirjes së fondit në 50 institucionet mikrofinanciare më të mira në botë nuk i takon vetëm stafit dhe menaxhimit të Fondit Besa”, thuhet në artikull.Pra Fondi ka dhënë para dhe pavarësisht se nuk kishte licencë. Në ditët në vijim gazeta do tregojë me fakte skandalet që kanë ndodhur nga fillimi i vitit 2008 dhe deri në fund të tij, kur u dha licenca. 

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here