Shpërthen skandali, 19 deputetë, ministra e kryetarë bashkie kanë fshehur pasuritë, ILDKP angazhon prokurorinë dhe Drejtorinë e Pastrimit të Parave

    0
    425

    Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ka zbuluar se plot 19 deputetë, ministra dhe kryetarë bashkie kanë fshehur pasurinë. Deri në vitin 2016 ILDKP jepte të dhëna për çdo kallëzim dhe masë administrative përmes deklaratave të shtypit, por që kur u ndryshua ligji për ruajtjen e të dhënave personale, situata ka ndryshuar. Shifrat publikohen vetëm në raportet vjetore, por pa specifikuar se cilat janë kategoritë e zyrtarëve të gjetur me shkelje. Për këtë arsye, gazeta ju drejtua me një shkresë ILDKP, për të kërkuar informacion nëse gjatë viteve të fundit ka pasur apo jo kallëzime penale dhe masa administrative ndaj ministrave, krerëve të bashkive dhe deputetëve. ILDKP ka bërë me dije se gjatë 4 viteve të fundit, pra 2014-2018 janë 19 deputetë, ministra e krerë bashkish që janë gjetur me fshehje pasurie. Për këtë arsye për ta ka pasur kallëzime penale, por dhe është vënë në lëvizje Drejtoria e Pastrimit të Parave. “Inspektorati i Lartë, gjatë periudhës 2014 – 2018 ka referuar pranë Institucionit të Prokurorisë, strukturave të Hetimit Tatimor dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, 290 subjekte, në të cilët janë përfshirë zyrtarë të të gjitha kategorive dhe niveleve, si Deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Kryetar Bashkie, Ambasadorë, Prefektë, Drejtorë të Përgjithshëm, Gjyqtarë, Prokurorë, Drejtorë Drejtorie etj. Nga këto, për funksionet Deputetë, Ministër, Kryetar Bashkie, janë gjithsej 19 referime”, thuhet në shkresën e ILDKP për gazetën “SOT’. Gazeta kërkoi dhe emrat e të kallëzuarve, por ILDKP bëri të ditur se ligji për mbrojtjen e të dhënave personale e ndalon diçka të tillë.

    Masat administrative

    Më tej bëhet e ditur se janë gjobitur plot 39 krerë bashkish, ministra e deputetë, pasi kanë refuzuar të deklarojnë pasurinë. Në total në 4 vite janë vendosur 1765 gjoba. “Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, në zbatim të nenit 44 të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar dhe nenit 40, të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, ka aplikuar masën administrative “gjobë”, për rastet e refuzimeve për deklarim, si dhe për rastet e mosdeklarimeve dhe/apo për çështje të konfliktit të interesave. Zyrtarët e ndëshkuar me masë administrative, gjobë, për periudhën 2014 – shtator 2018 janë në total 1.765 masa administrative. Nga këto, masa administrative për funksionin Deputet, Ministër, Kryetar Bashkie janë 39 në total”, thuhet në dokument.

    Dështimi i prokurorisë

    Në përgjigjen që ILDKP ka dhënë për gazetën, tregohet se janë bërë plot 19 kallëzime penale për zyrtarët e lartë. Një pjesë janë bërë gjatë viteve 2014-2016, ndërsa pjesa tjetër gjatë dy viteve të fundit. Por pyetja që shtrohet është: Pse sot nuk kemi asnjë prej tyre para gjykatave dhe të dënuar? Jo zyrtarisht gazeta ka mësuar nga ILDKP se i gjithë problemi është te prokuroria. Vetë kreu i saj Shkëlqim Ganaj e ka deklaruar disa herë në komisionet parlamentare se prokuroria nuk i merr parasysh referimet e ILDKP. Shifrat tregojnë qartë se kemi të bëjmë me një skandal, pasi janë 19 emra që sot drejtojnë shtetin, por edhe pse kanë fshehur pasuritë, nuk përballen me ligjin. Por absurdi tjetër është se është bllokuar publikimi i emrave. Deputetët, ministrat e krerët e bashkive janë zgjedhur nga populli dhe të gjithë duhet të janë transparentë. Por edhe pse kanë kryer një krim, identiteti i tyre mbahet i fshehtë./ Klti TOPALLI

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here