Amerikanët zbardhin detajet, ja si Ramiz Alia mori drejtimin e PPSH pas vdekjes së Hoxhës, dyshimet që u ngritën mbi vendlindjen e tij

0
540

Amerikanët kanë dhënë detaje nga kalimi i pushteti te Ramiz Alia. Pas vdekje së Hoxhës ishte ai që mori frenat e PPSH. Gazeta “New York Times’ ka dhënë detaje në këtë aspekt, ndërsa ka ngritur dhe dyshime mbi origjinën e tij.

21 gusht 1984

Vizitë gjermano-perëndimore në Shqipëri Kryeministri bavarez Franz Josef Strauss, ka ardhur sot për një vizitë në Shqipëri, duke shtuar spekulimet se po përgatitet rruga për hapjen e lidhjeve diplomatike mes dy vendeve. Strauss u takua me zv. kryeministrin Manush Myftiu, por mediat shqiptare nuk kanë dhënë detaje për bisedimet. Strauss është një nga udhëheqësit perëndimorë më të lartë që viziton vendin e izoluar të Ballkanit edhe pse në Bonn udhëtimi përshkruhej si një ”vizitë thjesht private”. Muajt e fundit zoti Strauss ka marrë disa iniciativa në politikën e jashtme për qeverinë e Bonn, duke përfshirë dhe marrëveshjen e huave me Gjermaninë Lindore dhe vizitat në disa vende të lindjes si Çekosllovaki, Poloni e Rumani. Agjencitë gjermane të lajmeve duke raportuar nga Tirana, thanë se Strauss kishte udhëtuar bashkë me disa miq dhe anëtarë të familjes. Grupi i tij kishte vizituar disa muzeume e qendra kulturore e turistike, dhe më pas ishte larguar për në Greqi.

Kërkesa e reparacioneve

Shqipëria ka qenë duke negociuar prej muajsh mundësinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Gjermaninë Perëndimore, por bisedimet kanë rezultuar pa sukses prej kërkesës së Shqipërisë për dëmshpërblime të luftës, por Gjermania thotë se kjo është vendosur nga traktatet e paqes. Zyrtarët në Bonn thonë se kontaktet mes palëve vazhdojnë me anë të ambasadave të vendeve në Vjenë. Vitin e kaluar Shqipëria përfitoi një kontratë të përpunimit të nikelit në shtetin gjermano-perëndimor Salzgitter. Diplomatët e interpretuan këtë si një hap afrimi mes dy vendeve. Shqipëria është një vend komunist malor me popullsi 2.5 milionë banorë, por nuk është më pjesë e bllokut lindor të drejtuar nga Bashkimi Sovjetik. Regjimi Stalinist i drejtuar nga Enver Hoxha, nuk ka kontakte me qeveritë perëndimore edhe lejon shumë pak vizitorë në vend, por kohët e fundit ka nisur një hapje graduale drejt Perëndimit.

5 tetor 1984 Shqiptarët e Jugosllavisë, të varfër, krenarë dhe pjellorë

Tregu i të shtunës në këtë qytet pranë Shqipërisë është i mbushur me ngjyra dhe objekte orientale, me qytetarë e fshatarë që bëjnë pazar për specat e verdhë, sapunët dhe zbukurime të florinjta. Shumica e burrave kanë mustaqe dhe veshje koke ndërsa gratë kanë përparëse të qëndisura e pantallona të gjera. Të gjithë njerëzit që sillen në treg janë shqiptarë, një grup jo-sllav në Jugosllavi, me përqindjen e lindjeve më të madhe në Evropë. Tashmë shqiptarët etnikë përbëjnë më shumë se 80 për qind të 1.6 milionë banorëve të rajonit jugosllav të Kosovës, një nga dy provincat autonome të federatës, që bashkë me gjashtë republikat etnike, përbëjnë Jugosllavinë. ”Ne jemi shqiptarë sigurisht,” thotë një nga gratë që shkon nga tregu në fshat market. “Jemi myslimanë, por jemi modernë. Ne nuk veshim rroba myslimane dhe nuk mbulojmë fytyrën”, shton ajo. Gratë shpjegojnë më tej se në të gjithë provincën e Kosovës krenaria dhe pritshmëria shqiptare po rriten. Ato thonë se nuk duan të bashkohen me Shqipërinë pasi jeta atje siç kanë dëgjuar, është e tmerrshme. Por duan të kenë të njëjtin kontroll mbi krahinën e tyre si dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë, serbët në Serbi, kroatët në Kroaci, malazezët, sllovenët dhe myslimanët e Bosnje-Hercegovinës. Ky nacionalizëm në rritje ka habitur autoritetet jugosllave prej më shumë se një dekade. Por tashmë të mbështetur nga shtimi eksploziv i popullatës së tyre, emigracioni nga Kosova po tremb serbët ortodoksë dhe përpjekjet shqiptare po fitojnë forcë. Teknikisht shqiptarët njihen në Jugosllavi si një grup etnik, por ata dallojnë nga grupet e mëdha sllave me republika të veçanta në Jugosllavi, pasi kanë vetëm krahinë autonome si hungarezët. Por ky dallim nuk ka qenë bindës për studentët militantë shqiptarë që janë mbledhur për të parë paradën në bulevardin e Prishtinës. Të rinjtë serbë në njërën anë të rrugës pedonale, ndërsa shqiptarët në tjetrën. “Ata thonë se ne nuk mund të jemi republikë, por dhe Bosnja myslimane është republikë” thotë një prej tyre. Studentët ishin iniciatorët e trazirave politike të tre viteve më parë ku nëntë veta u vranë. Pas tyre me qindra aktivistë u arrestuan dhe njësitë e Ushtrisë Jugosllave patrullonin rrugët e Prishtinës. Ushtria u tërhoq vetëm vitin e kaluar dhe sot dy pjesët e qytetit duken të qeta edhe dhe shëtitja e mbrëmjes është e ndarë etnikisht. Dëgjohen ende incidente etnike. Tetë mullarë të një manastiri serb u ishte vënë zjarri kohët e fundit, dhe serbët shpreheshin të sigurt se ishte vepër e nacionalistëve shqiptarë. Në një ndeshje televizive të kohëve të fundit një i ri thërriti “Kosova republikë!” para se të arrestohej. Spektatorë të tjerë nisën të thërrisnin emrin e Enver Hoxhës, udhëheqësit të Shqipërisë. Por në fakt janë shumë të paktë ata që preferojnë bashkimin me Shqipërinë. Ka një ndërgjegjësim të gjerë se liritë në Jugosllavi janë më të mëdha dhe se përdorimi i emrit të Hoxhës ishte vetëm një provokim. Por ka skenarë të tjerë separatistë që nxisin popullin e Kosovës në konflikt me federalistët, siç është klauzola në kushtetutën e Jugosllavisë, që u jep lirinë vetëm ‘republikave’ për t’u ndarë nga unioni. Siç shpjegohet nga një grup studentësh në Prishtinë, një e drejtë e tillë për ndarje mund të ndihmojë në krijimin e Shqipërisë së Madhe dhe ndoshta, pas vdekjes së Hoxhës kryeqyteti i saj mund të bëhet Prishtina. Por studentët nuk kanë një përgjigje kur pyeten sesi do ta mbante veten një komb i tillë, pasi Kosova është rajoni më i varfër i Jugosllavisë, ashtu si dhe Shqipëria, që është vendi më i varfër i Evropës. Të ardhurat e një familjeje në Kosovë janë sa një e treta e mesatares së Jugosllavisë. Krahina ka papunësinë më të lartë dhe merr 70 për qind të buxhetit të saj nga Jugosllavia. Një sllav që punon në administratën e provincës thotë se taktikat e shqiptarëve kanë ndryshuar që prej demonstratave. “Ata e dinë se nuk duhet të bëjnë më shumë sesa të lindin fëmijë. Kanë familje me nga 10-12 fëmijë. Ata nuk bëjnë luftë, bëjnë dashuri”, thotë zyrtari duke shtuar se me këtë po largojnë serbët dhe jo-shqiptarët e tjerë nga krahina. ”Çdo javë njerëzit largohen prej këtej”, shtoi ai.

11 nëntor 1984

Shqipëria hap pak derën e saj Më 18 qershor rojet kufitare shqiptare qëlluan ndaj tre zhytësve francezë në mes të ditës duke vrarë njërin prej tyre. Më 16 shtator roje të tjera kufitare vranë një bari grek. Lajme të tilla nuk janë të pazakonta nga Shqipëria, vendi i mbushur me bunkerë dhe armë në kufi, ku dhe himni kombëtar përfshin vargun “me pushkë e me kazmë”. Por me gjithë incidente të tilla ajo që të habit është se ky vend solidar kohët e fundit ka nisur të dalë nga guaska e tij izolacioniste duke kërkuar lidhje me Lindjen dhe Perëndimin. Kjo po ndodh në një kohë kur diktatori i 43 viteve të fundit Enver Hoxha është ende gjallë. Ai konsiderohet gjerësisht si një paranojak brutal, por në një mënyrë të çmendur dhe mbijetues. Hapjet e fundit të Shqipërisë janë një tjetër mister i historisë së katër dekadave të vendit më të trembur nga bota, që armiqësinë e tij më të ashpër e ka pasqyruar ndaj ish-padronëve të tij Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik e Kinës. Shqiptarët janë pasardhës të një prej popujve më të vjetër të Evropës, Ilirëve, e megjithatë kombi i tyre është nga më të rinjtë në Evropë, i formuar me dekret të fuqive të mëdha në 1912. Vendi është i vogël dhe me siguri më i varfri në Evropë, por mburret me veten si bastioni i vetëm Stalinist, i painteresuar për marrëdhënie me vendet e mëdha perëndimore. Por vendndodhja, politikat e pazakonta dhe sherret me fqinjët Greqi e Jugosllavia, e bëjnë kritik për balancën delikate në gadishullin e Ballkanit. Shqipëria tashmë duket më dinamike si rezultat i rritjes së popullsisë që është tre ose katër herë më lartë se pjesa tjetër e Evropës me një moshë mesatare prej 26 vjeç. Autoritetet në Tiranë thonë se popullsia do të arrijë në 4 milionë për 15 vjet. Këtu ka dhe implikime nacionaliste pasi dhe Hoxha ka thënë në 1981 se ”ne jemi gjashtë milionë”, një llogaritje që përfshinte dhe shqiptarët etnikë në Jugosllavi, Turqi e Greqi. Gjatë vitit të fundit Shqipëria me kujdes po përpiqet të hapë disa nga dritaret e saj drejt Perëndimit, teksa në të njëjtën kohë duket se në Tiranë do të ketë ndryshim personeli. Udhëheqja e 40 nga koha e revolucionarëve të luftës, tashmë po zëvendësohet me të rinj e të reja. Këto tendenca, të kombinuara me shfaqjet e rralla të Hoxhës në publik kanë shtuar interesin në zhvillimet shqiptare. Për afro tre dekada Shqipëria nuk ka lejuar asnjë gazetar amerikan në vend. 21 vjet më parë unë aplikova për vizë për të vizituar Shqipërinë nga Jugosllavia. Konsulli shqiptar në Beograd ishte i sjellshëm, por i vendosur për të refuzuar aplikimin. Edhe letrat e mia për Tiranën nuk morën përgjigje siç ndodhi dhe me kërkesën time për t’u takuar me misionin shqiptar në Kombet e Bashkuara. Ajo që dihet për Shqipërinë vjen nga raportet zyrtare të qeverisë së Tiranës, nga të arratisurit prej Shqipërisë apo analizat e analistëve perëndimorë që kanë vizituar vendin. Kreu komunist Enver Hoxha i cili së fundmi mbushi 76 vjeç, raportohet se është sëmurë pasi shfaqja e tij e fundit publike ka qenë më 20 tetor dhe dukej se mbështetej te ndihmësit e tij për të ecur. Ai nuk ka folur në publik që prej fillimit të vitit dhe shpeshherë në raste të rëndësishme publike nuk është paraqitur, por vetëm ka dërguar mesazhe urimi. Prandaj në Shqipëri po ngrihej pyetje në lidhje me atë që do të ndodhë pas vdekjes së Hoxhës. Kur u formua Partia Komuniste në Tiranë në 1941, nga dy të dërguarit e partisë jugosllave, Hoxha u zgjodh si sekretari i parë, dhe pozitën e ruan edhe sot, në një rekord për komunizmin evropian. Në Jugosllavi ka nisur, tashmë edhe aty nervozizmi për atë që mund të ndodhë me pasuesit e Hoxhës dhe rikthimin e mundshëm të vendit në orbitën e Bashkimit Sovjetik. Jugosllavët konsiderojnë si shenja të një bashkimi të tilla çdo afrim të lidhjeve të Shqipërisë me aleatët e vjetër si Hungaria e Bullgaria. Prej shumë vitesh tashmë qeveria e Hoxhës përçmon Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara, duke i quajtur të dyja superfuqi ”imperialiste”, politikat e të cilave kërcënojnë paqen botërore dhe aspiratat e popujve të vegjël. Por në dekadën e fundit Tirana ka bërë një kthesë në politikën e jashtme duke tentuar të hapet me perëndimin, kryesisht me Italinë. Një marrëveshje e gjerë tregtare u nënshkrua në mars në Tiranë, mes ministrit italian të Tregtisë Nicola Capria, dhe homologut shqiptar Shane Korbeci, të cilët nënshkruan gjithashtu për shkëmbime kulturore dhe krijimin e Fakultetit të Gjuhës Italiane në Universitetin e Tiranës dhe mësimin e saj në shkollat e mesme shqiptare. Me këtë rast agjencia italiane e lajmeve ANSA në nëntor bëri një intervistë të rrallë me zv. kryeministrin Manush Myftiu. Nëntorin e shkuar u hap linja e trageteve Durrës – Trieste dhe së shpejti pritet të hapet linja e trageteve përmes ngushticës së Otrantos drejt Brindisit. Shqiptarët janë të interesuar gjithashtu në kontrata me italianët për ndërtimin e një hidrocentrali, të strukturave të telekomunikimit dhe të impianteve të tjera industriale, në këmbim të mallrave shqiptare. Por mbeten ende pengesa për realizimin e nismave të tilla, siç është refuzimi i Shqipërisë në pranimin e huave të huaja dhe në kufizimin vetëm në një vit kohëzgjatjeje të kontratave të biznesit. Si rezultat shumica e tregtisë së Shqipërisë duhet të kryhet në formë këmbimesh, ku Shqipëria ofron krom, nikel e naftë në këmbim të produkteve të fasonerisë. Shumë pak vende perëndimore janë mësuar të tregtojnë në këtë mënyrë dhe italianët hezitojnë në angazhimin në projekte afatgjata në Shqipëri. Ndryshimet e mundshme në qeveri janë të dukshme me ardhjen e zyrtarëve të rinj si Lenka Cuko, anëtar i byrosë politike; zv. kryemisnitri Besnik Bekteshi, dhe Sekretari i Partisë Vangjel Cerrava, që janë të gjithë në të 40-at e tyre. Profesori i shkencave politike në Howard University, Nikolaos A. Stavrou, ka kryer tezën e masterit të tij mbi elitën në Shqipëri, në të cilën argumenton se aktualisht Komiteti Qendror i partisë shqiptare ka moshën më të re se çdo parti komuniste dhe pjesëmarrje të gjerë të grave. Përveç shtimit në byronë politike të Lenka Cukos, është gjithashtu ministrja e Bujqësisë Themie Thomai, ministrja e Arsimit dhe Kulturës Tefta Cami dhe ministrja e Industrisë së Lehtë Vito Kapo. Gruaja e Hoxhës, Nexhmija, ka mbajtur pozicione të rëndësishme prej vitesh, si drejtoreshë e Institutit të Marksism-Leninizmit. Është thuajse e pamundur të mësohet mbi planet e udhëheqjes shqiptare po aq sa të mësosh për jetën e përditshme atje. Vendi pret rreth 3000 turistë në vit, të cilën mbahen nën kontroll të ashpër. Vizitorët që vijnë te të afërmit e tyre janë të betuar për heshtje kursetregimet e të arratisurve nuk mund të verifikohen lehtë.

Shqipëria prezanton udhëheqësin e ri Ramiz Alia 14 prill 1985

Ramiz Alia, presidenti 59-vjeçar shqiptar u zgjodh sot si udhëheqësi i ri i vendit, duke pasuar në post Enver Hoxhën, i cili vdiq të enjten në moshën 76 vjeçare. Alia, zgjedhja e të cilit nga Komiteti Qendror u raportua në radion shqiptare, duket se është bërë rreth tre vjet më parë nga Hoxha. Përveç postit të presidentit, Alia ka kryer dhe shumicën e detyrave të Hoxhës prej verës së vitit 1983. Kjo u bë e nevojshme pas përkeqësimit të shëndetit të diktatorit aq sa ai nuk mund të shfaqej më në paraqitjet publike. Hoxha ka drejtuar partinë që prej krijimit të vitit 1941, duke ruajtur sistemin stalinist, dhe duke drejtuar vendin përmes prishjeve ideologjike me Moskën në 1961 e me Pekinin në 1976.

 Alia i vlerësuar në fjalimet e Hoxhës

Përcaktimi i Hoxhës për Alian si pasues përfundimtar u bë i qartë në verën e vitit 1984, kur Alia nisi një seri vizitash në qytetet kryesore të vendit, duke dhënë fjalime të rëndësishme. Këtë vit duke kujtuar ditëlindjen e 75 të Hoxhës, Alia tha në fjalimin e tij: “Partia jonë ishte me fat që kishte një udhëheqës si shoku Enver Hoxha, me disiplinë besnike ndaj mësimeve të Marx, Engels, Lenin e Stalin, një udhëheqës i karakterizuar nga dituria dhe orientimi në çdo situatë, largpamësia dhe kuraja për të marrë vendime të rëndësishme.” Para ngritjes në rrethin e brendshëm të partisë në vitet 1960, Alia ka mbajtur pozita kyçe në Komitetin Qendror për dy vjet, i ngarkuar për ideologjinë. Ishte një kohë kritike pasi Shqipëria kishte nisur shkëputjen e vështirë nga varësia ndaj Bashkimit Sovjetik, duke kërkuar lidhje të ngushta me komunistët kinezë. Alia kishte atëherë detyrën për përgatitjen e terrenit ideologjik me anëtarët e partisë për ndryshimin e aleancës

Vendlindje e dyshimtë

Ramiz Alia ka lindur në 18 tetor 1925. Në listimet zyrtare vendlindja e tij jepet si Shkodër por ish-mësuesi i tij Arshi Pipa, i cili është tashmë profesor gjuhe në University of Minnesota, thotë se Alia ka lindur në Jugosllavi, në provincën shqiptare autonome të Kosovës, dhe ka ardhur me familjen në Shkodër kur ishte i vogël. Alia konsiderohet pjesë e komunitetit verior gegë të vendit. Hoxha ishte një toskë nga jugu dhe me përjashtim të Alias, thuajse të gjithë anëtarët e udhëheqjes shqiptare janë nga jugu. Alia ka mësuar në shkollën franceze në Tiranë, në fund të viteve 1930-të dhe ka qenë një student politikisht aktiv. Gjatë Luftës së dytë Botërore ai u bashkua me guerrilasit komunistë në 1944, në moshën 19. Ai ishte pjesë e Brigadës së Shtatë që kreu aksione guerile kundër forcave gjermane në tërheqje. Alia mbylli luftën si komisar politik i divizionit të pestë me rang lejtnant-kolonel. Posti i tij i parë në qeverinë komuniste të pasluftës, ishte udhëheqës i të rinjve. Ai drejtoi Sindikatën e të Rinjve Punëtorë deri në 1955, me përjashtim të një periudhe të shkurtër në krye të stafit të propagandës së qeverisë në 1948. Stephen Peters, zyrtari amerikan me origjinë shqiptare që është takuar atëherë me Alian thotë se ishte “i gjatë, i sjellshëm e miqësor”

Tre vjet ministër

Alia u emëruar ministër Arsimi në 1955 dhe tre vjet më vonë u bë zyrtar me kohë të plotë i Partisë Komuniste. Kur Partia Komuniste mori emrin Partia e Punës në 1948, në vitin e ndarjes së Shqipërisë dhe bllokut sovjetik me Jugosllavinë, Alia ishte ende udhëheqës i të rinjve dhe anëtar i Komitetit Qendror. Në 1956, në moshën 30 vjeçare ai u bë kandidat për këshillin e ministrave. Pesë vjet më vonë në shtator 1960, ai u bë anëtar i plotë i Byrosë Politike dhe një nga sekretarët e partisë së Hoxhës, që vetë ishte sekretar i parë. Në 1982, pasi shërbeu gati dy dekada në sekretariatin e partisë, Alia u bë president dhe kryetar i Parlamentit, duke pasuar në post Haxhi Lleshi, i cili e kishte mbajtur atë që prej vitit 1953.

Martuar me bijën e mësuesit

Alia është martuar me Semiramis Xhuvani, bija e edukatorit Aleksandër Xhuvani, i cili ka drejtuar kolegjin e mësuesve në Elbasan para luftës II Botërore dhe më vonë gjatë qeverisjes komuniste. Peters kujton Semiramis Xhuvanin si një vajzë e mrekullueshme që e kishte pasur nxënëse në kolegjin e Elbasanit. Ai thotë se babai i saj me besim ortodoks ishte mërzitur që e bija po martohej me një mysliman. ”Unë i thashë, më nuk kemi ç’bëjmë, kohët kanë ndryshuar” i kishte thënë asokohe Peters. Semiramis Alia tashmë drejton Fakultetin e Shkencave Natyrore në Universitetin e Tiranës, nuk duhet nëse çifti ka fëmijë. Ish-mësuesi i Alias, Dr. Pipa, u pyet kësaj jave për kujtimet që kishte nga udhëheqësi i ri. Dr. Pipa e kujton atë si një nxënës në shkollën e mesme të Tiranës në 1943, Alia ishte një nxënës i mirë, por nuk binte në sy se ishte i qetë dhe i rezervuar. Dr. Pipa ka qenë i burgosur politik në Shqipëri dhe pas lirimit të tij në 1956, shkoi te Alia, asokohe ministër Arsimi, për të kërkuar punë. Alia e bëri atë mësues të shkollës së mesme në Shkodër. ”Ishte i mirë me mua. Nuk më hapi probleme me të kaluarën,” tha Professor Pipa.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here