Zbulohet rezoluta për ILDKP, Ganaj akses në TIMS për të kontrolluar lëvizjet e pushtetarëve, deputetët në skaner për konflikt interesi

    0
    484

    Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive do të shtojë kontrollet ndaj pushtetarëve shqiptarë. Për herë të parë ky institucion pritet të ketë akses në sistemin TIMS për të kontrolluar hyrje-daljet e zyrtarëve, të cilët dyshohen që kanë fshehur pasuri jashtë vendit. Deri më tani ka pasur shumë raste ku dyshohet që individë të caktuar kanë nxjerrë para në pika kufitare dhe ILDKP nuk ka bërë dot mbledhje të fakteve sepse nuk ka të dhëna në sistemin TIMS. Këtë të drejtë ja kalonte prokurorisë. Por duket se shumë shpejt kjo do zgjidhet, pasi Kuvendi përmes një rezolute që ka hartuar për ILDKP, e cila do miratohet sot, ka dhënë të drejtën që ILDKP të ketë akses në këtë sistem. “Kuvendi dhe Qeveria (Këshilli i Ministrave) të mundësojnë sigurimin e aksesit të ILDKPKI në Sistemin TIMS, si një ndër instrumentet e kontrollit që ndikojnë në rezultatet e hetimit të zyrtarëve subjekt të deklarimit të pasurive dhe interesave privatë”, thuhet në dokument. Kohët fundit është vënë re se ka një përplasje mes ILDKP dhe komisionit të vetingut, pasi shumë emra që kanë dalë të pastër nga institucioni që drejton Ganaj, janë shkarkuar nga KPK. Por gjithë problemi ka çaluar te sistemi TIMS, pasi ILDKP nuk ka akses. Vetë Ganaj kur raportoi në Komisionin e Ligjeve për raportin vjetor tha se kjo bllokon punën, pasi nuk verifikohen të dhënat jashtë shtetit. Por një tjetër përcaktim në rezolutë është se do rriten verifikimet ndaj deputetëve sa i takon konfliktit të interesave. “Kuvendi dhe ILDKPKI të bashkëpunojnë gjatë vitit 2018 për zbatimin e duhur të Kodit të

    Sjelljes së deputetëve të miratuar më vendim të Kuvendit Nr. 61/2018 duke siguruar këshillim, trajnim dhe udhëzime lidhur me mënyrat e trajtimit të konfliktit të interesit të deputetëve gjatë ushtrimit të funksionit të tyre kushtetues”, thuhet në porositë e Kuvendit për ILDKP. Ndër të tjerë nga Komisioni i Ligjeve kërkohet që Kuvendi dhe qeveria të mbështesë institucionin me financime të nevojshme për sigurimin e qëndrueshmërisë së sistemit elektronik, të deklarimit të interesave privatë me qëllim rritjen e efikasitetit në plotësimin, administrimin, kontrollin e pasurive, detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë, si dhe publikimin e të dhënave në deklaratat e interesave privatë për konsultim nga publiku, media dhe shoqëria civile apo çdo palë tjetër të interesuar.

    Vetingu dhe bashkëpunimi ndërkombëtar

    Në rezolutën e Kuvendit për ILDKP i është kushtuar një rëndësi e madhe dhe reformës në drejtësi. Këtij institucioni i është kërkuar që të vijojë bashkëpunimin me KPK dhe ONM për verifikimin e pasurisë së gjyqtarëve dhe të prokurorëve. “Kuvendi i Shqipërisë, për vitin 2018, kërkon nga ILDKPKI të ketë në fokus të punës së tij: Vendosmëri në luftën kundër korrupsionit, duke garantuar me prioritet vijueshmërinë e zbatimit të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (veting-un) në hartimin dhe dërgimin pranë institucioneve të rivlerësimit dhe ONM, të dokumentacionit të plotë, së bashku me raportet e hollësishme dhe të arsyetuara sipas konkluzioneve të kërkuara nga neni 33 i ligjit nr. 84/2016”, thuhet në rezolutë. Po ashtu kërkohet forcimi i marrëdhënieve bashkëpunuese me partnerët ndërkombëtarë, në përmbushje të angazhimeve të marra në kuadër të projekteve të përbashkëta, të cilat synojnë përmirësimin e sistemit aktual për plotësimin, administrimin dhe kontrollin e formularëve të deklarimit, me qëllim rritjen e efiçencës dhe cilësisë së punës të Inspektoratit të Lartë, duke përfunduar ngritjen dhe vënien në funksionim të sistemit elektronik të deklarimit e publikimit të deklaratave të interesave privatë.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here