Zbardhet letra e Enver Hoxhës për Fuqitë e Mëdha, ja si kërkonte më 1944 njohjen e qeverisë, Britania vendosi të hapë zyrë të posaçme në Tiranë

0
464

Amerikanët kanë zbardhur letrën që Enver Hoxha u ka dërguar Fuqive të Mëdha ku kërkonte që të njihej qeveria e dalë nga lufta. Sipas dokumenteve të publikuara nga DASH, Hoxha kërkonte mbështetje duke deklaruar se ishin partizanët ata që luftuan kundër armikut. Ndërsa më pas tregohet e si britanikët vendosën që të hapin zyra të posaçme në Tiranë në përfundim të luftës.

Itali, 24 dhjetor 1944

Ambasadori i SHBA në Itali për Sekretarin e Shtetit:Kolonel Palmer i kthyer nga Shqipëria disa ditë më parë, mori udhëzimet e mëposhtme të aprovuara nga britanikët. Palmer u urdhërua të kthehej në selinë e Hoxhës dhe në bisedimet me të të sinjalizonte se Aleatët do të bëjnë rrjedhimisht njohjen e qeverisë së tij nëse provojnë se kanë nën kontroll të gjithë territorin e Shqipërisë dhe se ka ndërmend të administrojë vendin me drejtësi e mirëkuptim. Ai do t’i thoshte më tej Hoxhës se duhet të bëhet e qartë për botës se ai ka mbështetjen e popullit shqiptar që njohja e qeverisë së tij të mos konsiderohet si e njëanshme. Palmer u udhëzua të referonte se ngjarje të papëlqyeshme si keqtrajtimi oficerit ndërlidhës të Aleatëve, mungesës e bashkëpunimit apo keqtrajtimi i të burgosurve gjermanë do të merren në konsideratë për çështjen. Palmer u udhëzua të thoshte se Aleatët kërkojnë zgjerimin e bazës së mbështetjes për qeverinë e re duke e bërë më përfaqësuese siç mund të ishte përfshirja e elementëve si Gani Kryeziu dhe të tjerë që kanë luftuar në mënyrë aktive kundër gjermanëve. Palmer do të informojë Hoxhën se me çlirimin e Shqipërisë do të jetë e nevojshme që britanikët të ndalojnë dërgimin e trupave dhe materialeve që prej 31 dhjetorit dhe me largimin e gjermanëve nga vendi do të tërhiqeshin plotësisht nga Shqipëria. Në rast se Hoxha kërkon ndihmë për formacionet partizane në Jugosllavi, Palmer u udhëzua të informonte se kjo ishte çështje mes Titos dhe Hoxhës dhe se Palmer nuk është i autorizuar të japë ndihma jashtë kufijve shqiptarë të vitit 1939.

Nga ana praktike Palmer do të informojë se për ndihmat humanitare për Shqipërinë, kërkohet një leje nga qeveria e Hoxhës. Palmer u udhëzua të shpjegojë masën e ndihmave dhe evitimin e premtimeve të ekzagjeruar. Tashmë informohemi se më 20 dhjetor Palmer foli me Hoxhën për planet e ndihmave dhe theksoi se veprimet mund të vijojnë vetëm në disa lokalitete, ku Hoxha besohet se është në kontroll. Hoxha raportohej se qëndroi ftohtë gjatë bisedës dhe mbajti shënime të shumta. Më vonë ai tha se do të ishte më mirë të diskutohej drejtpërdrejt me të sesa të nënshkruhen marrëveshje me vartësit e tij. Ai tha se ishte dakord me parimin e shpërndarjes së barabartë por shtoi se organizata e tij mund të gjykonte më mirë se cilat zona ishin më prioritare. Hoxha tha se nuk besonte se kishte nevojë për vëzhgues pasi ky funksion do të kryhej nga selia e tij. Ai refuzoi deklaratën se ML Albania “donte të ndihmonte shqiptarët që ata të ndihmojnë veten” duke thënë se grupi mund të linte ndihmat e tyre në Durrës dhe prej andej organizata e tij ishte e aftë t’i shpërndante më gjerë. Ai shtoi se kjo do të çlironte rreth 1200 njerëz për të luftuar tjetërkund. Ai ishte i impresionuar me sasinë prej 8 deri në 10 mijë ton materiale në muaj. Palmer vuri se Hoxha kishte frikë nga një tjetër ngatërresë dhe se një forcë e madhe zbarkuese me planin e ndihmës së ML do të ishte katastrofike. Palmet tha se është e rëndësishme të dërgohen ndihmat me anijen e parë për të bindur Hoxhën për sinqeritetin tonë.

Kir

Uashington, 26 dhjetor 1944

Sekretari i shtetit për zyrat diplomatike e konsullore: Departamenti ka vënë re me shqetësim rritjen e zhurmave të propagandës dhe të deklaratave gjysmë-zyrtare në favor të Maqedonisë autonome, që vijnë kryesisht nga Bullgaria, por gjithashtu nga forcat partizane jugosllave dhe burime të tjera, duke nënkuptuar se në shtetin e tyre do të përfshihen dhe pjesë nga territori grek. Qeveria e SHBA i konsideron bisedat e “kombit maqedon,” “Atdheu” maqedonas apo “ndërgjegjja kombëtare” e Maqedonisë, si të pajustifikuara dhe pa bazë etnike apo politike. Ato janë ringjallje e qëllimeve agresive kundër Greqisë. Politika e aprovuar e qeverisë së SHBA është kundërshtimi i ringjalljes së çështjes maqedonase në lidhje me Greqinë pasi një pjesë e madhe e rajonit të Maqedonisë banohet nga grekët dhe Greqia është kundër krijimit të një shteti të Maqedonisë. Supozimet për përfshihet greke në agjitacione të tilla mund të konsiderohen të rreme. Qeveria jonë konsideron se çdo grup apo qeveri që toleron ose nxit zhurma të tilla vepron kundër Greqisë. Departamenti vlerëson çdo informacion në lidhje me çështjen që ju vijnë në vëmendje. (Ambasada greke dërgoi një memorandum më 20 shkurt 1945, ku përsëriti gjendjen e mjerueshme të minoritetit të saj në Epirin e Veriut dhe keqtrajtimin e tyre nga qeveritë shqiptare gjatë luftës. Grupi i drejtuar nga Enver Hoxha, të cilin grekët e konsiderojnë si ndjekës të Titos, duket se kërkon të eliminojë çdo simbol grek në rajon. Qeveria ka dëgjuar se Hoxha ka dërguar një agjent në komandën Aleate në Itali për të kërkuar njohjen si qeveri e përkohshme e vendit. Qeveria greke beson se këtij grupi nuk duhet t’i jepet vëmendje pasi kjo do të çonte në inkurajimin e shkatërrimit të popullatës greke në rajon, të cilët kanë besuar se forcat Aleate do t’i shpëtojnë nga persekutimi i shqiptarëve)

Uashington, 2 janar 1945

Sekretari i shtetit për ambasadorin në Egjipt (Tuck): Në lidhje me emërimin tuaj të kreut të misionit amerikan në Shqipëri, Departament ju kërkon të kini parasysh sa më poshtë:

1. Departament nuk dëshiron që emërimi kreut të misionit dhe stafit të tij në Itali t’u japë përshtypjen shqiptarëve se është një hap që i paraprin njohjes. Këto marrëveshje nuk duhet të marrin shumë publicitet prandaj duhet të kryhen ekzaminimet e rastit për autoritetet në Shqipëri dhe dispozitën e tyre për t’iu përmbajtur programit diplomatik.

2. Fultz, i cili po hyn në Shqipëri si anëtar i misionit OSS4, do të transferohet në borderonë tuaj si këshilltar ekonomik. Sugjerohet se pas ardhjes tuaj në Itali një marrëveshjeje tillë është e nevojshme që Fultz të nisë funksionet e inteligjencës me grupin e OSS në Shqipëri. Misioni i OSS është lejuar të përdorë legatën në Tiranë si seli e përkohshme.

3. Britanikët po mendojnë të dërgojnë misione të rregullta në Shqipëri. Ato do të drejtohen nga një brigadier i ushtrisë dhe do të këshilltarë politik dhe ekonomik. Rusët përfaqësohen aty me një mision ushtarak të ushtria çlirimtare e Shqipërisë. Supozohet se së shpejti do të dërgojnë ekspertë politikë në përgatitje të vendimit të njohjes.

4. Mund të jetë e preferueshme për ju që pas mbërritjes të konsultoheni me Merrill dhe anëtarë të tjerë të grupit të Kirk.

9 janar 1945

Letra e Enver Hoxhës për Fuqitë e Mëdha

Letra e qeverisë sonë për qeveritë e Aleatëve të Mëdhenj, Anglia, Amerika dhe Bashkimi Sovjetik, është si më poshtë:

Zoti Uinston Churchill, kryeministër i Britanisë së Madhe;

Zoti President i komisarëve të popullit të BRSS, Marshall Stalin;

Zoti Franklin D. Roosevelt, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës:

Në emër të qeverisë demokratike të Shqipërisë kam nderin t’ju deklaroj si më poshtë. Më 7 prill 1939 kur trupat e Mussolinit zbarkuan në Shqipëri, shqiptarët rezistuan me armë, duke i treguar të gjithë botës se ishin kundër pushtimit të vendit të tyre nga të huajt. Pas kësaj ata u organizuan në luftë të hapur kundër pushtuesit fashist. Në shtator 1942 të gjithë luftëtarët e popullit u mblodhën në Konferencën e Pezës, ku pa dallim feje, krahine e ideje, ata u bashkuan nën udhëheqjen e Këshillit Nacional Çlirimtar, për luftën e pandalur kundër pushtuesit dhe tradhtarëve. Aty populli shqiptar tregoi besimin e patundur te Aleatët e Mëdhenj, Anglia, Bashkimi Sovjetik dhe Amerika, dhe popujt e tjerë liridashës në botë. Deklarata e ministrave të Jashtëm ë Britanisë, SHBA dhe BRSS në dhjetor 1942 ishte një nxitje e fortë morale dhe politike për luftën e popullit tonë, dhe premtim për lirinë dhe pavarësinë që kishim fituar me luftë dhe përpjekje. Për Shqipërinë, lufta madhore e Aleatëve ishte një garanci për fitoren dhe dha shembullin e rezistencës kundër agresorëve fashistë dhe Kuislingëve. Me këtë besim populli shqiptar luftoi përkrah Aleatëve të mëdhenj dhe popujve të tjerë liridashës, më të bashkuar dhe të organizuar se kurrë. Konventa e Përmetit dhe ajo e Beratit ishin ngjarjet kryesore të përpjekjes sonë dhe pesë viteve të luftës. Ato i dhanë Shqipërisë një autoritetet të ri, një qeveri demokratike dhe shprehjen e vullnetit të popullit shqiptar. Sot qeveria demokratike e Shqipërisë është përfaqësuesja e vetme e popullit shqiptar brenda dhe jashtë Shqipërisë, pasi nuk ka asnjë grupim brenda apo jashtë Shqipërisë që e konteston atë. Autoriteti i qeverisë sonë është përhapur në të gjitha provincat dhe krahinat e popullit tonë. Qeveria demokratike e Shqipërisë i ka njoftuar publikisht parimet e saj duke njoftuar se është e vetmja që mbron të drejtat personale dhe ato të qytetarisë. Qeveria jonë ka deklaruar bashkimin e saj me Aleancën e Madhe Anglo-Sovieto-Amerikane. Ushtria jonë jo vetëm ka çliruar vendin por gjithashtu ka luftuar kundër gjermanëve për llogari të aleancës në territoret e Jugosllavisë. Qeveria demokratike e Shqipërisë dëshiron të forcojë aleancën e madhe me bllokun anti-fashist dhe lidhjet miqësore mes popujve. Për të ruajtur, konsoliduar dhe forcuar lidhjet e miqësisë që lindën në luftën tonë të përbashkët kundër fashizmit, kam nderin të shpreh vullnetin e popullit shqiptar që Qeveria Demokratike e Shqipërisë të njihet nga aleatët e mëdhenj Anglo-Sovieto-Amerikanë dhe që përfaqësitë diplomatike të vendosen mes qeverive tona.

Pranoni përshëndetjet e mia të sinqerta, Enver Hoxha.

Ambasada britanike për Departamentin e Shtetit

Qeveria e Madhërisë së Tij mirëpret deklaratën e Departamentit të Shtetit për politikën në lidhje me Shqipërinë dhe ju njoftojmë se në përputhje me pikëpamjen e Departamentit, nuk do të japim njohjen për qeverinë e përkohshme të formuar në Berat. Ndërsa për të ardhmen qeveria pranon se njohja de jure do të jepet për çdo qeveri shqiptare që plotëson kushtet e vendosura nga Departamenti i Shtetit. Mbetet çështja e vendosjes së marrëdhënieve ditore me Frontin çlirimtar partizan të cilët kontrollojnë de facto vendin. Departamenti gjithsesi ka shprehur dëshirën për të vendosur kontakte me grupimin në fuqi me qëllim hapjen e një zyre në Tiranë me qëllim mbrojtjen e interesave amerikane dhe koordinimin e aktiviteteve mes përfaqësuesve dhe agjencive që mund të dërgohen në Shqipëri.

Qeveria britanike nga ana e saj e ka konsideruar këtë problem dhe ka arritur në konkluzionin se për njohjen e një qeverie në Shqipëri kursi më i mirë do të ishte tërheqja e oficerëve të ndërlidhjes që janë aktualisht prezentë në vend, dhe zëvendësimi i tyre me një mision ushtarak në selinë e udhëheqjes partizane. Janë hartuar plane për krijimin e një misioni të tillë të drejtuar nga një komandant aleat i Mesdheut, me detyra si mbledhja e informacioneve për tendencat politike të udhëheqjes së Shqipërisë, gjendjen ekonomike dhe financiare. Drejtuesi do të jetë në rang brigadieri, i cili do të asistohet nga Lejtnant Palmer (aktualisht ndërlidhësi britanik me udhëheqjen partizane) si dhe dy ose tre oficerë me eksperiencë në çështjet shqiptare. Supozohet se ndërlidhja ushtarake në Shqipëri (që aktualisht është e përbashkët anglo-amerikane) do të jetë e veçuar mes SHBA dhe Britanisë por do të bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën. Zhvillimet e fundit ushtarake në Shqipëri bëjnë të dëshirueshme hyrjen e misioneve tona sa më shpejt që është e mundur. Qeveria britanike propozon dërgimin e ekipit sapo të mbyllen marrëveshjet administrative. Qeveria jonë mirëpret gjithashtu çdo informacion nga Departamenti i Shtetit për planet e kontakteve me frontin partizan shqiptar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here