Zhvillimet e ditëve të fundit kanë detyruar presidentin Ilir Meta të humbasë qetësinë. Dalja në dritë e dosjes 978, ku dyshohet se Ilir Meta i kërkonte 200 mijë euro Kastriot Ismailajt për t’i përdorur në fushatë, duket se i ka rënë si “bombë” presidentit. Po ashtu dhe bllokimi i vizës nga SHPA për Petrit Vasilin dhe afrimi i SPAK, kanë detyruar Metën të braktisë kostumin zyrtar dhe të bëjë politikë. Prej ditësh Meta ka treguar se është në krah të opozitës, ndërsa dje ai e tregoi qartë se në këtë betejë nuk është vetëm përballë qeverisë, por është dhe kundër amerikanëve dhe kundër reformës në drejtësi. Meta shfrytëzoi dje konferencën për sigurinë, për të nxjerrë gjithë mllefin kundër ndërkombëtarëve dhe reformës, por duke treguar dhe një herë se presidenti ka filluar të frikësohet. Me bllokimin e vizës për Petrit Vasilin, SHBA i dërgoi atij një mesazh shumë të qartë, të cilin Meta si duket e ka marrë. Po ashtu, austriakët e masakruan për aferën 700 mijë euroshe. Ndërkohë, kanë dalë në dritë detaje se si ai dyshohet se ka blerë zgjedhjet e 2009. Të gjitha këto kanë bërë që presidenti të tregojë se kush është në të vërtetë. Dje Meta sulmoi hapur reformën në drejtësi, ndërsa nuk kurseu dhe misionin Euralius. Po ashtu ai sfidoi të gjithë ambasadorët, duke thënë se reforma ka dështuar. “Ne flasim për sukseset e reformës në drejtësi. Unë i jam shmangur kësaj çështje publikisht, pavarësisht se me partnerët ndërkombëtarë kam folur hapur prej kohësh. Po bën 3 vite nga miratimi me konsensus i reformës në drejtësi dhe mund t’ju them që po të ishte vërtet një sukses, Shqipëria asnjë minutë nuk do të ishte pa gjykatë kushtetuese. Kur është bërë reforma kam qenë kryetar kuvendit, kam thënë prit: Vetingu po, patjetër, por do të kemi kujdes sepse mund të kërcënohet funksionimi i Gjykatës Kushtetuese. Reforma nuk bëhet me retorikë dhe presione, bëhet me standarde. Nëse reforma bëhet me emra atëherë nuk ka një reformë të qëndrueshme, por ka forma të reja për kapjen e institucioneve”, tha ai.
Sulme ndaj Euralius
Meta u ndal dhe te shorti për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Edhe pse duhej të ishte ai që duhej të zbatonte ligjin, Meta bëri dje fajtor Euralius për shtyrjen e shortit. “Kam kërkuar me shkrim angazhimin e delegacionit të BE dhe Euralius, që është një mision që paguhet me taksapaguesit evropian për të garantuar zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri sipas standardeve evropiane dhe në respekt me Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë. Kam folur hapur si presidentit. Më takon si president më Kushtetutë të hedh shortin, por ne e dimë sa çfarë ka ndodhur një vit më parë… Ditën e fundit Euralius i çon përgjigje zyrës së Presidentit që ne në takim nuk vijmë dot sepse ne jemi mision teknik. Një mision teknik do të thotë që kemi marrë porosi politike. Unë nuk e di dhe sot nga kush u mor porosi politike”, tha ai. Po ashtu ai ka akuzuar ndërkombëtarët se janë të papërgjegjshëm, duke treguar dhe një herë frikën nga SHBA-BE. “Vijmë tek rasti i Gjykatës Kushtetuese, sepse nuk mund të jem i qetë pa e nxjerrë këtë merak me ju. Dy herë janë hedhur shortet e KED-së, që është institucioni kryesor që ka të bëjë edhe me zgjedhjen e Gjykatës Kushtetuese dhe të Inspektorit të Përgjithshëm. Kam bërë përpjekjet më të mëdha që gjithçka të bëhet në përputhje me kushtetutën. Herën e dytë, si president duke ditur dështimin e herës së parë që u humb një vit kohë dhe askush nuk mbante përgjegjësi, sepse njëra palë thoshte me ka dezinformuar ky, tjetri thoshte ky, papërgjegjshmëri totale përfshi edhe partnerin ndërkombëtar”, vijoi ai.
Rikthimi i 1997
Pas akuzave ndaj ndërkombëtarëve dhe reformës në drejtësi, Meta kërcënoi hapur Ramën se
se nëse vijon reforma në drejtësi dhe mbahen zgjedhjet pa opozitën, do rikthehen plumbat e kallashnikovëve. Presidenti tentoi të jepte sinjal se është gati të shkrumbojë vendin, për të shpëtuar veten dhe partinë e tij. “Kemi krizë serioze në Shqipëri të cilës nuk mund t’i shmangemi. Pasi vendi pësoi 1997 për fat të keq, u bë një Kushtetutë e jashtëzakonshme, me ndihmën e ekspertëve më të mirë të Komisionit të Venecias edhe me kontributin e shumë personaliteteve në këtë vend. Sepse u nxor mësim nga ‘97. U bë një Kushtetutë për të parandaluar një ‘97, pra për të menaxhuar kriza të cilat mund të dalin jashtë kontrollit dhe një rrëshqitje të demokracisë drejt humnerës dhe anarkisë. Në 2008 për dy ditë një Kushtetutë e bërë me aq sakrifica ia hoqëm të gjitha vidat, kontroll, balancë, llogaridhënie dhe kaluam nga një sistem parlamentar, kemi kaluar në një sistem të mbyllur partiak”, tha ai.
Kliti Topalli