Gërmimet shqiptaro-franceze në Forumin Bizantin, të dhëna me interes për arkeologjinë

0
349

Gërmimet arkeologjike shqiptaro-franceze në Durrës që po realizohen në Forumin Bizantin dhe pranë kishës katolike të Shën Luçias, po nxjerrin të dhëna me interes. Akademia e Studimeve Albanologjike shprehet në faqen e saj se udhëheqësi i këtyre kërkimeve, arkeologu Eduard Shehi njofton se pranë kishës së Shën Luçias po dalin në dritë mure të antikitetit të vonë me disa faza ndërtimore. “Ndërsa në Forumin Bizantin janë evidentuar disa nivele shkatërrimesh me djegie masive të fundit të shek.III dhe fillimi i shek.IV. Siç e tregojnë edhe fotot, në Forumin Bizantin, arkeologët kanë hasur nivele banimi dhe ripërdorimi të territorit përgjatë antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme”, thuhet nga ASA. Akademia e Studimeve Albanologjike vijon më tej se qëllimi i kësaj fushate gërmimesh mbi topografinë e Epidamne-Dyrrahionit, mbetet zbulimi i fazave më të hershme të përdorimit të territorit në këto dy pika të rëndësishme të qytetit. Në mesin e monumenteve kulturore, vend të rëndësishëm zë edhe Forumi Bizantin në Durrës. Forumi Bizantin ka qenë qendra romake bizantine e qytetit të vjetër, i cili quhej Dyrrah. Ai zinte pozicion qendror në raport me ndërtimet e mëdha publike e fetare të periudhës bizantine.  I përket shekujve të V-të dhe të VI-të pas Krishtit. Në qendër të Forumit Bizantin ka një podium dhe pus, mbi një shtroje pllakash mermeri që mbulojnë dyshemenë, deri pranë kolonadës me një perimetër 40 m. I zbukuruar me kolona e me pllaka të mëdha prej mermeri, paraqitja arkitekturore e tij dëshmon funksionin e një sheshi që kryente kryesisht funksionin e një tregu. Konstruksion i objektit shquhej si një nga më të fortët në të gjithë zonën e Ballkanit. Forumi është pjesë e një kompleksi të gjerë ndërtimesh e zbukuruar me kolona mermeri dhe me dysheme të veshur me pllaka të mëdha mermeri. Për shkak të vlerave kulturore që përmban Forumi i Bizantin,  ka hyrë thuajse në të gjitha guidat turistike të vendit tonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here