Skandalet e inspektorëve të KLD, Këshilli i Lartë Gjyqësor nis verifikimet, ja si mbyllën sytë para aferave të gjyqtarëve

0
447

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur që të hetojë skandalet që kanë bërë ndër vite inspektorët e KLD. Gazeta e ka denoncuar disa herë rresht se si inspektorët kanë mbyllur sytë para aferave të gjyqtarëve në vend. Në çdo raport vjetor shihet qartë se si në gjykatat e vendit është shkelur ligji me të dyja këmbët, por inspektorët kanë marrë shumë rrallë masa ndaj gjyqtarëve. Me ligjin e vjetër, Kryeinspektori i KLD bënte inspektime në gjykata dhe atje ku kishte shkelje njoftohej Ministria e Drejtësisë, e cila kërkonte më pas shkarkim apo masë disiplinore. Por inspektorët gjatë gjithë viteve në detyrë dështuan totalisht. Ndaj tyre janë depozituar shumë ankesa në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe ky i fundit ka vendosur të ngrejë një komision të posaçëm, i cili do të verifikojë punën e inspektorëve, pasi shumë prej tyre nuk kanë marrë parasysh ankesat e qytetarëve ndaj gjyqtarëve. “Për të adresuar situatën e krijuar nga depozitimi i një numri të madh ankimesh kundër vendimeve të Kryeinspektorit të ish-KLD-së, për arkivimin e ankesës ose pushimin e hetimit ndaj një gjyqtari, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi ngritjen e Komisionit të Përkohshëm për Shqyrtimin e Ankimeve kundër Vendimeve të Kryeinspektorit të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë për Arkivimin e Ankimit ose Pushimin e Hetimit ndaj një Gjyqtari”, thuhet në vendimin që ka marrë dje KLGJ. Kjo do të thotë se skandalet e inspektorëve do të zbardhen.

Dështimi i inspektorëve

Sipas raporteve të KLD, inspektorët kanë anashkaluar shumicën e ankesave të qytetarëve dhe po ashtu shumicën e tyre i kalojnë me vërejtje. Sipas raporteve, në një vit ka rreth 850 ankesa nga qytetarët, por vetëm një përqindje e ulët e tyre merren parasysh. “Pas shqyrtimit paraprak të 840 ankesave të paraqitura, 212 prej tyre janë verifikuar (25.2 %), ndërsa 628 ankesa janë arkivuar. Duhet evidentuar se në çdo rast, për çdo vendim të ndërmjetëm apo përfundimtar të IKLD-së mbi ankesat (arkivimin e ankesës, fillimin e verifikimit, verifikimin në vijim apo rezultatet përfundimtare të verifikimit), ankuesi njoftohet me shkrim. Aktet e njoftimit janë përpiluar nga administrata e KLD-së (Sektori Juridik dhe i Dokumentacionit të Drejtorisë Juridike), të cilët kanë mbështetur vijimësisht IKLD-në në kryerjen e funksioneve”, thuhet në raport.

Bilanci i punës

KLD ka pasur13 inspektorë dhe ajo që bie në sy është se ata kanë pasur në dorë shumë raste për shqyrtim, por në fund kanë bërë verifikime për shumë pak dosje. Gjatë vitit 2015 Arjan Qafa ka marrë 5 raste në shqyrtim paraprak, por nuk ka pasur verifikime për asnjë. Izet Salaj ka marrë 140 raste në shqyrtim paraprak, por ka bërë verifikime për 57 raste. Marsela Pepi ka marrë 163 raste në shqyrtim paraprak, por ka bërë verifikime për 27 raste. Qemal Zaimi ka marrë 175 raste në shqyrtim paraprak, por ka bërë verifikime për 18 raste. Sofie Zhilla ka marrë 132 raste në shqyrtim paraprak, por bërë verifikime për 92 raste. Një bilanc të ngjashëm kanë dhe emra të tjerë, të cilat kanë marrë shumë çështje për shqyrtim, por në fund ka rezultuar se verifikim i plotë është bërë për një numër të ulët. Përgjatë periudhës 01.01.2015 – 31.12.2015 numri i ankesave të paraqitura nga qytetarët është 840, nga të cilat 791 ankesa janë paraqitur nëpërmjet shërbimit postar apo fizikisht nga ankuesit, 24 ankesa janë paraqitur në sistemin online të ankesave dhe 25 ankesa nëpërmjet postës elektronike. Pas shqyrtimit paraprak të 840 ankesave të paraqitura, 212 prej tyre janë verifikuar (25.2 %), ndërsa 628 ankesa janë arkivuar./Kliti TOPALLI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here