DASH zbardh detajet e 14 shtatorit 1998: Ja si Berisha i shpëtoi arrestimit, shfrytëzoi vrasjen e Hajdarit për grusht shteti, por refuzoi të dëshmonte

0
340

Sot shënohen plot 21 vite nga 14 shtatori i vitit 1998, datë në të cilën Partia Demokratike tentoi grusht shteti. Më 12 shtator u vra me armë zjarri Azem Hajdari dhe kjo u shfrytëzua nga lideri demokrat i asaj kohe, Sali Berisha për të rrëzuar qeverinë. Grupe të armatosura mësynë në Kryeministri duke detyruar Nanon të arratiset drejt Maqedonisë. Si për ironi, i njëjti individ që tentoi grusht shteti 21 vite më parë, po tenton të njëjtën gjë dhe sot. Por këto ngjarje kanë bërë bujë dhe te ndërkombëtarët. Gazeta ka siguruar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, i cili hedh dritë mbi situatën në vitin 1998. “Më 12 shtator 1998 deputeti i PD dhe kryetar i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes Azem Hajdari, u vra në një atentat pranë selisë së PD, çka solli protesta të dhunshme. Gjatë funeralit të tij më 14 shtator 1998 mbështetës të armatosur të PD bastisën zyra qeveritare për një kohë të shkurtër, si Parlamentin, televizionin shtetëror dhe radion. U duk sikur ish-presidenti Berisha do të kryente një grusht shteti, por pas 72 orësh u rivendos rendi dhe protestuesit dorëzuan tanket që kishin marrë. Më pas Parlamenti hoqi imunitetin e Berishës për rolin e tij në kryengritjen, por përfundimisht mbi të nuk u ngritën akuza. 12 njerëz u arrestuan për dhunën. PD refuzoi të merrte pjesë në të gjitha funksionet shtetërore në nivel kombëtar pas vrasjes së Hajdarit, duke bojkotuar dhe Parlamentin”, thuhet në raport. Refuzimi i dëshmisë Aty tregohet dhe ajo që ende nuk është qartësuar. Berisha ishte i pari që pas vrasjes tregoi me gisht autorët, por kur erdhi puna për të dëshmuar para drejtësisë refuzoi. Momentalisht po zhvillohet gjyqi ndaj Izet Haxhisë dhe ky i fundit kërkon dëshminë e Berishës. DASH tregon se si që në atë kohë ish-lideri i PD refuzoi të dëshmonte. “Zyrtarët e PD përfshi dhe Berishën, refuzuan të dëshmonin në hetimet për vrasjen e Hajdarit, duke argumentuar se hetimet ishin të motivuara politikisht. Kryeministri Nano dha dorëheqjen në shtator 1998 duke cituar mungesë mbështetjeje brenda Partisë Socialiste. Pandeli Majko, ish-sekretari i Partisë Socialiste u bë kryeministër, ndërsa PD e drejtuar nga Berisha u rikthye në Parlament në korrik 1999, pas zotimit të qeverisë se të hetonte në tërësi dhe me drejtësi vrasjen e Hajdarit. Ndërkohë vazhdonte gjyqi kreut të Partisë së Legalitetit, Ekrem Spahia dhe 12 mbështetësve të tij për ngjarjet e shtatorit 1998 që pasuan vrasjen e Hajdarit. Më 5 shkurt 1999 Leka Zogu u arrestua në Johanesburg, ku kishte jetuar prej vitit 1979, për zotërimin e një arsenali ilegal armësh e municionesh. Ai u lirua me kusht 10 ditë më vonë. Në tetor 1999 Majko humbi udhëheqjen e partisë ndaj Fatos Nanos duke u detyruar të dorëhiqej nga posti i kryeministrit disa javë më vonë. Ilir Meta e pasoi atë në post”, thuhet aty. Detajet Por më shumë detaje ka hedhur Grupi i Krizave, një ndër organizatat më të mëdha në botë me qendër në Bruksel. Në një raport të siguruar nga gazeta, të hartuar prej tyre në tetor 1998, jepen detajet se si ndodhi grushti i shtetit dhe si erdhi më pas dorëheqja e Fatos Nanos. Sipas organizatës, Sali Berisha tentoi të marrë qeverinë me një grup rrugaçësh dhe ish-agjentë të SHIK të Bashkim Gazidedes. “Në Shqipëri janë paralizuar institucionet parlamentare dhe reduktuar projektet ndërkombëtare të ndihmës pasi personeli i tyre refuzon të kthehet në Shqipëri deri në qetësimin e situatës. Qytetarë të zakonshëm kanë vendosur oraret e tyre të shtetrrethimit dhe në rrugë nuk shihen njerëz pas orës 22.00. Kryeministri Nano ka hedhur fajin për dhunën e kohëve të fundit tërësisht mbi Partinë Demokratike dhe liderin Sali Berisha, duke e quajtur “krye-organizator të grushtit t shtetit” dhe ka urdhëruar Ministrinë e Brendshme të sjellë para drejtësisë të gjitha ata që janë përgjegjës”, thuhet në raport. Aty flitet dhe për tentativat për të dënuar Berishën, por ai arriti të dilte i palagur nga ky mes. “Sipas ligjit shqiptar kryengritja e armatosur merr dënim me burgim të përjetshëm dhe dënim me vdekje. Një komision parlamentar me kërkesën e kryeprokurorit, i ka hequr Berishës imunitetin parlamentar dhe ka urdhëruar ndjekjen e tij për organizim grusht shteti. Duke parë paqëndrueshmërinë e situatës aktuale është e vështirë të kuptohet sesi arrestimi i Berishës mund të zbusë situatën. Ndërkohë forcat e opozicionit ndaj qeverisë duken gjithnjë e më të fuqishme. Aleancat mes partive të ndryshme kanshtuar forcën e kryengritjes. Përveç Unionit për Demokraci të drejtuar nga PD, opozita përfshin grupet E Djathta e Bashkuar, ku përfshihen Partia Republikane, Lëvizja për Demokraci, Partia e Djathtë Demokratike dhe Partia Konservatore. 12 parti e grupe të djathta e anti-komuniste kanë formuar Fronti i refuzimit të Diktaturës. Qeveria po vihet gjithashtu nën presion dhe nga e majta. Partia Komuniste e sapoformuar është e gatshme t’i bashkohet lëvizjes antiqeveritare. Në prill të këtij viti qeveria hoqi ndalimin e partive komuniste duke lejuar Partinë Komuniste të Hysni Milloshit dhe deputetit të pavarur Maksim Hasani, të dy mbështetës të flaktë të diktatorit Hoxha. Partia Komuniste llogaritet të ketë rreth 25.000 mbështetës”, thuhet në raport./Kliti TOPALLI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here