Lirimi i “Gjeneralit”, pezullohet drejtori i burgut të Drenovës, Ministria e Drejtësisë kërkon hetim ndaj gjyqtarit

0
526

Pa kaluar 24 orë nga lirimi i Gert Gjinararit nga Gjykata e Korçës, Ministria e Drejtësisë, në një dalje publike e ka quajtur këtë vendim skandal të drejtësisë shqiptare. Ministrja Etilda Gjonaj, në një deklaratë për mediat bëri me dije se drejtori i burgut të Drenovës dhe dy vartës së tij janë kallëzuar në prokurori për këtë rast. Deri në zbardhjen e ngjarjes këta zyrtare janë të pezulluar nga detyra. Drejtori i Burgut të Drenovës, Agron Tafaj, përgjegjësi i sektorit të këtij burgu dhe dy punonjës janë pezulluar nga detyra. Ky vendim vjen për shkak të lirimit me kusht në shkelje të ligjit të Gerti Gjinararit, i cili njihet ndryshe edhe si “Gjenerali”. Ministrja deklaroi se bazuar në një hetim paraprak, lirimi me kusht është bërë në shkelje të ligjit për një të dënuar me burgim të përjetshëm. Ministrja tha se i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoratit për të kërkuar nisjen e procedimit disiplinor për gjyqtarin, duke shprehur sigurinë se përgjigjja nga këto institucione do të jetë e shpejtë. Ndërkohë, drejtori i burgut është proceduar dhe janë referuar materialet pranë Prokurorisë Korçë, për veprën penale shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumenti, dhe deri në zbardhjen e ngjarjes janë të pezulluar nga detyra. Dy ditë më parë 45-vjeçari la qelitë e burgut të Drenovës duke fituar me kusht lirinë. Gjykata vendosi lirimin e tij më 14 shkurt por Prokuroria e mbajti edhe 48 orë të tjera në qeli, për shkak të gabimeve të konstatuara në vendimin e gjykatës. Pas korrigjimit të gabimeve, gjatë një seance të posaçme në Gjykatën e Shkallës së Parë, Prokuroria nxori urdhrin e ekzekutimit dhe pas kryerjes së procedurave administrative nga burgu i Drenovës, Gjinarari u la i lirë. Prokuroria e Korçës ka apeluar vendimin e gjykatës, që liroi me kusht 45-vjeçarin e dënuar me burgim të përjetshëm, për një vrasje të kryer në 1997 në Itali. Në vendimin e Gjykatës së Korçës thuhej se Gjinarari është plotësisht i rehabilituar dhe i gatshëm për tu riintegruar në shoqëri, duke argumentuar se një nga arsyet e dhënies së lirisë me kusht është edhe sjella e mirë që i dënuari ka pasur në burg.

Prokuroria apelon vendimin

Pas dhënies së vendimit për lirimin e Gert Gjinararit i menjëhershëm ka qenë reagimi i Prokurorisë së Korçës e cila tha se do ta apelonte vendimin për të dënuarin me burgim të përjetshëm, i njohur si pjesë e bandave të Tiranës të viteve 90’. Burime nga organi i akuzës së qytetit juglindorë bënë me dije për gazetën “Sot” se vendimi i gjykatës do të apelohet menjëherë pas zbardhjes së tij. Sipas organit të akuzës ky vendim ka shkelje të theksuar procedurale, pasi Kodi Penal i ndryshuar parashikon që të dënuarit me burgim të përjetshëm mund të përfitojnë lirim me kusht vetëm pasi kanë kryer 35 vjet burg. Gerd Gjinarari, ishte dënuar me burgim të përjetshëm në Itali në fillim të viteve 2000 për akuzën e vrasjes. Ai u gjet fajtor sëbashku me të tjerë persona, për vrasjen për hakmarrje të Naim Zyberit. Ai u transferua nga burgjet italiane në vitin 2014. Katër vjet pasi u transferua në Shqipëri ai ka kërkuar në Gjykatën e Korçës lirimin me kusht. Dhe pas rreth 10 seancash gjyqtari Markelian Kuqo ka pranuar kërkesën e tij. Në vendimin e shkurtuar gjyqtari thotë se në këtë rast ka rrethana të jashtëzakonshme që e lejojnë lirimin me kusht, por ato nuk bëhen me dije. “I dënuari Gerd Gjinarari vlerësohet se plotëson kërkesat substanciale të ligjit, për tu cilësuar si i rehabilituar”, thuhet në vendimin e gjykatës. Po aty gjykata vlerëson se ka bërë përpjekje për shuarjen e pasojave të veprave penale dhe se ka normalizuar plotësisht marrëdhëniet me trashëgimtarët e viktimave. Raportet nga burgjet për sjelljen e të dënuarit dhe raporti i shërbimit të provës në Korçë po ashtu kanë qenë pozitive. Gjykata thotë se ato kanë konkluduar se “Gjenerali” mund të riintegrohej në shoqëri. Sipas prokurorisë nëse vendimi nuk do apelohet rasti në fjalë mund të bëhej një precedent dhe sillte kërkesa të ngjashme nga të dënuar të tjerë. Gjinarari u dënua për “vrasjes me paramendim në rrethana rënduese në dy raste”, “mbajtjes së armëve luftarake”, “prodhimi dhe shitje të lëndëve narkotike në formën e organizimit e drejtimit të kësaj veprimtarie” dhe “kryerje e krimeve nga banda e armatosur”. Vendim ndaj tij mori formë të prerë në vitin 2001. Gert Gjinarari u dënua në Itali me burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit. Më 6 Gusht të vitit 1997, së bashku me mikun e tij Arben Grori, të veshur si mjekë, ai vrau në spitalin e Milanos Zyberin, i cili po trajtohej nga plagët e marra në një atentat po të kryer prej tyre. Gjinarari e kishte fshehur armën e krimit, një pistoletë, në një tufë me lule.

Elvis Myrta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here