Poema “Imazhe digjitale” e Nestor Krajës premierë botërore, koncerti i Orkestrës së RTSH drejtohet nga Ermir Krantja

0
15

Nga Julia Vrapi

Poema “Imazhe digjitale” premierë botërore në koncertin e Orkestrës Simfonike të RTSH. Koncerti mbrëmjen e së premtes sjell veprën e kompozitorit Nestor Kraja, por pjesë janë dhe vepra të autorëve të tjerë botërorë. Në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë do të mbahet koncerti i Orkestrës Simfonike të RTSH-së, që vjen drejtuar nga mjeshtri i dirigjimit Ermir Krantja. Përveç simfonisë nr. 2 të Aleksandër Borodinit premierë në vendin tonë, si edhe disa arieve të kompozitorit Giacomo Puccini, për nder të përvjetorit të tij do të ekzekutohet dhe poema “Imazhe digjitale” e kompozitorit Nestor Kraja (premierë botërore). Edhe më parë në jetën artistike në vend janë ekzekutuar veprat të kompozitorit Nestor Kraja, ku këtë herë do të jetë koncerti i Orkestrës Simfonike të RTSH që e sjell premierë botërore. Koncerti do të zhvillohet edhe me pjesëmarrjen e sopranos Besa Llugiqi.

Ermir Krantja është dirigjent me kontribut të madh në fushën e dirigjimit përkrah orkestrave tona më të rëndësishme, asaj të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit e Orkestrës Simfonike të Radio -Televizionit Shqiptar. Dirigjenti Ermir Krantja ka bashkëpunuar edhe me Orkestrën Simfonike të Çekisë (Pragës), atë të Radio-Televizionit të Prishtinës (Kosovë), Orkestrën “Nova Amadeus” (Romë), Filarmoninë e Shkupit dhe të Orkestrës e Teatrit të Operas të Maqedonisë së Veriut, të Ankarasë në Turqi, të Leces në Itali, të asaj në Kaliforni, të Barit “la Camerata G. Paisiello”, me Filarmoninë e Kosovës, të dhomës në Pulia e Bazilikata, me Orkestrën e Sofias në Bullgari, etj.

Përse titulli “Imazhe digjitale”?

Kompozitori dhe pedagogu i Universitetit të Arteve në Tiranë profesor Nestor Kraja përmes një materiali të tij për poemën “Imazhe digjitale” tregon se aty paraqiten dy tema që janë kryesore. “Krijuesi vëzhgon, se si jeta jonizohet gradualisht me digjitalizimin, i cili përveç aspekteve pozitive, ka hyrë dhe në jetën tonë përmes falsitetit reklamativ, zbukurimit të shfaqjes së realitetit, shtirjes. Në vepër paraqiten dy tema kryesore dhe një episod i zgjeruar të cilët tentojnë të krijojnë dramën e kohës”, shprehet kompozitori Nestor Kraja. Tema e parë energjike, e vrullshme, madhështore kornizohet nga një material i përbërë nga katër akorde të quajtura “Tablotë digjitale” i lë vendin temës së dytë, sipas tij lirike, elegante, kantabile, personifikim dashurinë njerëzore, jetës së vërtetë dhe të bukur plot shqetësime të ëmbla. Ajo zhvillohet gradualisht deri në një himn për dashurinë.

Episodi tregon kompozitori i njohur Nestor Kraja, pikturon jetën me misteriozitetin e saj, me frymën mistike të të kuptuarit e ndryshëm të saj, herë me karakter vallëzues e herë të trembur apo të trishtë, ku gërshetohen imazhe sa poetike aq dhe digjitale. “Loja e këtyre “personazheve” zbulon brenda trajektores së zhvillimit të tyre atë mesazh që kompozitori kërkon të paraqesë si shqetësim, aprovim apo kundërshtim të filozofisë së kohës. Vepra mbyllet me temën e dytë e cila arrin në zhvillimin e vet tingujt më të lartë të sublimitetit eterik”, shprehet prof. Nestor Kraja. Përveç aspektit krijues dhe veprat e interpretuara në rajon si dhe Gjermani, Itali, Austri, etj, profesor Nestor Kraja shquhet edhe me aktivitetin e tij shkencor, hulumtues dhe organizativ.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here