Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit u rreshtua këtë vit krah përkrah me teatrot e tjerë botërorë, që këtë vit ia kanë dedikuar kompozitorit të madh italian, Giacomo Puccini-t. Orkestra dhe solistët e TKOB ishin në vendlindjen e kompozitorit Giacomo Puccini për të përmbyllur “Vitin Puccinian”. Në ditën që shënoi 100-vjetorin e ndarjes nga jeta të kompozitorit legjendar Giacomo Puccini, orkestra dhe solistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit përmbyllën “Vitin Puccinian” me një performancë në Torre del Lago, në kuadër të festivalit të njohur ndërkombëtarisht, “Festival Puccini”.
Gjatë këtij viti, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit iu bashkua skenave të botës, duke i dedikuar një kalendar të plotë artistik veprave më të njohura të mjeshtrit, si “Madama Butterfly,” “La Boheme,” “Il Trittico,” “Tosca,” si dhe koncerte të dedikuara simfonike, duke sjellë emocion për publikun shqiptar. “Në këtë përvjetor historik, orkestra interpreton në shtëpinë e Puccini-t “Messa di Gloria,” një nga veprat më madhështore të Puccinit, e cila vjen nga orkestra e TKOBAP-së dhe kori i “Festival Puccini,” nën dirigjimin e Toufic Maatouk, me solistët Raffaele Abete, Armando Likaj dhe Bledar Domi.
Muzika e Puccinit, që vazhdon të prekë zemrat e miliona artdashësve në mbarë botën, merr jetë në vendlindjen e tij, duke përçuar mesazhin e përjetshëm të artit dhe emocioneve të pastra”, thuhej më herët nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, për koncertin që u zhvillua më 29 nëntor. Giacomo Puccini ( Xhakomo Puçini), lindi më 22 dhjetor 1858 dhe vdiq më 29 nëntor 1924. Mendohet si një nga kompozitorët më të mëdhenj operistikë të fundshekullit të 19-të dhe të fillimshekullit të 20-të.