“Ndërhyrjet në sistemin zgjedhor të pamundura në pak javë”, ja çfarë shkruan ‘Zëri i Amerikës’ pas nisjes së sesionit të ri parlamentar

0
310

Në Shqipëri parlamenti nisi sot pasdite sesionin e tij të ri, në një sallë e cila do të vijojë të ketë 18 vend bosh, pas largimit të opozitës në muajin shkurt, dhe djegien e mandateve të 58 përfaqësuesve të saj. Vetëm 40 prej tyre u zëvendësuan nga emrat që ndodheshin në listat e Partisë Demokratike dhe Partisë Lëvizja socialiste për integrim, të cilët nuk ju nënshtruan vendimit politik të drejtuesve të tyre.

“Parlamenti përballoi me dinjitet sfida të jashtëzakonshme dhe unike. Demokracia liberale si asnjëherë gjatë tre dekadave u provua si demokraci kushtetuese dhe vetë konstutucionalizmi si tendencë solide e saj. Si asnjëherë në historinë e pluralizmi, Kushtetuta u rezistoi aventurave duke shpëtuar kështu sistemin demokratik të Shqipërisë nga anarkia dhe kaosi. Rreth 70% e mandateve janë zëvendësuar shumë shpejt nga deputetët e rinj të opozitës, gjë që ndihmoi në rikthimin e normalitetit të Parlamentit”, deklaroi në fjalën e tij hapëse kryetari Gramoz Ruçi duke ju referuar pikërisht situatës së paprecedentë të krijuar në vend.

Emëruesi i përbashkët i diskutimeve të përfaqësuesve të të gjithë krahëve politikë në sallë, ishte reforma zgjedhore. Komisioni i Posaçëm ka afat deri në muajin tetor. Shumica, siç e ka bërë të qartë kryeministri Edi Rama synon përmbylljen e saj në javët e ardhshme, në mënyrë që të realizojë rekomandimin e vitit të kaluar të Këshillit europian, për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Ky Këshill pritet të thotë fjalën e tij në mesin e muajit të ardhshëm si për Shqipërinë ashtu dhe për Maqedoninë e Veriut.

Shumica, siç u shpreh dhe kryetari Ruçi por dhe drejtuesi i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, i mbetet ftesës për ta realizuar këtë reformë dhe me Partinë Demokratike, duke i lënë asaj sërish përfaqësim në Komision së bashku me të drejtën e vetos. Por megjithatë, miratimin e Reformës, shumica do të duhet ta bëjë me votat e opozitës në sallë. Përfaqësuesit e kësaj të fundit i kanë mëshuar idesë së ndryshimit të sistemit zgjedhor. Dhe këtë e theksoi me forcë dhe drejtuesja e grupit Demokrat Rudina Hajdari. “Reforma zgjedhore do ti japë fund këtij sistemi që ka mbytur demokracinë e brendshme. Nuk do kemi qeverisje të mirë me një qeveri autokratike. Ndryshimi i sistemit duhet të jetë kryefjala e ndërhyrjes në reformën zgjedhore. Si opozitë jemi pro ndryshimeve kushtetuese për një sistem të ri që ofron kandidatë të denjë dhe konkurrencë të drejtë”, u shpreh zonja Hajdari, e cila përmendi gjithashtu dhe nevojën e depolitizimit të administratës zgjedhore, dhe garantimin e votës së emigrantëve.

Por ndërsa për këto dy pikat e fundit, mund të gjendet dakortësia me shumicën, ndërhyrjet në sistemin zgjedhor që kërkojnë dhe ndërhyrje kushtetuese, duken të pamundura për t’u realizuar në harkun e pak javëve. Edhe kryetari i grupit Socialist Balla nënvizoi faktin se reforma duhet të mbështetet te rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.

Deputetët do të nisin punën në këtë sesion me një sërë projektligjesh të rrëzuara nga Presidenti Ilir Meta, që nga kontratat koncesionare për ndërtimin e dy akseve rrugore, të ndryshimet në ligjin për Koncesionet, ato në Kodin Penal apo dhe ligjin për Akademinë e Shkencave.

Shumica ka paralajmëruar rivotimin e tyre, ndërsa nesër do të rifillojë nga puna dhe Komisioni hetimor i ngritur për shkarkimin e Kreut të Shtetit. Parlamenti i është drejtuar Komisionit të Venecias, një delegacion i të cilit pritet të mbërrijë në shqipëri në filim të javës së ardhshme. Opinioni i këtij institucioni oritet të jetë vendimtar, ndërkohë që procesi në vetvete do të dojë kohë, pasi fjalën e fundit do të duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese e cila nuk do të mund të plotësohet ende më numrin e nevojshëm të anëtarëve që do të lejonin funksionimin e saj./VOA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here