Saimir Pirgu: Cavaradossi në operën “Tosca” një nga rolet më të vështirë, por dhe më të bukur

0
33

Tenori shqiptar me famë ndërkombëtare Saimir Pirgu rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit pas 13 vitesh mungesë. Tenori do të ngjitet në skenë për operën “Tosca” vepër e kompozitorit Giacomo Puccini me rolin e Mario Cavaradossi-t. Në intervistën për gazetën “SOT” tenori i mirënjohur shqiptar, që prej vitesh vazhdon të shkëlqejë në skenat teatrore më të rëndësishme botërore thotë se roli në operën “Tosca” është një nga më të vështirët, por dhe më të bukurit. Por sa i takon mungesës prej më shumë se dhjetë vitesh në skenën e TKOB ai thotë se tashmë është kudo në çdo teatër dhe bëhet pak e vështirë ardhja e tij në teatrin tonë, sepse kalendarët artistikë jashtë bëhen shumë me kohë më përpara.

Tenori Saimir Pirgu rikthehet këtë tetor në skenën e TKOB, ndërkohë që sjell për publikun edhe albumin e tij të fundit me 20 arie me titull “Saimir”. Për këtë album tenori tregon se do të vijojë një tur nëpër disa shtete, por për herë të parë ai do të jetë dhe në Kosovë. Vlerësuar për autoritetin dramatik dhe skenik të interpretimeve të tij, tenori Saimir Pirgu është cituar në shtypin ndërkombëtar si një nga zërat më të bukur që mund të dëgjohen sot dhe si një nga interpretuesit më të rëndësishme botërorë të roleve të tenorit lirik, etj. Me një aktivitet shumë të vlerësuar nga kritika dhe publiku, në çmimet që ka marrë tenori Saimir Pirgu përmendim edhe çmimin prestigjioz “Pavaroti D’Oro” (Pavaroti i Artë). Shfaqjen operistike “Tosca” në TKOB publiku do të ketë mundësi ta ndjekë për katër net, duke filluar nga data 6 nëntor.

-Pas 13 vitesh rikthim në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, ku në skenë do të ngjiteni për operën “Tosca” vepër nga Giacomo Puccini në rolin e Mario Cavaradoss-it. Ju e quani këtë si një nga rolet më të bukur që keni interpretuar, si tenor çfarë mund të na thoni më shumë?

Unë kam pritur një 15 vjeçar për të debutuar këtë rol, Cavaradossin. Është një nga rolet më të vështirë që ekziston dhe një nga rolet më të bukur, nga më të famshmit. Kjo e ka bërë, që unë të merrja kohë për ti dedikuar rolit aftësitë e mia. Vij me një ndryshim vokal tashmë, sepse për këtë lloj repertori do një pjekuri vokale tjetër dhe jam munduar gjithmonë që ti bëj gjërat në kohën e duhur me aq sa kam mundur.

Nga suksesi që pati në Romë herën e fundit mendoj se jam në një rrugë të mirë për të mbajtur këtë rol më gjatë në karrierën time. Është rol nga më të bukurit, me dramacitet, me mundësi aktrimi, me mundësi depërtimi për publikun, me arie të famshme. Një artist i ka të gjitha alternativat për të shprehur vetveten.

-Pse kjo mungesë 13 vjeçare në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit?

Është e vështirë. Por jo se nuk kam qenë i ftuar më përpara nga të gjithë. Janë përpjekur, kemi arritur, por nuk është kaq e kollajshme. Unë tashmë jam kudo në çdo teatër dhe bëhet pak e vështirë ardhja ime, sepse kalendarët bëhen shumë me kohë më përpara, ndërsa Shqipëria dhe teatrot e tjerë pak më minore e kanë më të vështirë, sepse buxhetin e shtetit e marrin një vit përpara dhe ekonomitë dihen. Por prioriteti i Shqipërisë nuk është opera, kështu që ç’të bëj? Jam këngëtar opere, kjo është e vërteta. Megjithatë artistët janë pritur, por unë nuk jam dasmaxhi, por jam këngëtar opere. Nuk mund të vij të këndoj koncerte me mikrofon. Unë dua të këndoj në teatër. Falë Zotit teatri u restaurua dhe besoj që ne tani do vijmë pak më shpesh.

-Përmendët rikonstruksionin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Si e shikoni ndryshimin që ka pësuar teatri?

Unë ende nuk kam kënduar këtu. Kam bërë vetëm një provë dhe është shumë më mirë se sa ka qenë, por do parë dhe pak më tepër dhe do ta shikoj këto ditë.

-Ju gjatë konferencës ndër të tjera u shprehët dhe për rëndësinë e jetës artistike, shfaqjet e teatrit, etj. Ne kemi vetëm Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, çfarë duhet të përfaqësojë në jetën artistike?

Ajo që desha të thoja është që duke qenë Shqipëria kryeqyteti i shqipfolësve dhe Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit është institucioni kryesor që ne kemi dhe nuk kemi të tjerë, mbase do të ishte mirë që të mendohej pak më gjerë edhe me bashkëpunimet e tjera. Por kjo kërkon bisedime nga ata njerëz që kanë kulturën në dorë, të krijohen bashkëpunimet si me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut ku ka teatro shqiptare dhe pse jo mos të ketë Durrësi apo dhe Korça apo Elbasani. Po e them me dëshirën time këtë, sepse e di që kjo do shumë punë, do dedikim, do resurse dhe siç e thashë prioriteti nuk është ky.

Por një ditë kushdo që do ketë institucionet e kulturës do duhet të mendojë për një plan më të përgjithshëm, me një plan më qëndrues dhe me një plan që ti dedikohet jetës së qytetit apo dhe të Shqipërisë. Ne kemi një fluks të madh turistësh dhe ata duan edhe të argëtohen. Pse jo mos të shkojnë nëpër festivale apo dhe në Opera? Ne i kemi mundësitë. Kemi instrumentistë dhe këngëtarë nga më të shkëlqyerit, që këndojnë edhe nëpër teatrot e botës.

-Me këtë rikthim pas 13 vitesh në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit për operën e Puçinit “Tosca” ju sillni për publikun dhe albumin tuaj më të fundit me 20 arie operistike me titull “Saimir” të regjistruar në një prej shtëpive diskografike prestigjioze. Çfarë keni përzgjedhur si pjesë të tij?

Në albumin tim janë ariet më të bukura të repertorit të verizëm, të seleksionuara në disa gjuhë të botës. Është një udhëtim që kam bërë nëpërmjet muzikës nëpër teatrot më kryesorë që unë kam kënduar dhe kam zgjedhur për çdo shtet një arie. Këndoj ariet e “Carmen” për frankofonistët, për rusët kam Çajkovskin, etj, për shqiptarët kam arien e Lekës te opera “Skënderbeu” të Prenkë Jakovës.

Është një homazh që unë i kam bërë vendit tim dhe jam krenar për këtë. Shtëpia diskografike e pranoi me dëshirën më të madhe dhe kritika është bazuar më tepër tek kjo arie, sepse për ta ishte një gjë e re që nuk e kishin dëgjuar ndonjëherë dhe ishin kurioz që të dëgjonin muzikën shqiptare.

-Në tetor albumi juaj u prezantua në Vjenë. Si do vijojë turi juaj për albumin?

Është bërë prezantimi i albumit në datën 26 tetor në Vjenë dhe do të vijojë në disa shtete, duke filluar nga Tirana. Do të jem në Pragë, në Barcelonë, Londër, etj, janë 11 data për albumin. Në këtë rast, në Tiranë unë vija me operën “Tosca”. Brenda në album janë të dyja ariet më të famshme të “Tosca”-s. Por unë do të vete për herë të parë në jetën time edhe në Kosovë, ku në datën10 dhjetor bëhet një koncert me Operën e Kosovës.

Intervistoi: Julia Vrapi

“Tosca” në skenë

Opera “Tosca” vjen në TKOB në vijim dhe të atyre më parë, që janë shkruar nga kompozitori italian Giacomo Puccini. Më shumë se një opera, “Tosca” është një udhëtim mes pasionit, xhelozisë dhe sakrificës. E vendosur në Romën e shekullit XIX, historia e operës “Tosca” na fton të eksplorojmë marrëdhënien komplekse mes një këngëtareje pasionante, një artisti idealist dhe një shefi policie sadist. Kjo histori e jashtëzakonshme, ndër notat magjike të Puccinit rikthen pas 13 vitesh mungesë në skenën e TKOB-së tenorin shqiptar me famë ndërkombëtare Saimir Pirgu krah të cilit do të performojë dhe të tjerë artistë të njohur. Në TKOB vepra vjen me regji nga Manu Lalli, dirigjent Jacopo Sipari di Pescasseroli. “Tosca” është opera në tre akte e kompozitorit italian Puccini me libret nga Luigi Illica dhe Giuseppe Giacosa. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në muajt e parë të vitit bëri me dije se është rreshtuar krah për krah me teatrot botërorë, që vitin 2024 ia kanë dedikuar kompozitorit të madh, Giacomo Puccini (Xhakomo Puçini). Në 100- vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, në skenën e TKOB-së janë ngjitur veprat kryesore të tij, por kjo edhe falë bashkëpunimit me “Fondazione Festival Pucciniano” në Itali.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here