Qeveria i heq Prokurorit të Përgjithshëm kompetencat mbi Policinë Ushtarake dhe forcon rolin e ministrit të Mbrojtjes, zbardhen ndryshimet në ligj

0
180

Qeveria ka hequr rolin e Prokurorit të Përgjithshëm tek Policia Ushtarake. Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë për konsultim ndryshimet e reja ligjore, ku mes shumë ndryshimeve bie në sy heqja e kompetencave të Prokurorit të Përgjithshëm. Në ligjin aktual, çdo udhëzim, rregull dhe akt bëhet me bashkëpunim mes ministrit të Mbrojtjes dhe Prokurorit të Përgjithshëm, por me ligjin e ri kjo kompetencë i kalon ministrit të Mbrojtjes. Në relacion kërkohet të ndryshohet togfjalëshi me “udhëzim të përbashkët mes ministrit të Mbrojtjes dhe Prokurorit të Përgjithshëm”, në “me udhëzim të ministrit të Mbrojtjes” duke i hequr kështu kompetencat kryeprokurorit. “Në nenin 5, propozohet të bëhet ndryshimi në pikën 3, të nenit 18, me përmbajtje si vijon : fjalët “..me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Mbrojtjes dhe Prokurorit të Përgjithshëm…” zëvendësohen me fjalët “…me udhëzim të ministrit të Mbrojtjes…”, thuhet në relacion. Ndërkohë, në ligjin aktual parashikohet se rregullat dhe aktet miratohen me udhëzim të përbashkët nga Prokurori i Përgjithshëm dhe ministri i Mbrojtjes. “Rregullat për realizimin dhe kontrollin e veprimtarisë informative, si dhe për ruajtjen e të dhënave miratohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Mbrojtjes dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Procedurat e bashkëpunimit me individë miratohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Mbrojtjes dhe Prokurorit të Përgjithshëm”, thuhet në nen.

Ndryshimet ligjore

Ndërkohë, në relacion thuhet se këto ndryshime kërkohen pasi i gjithë informacioni i përfituar dhe aktiviteti operacional është pjesë e një cikli që zhvillohet dhe konsumohet brenda aktivitetit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura dhe për këtë i hiqet kompetenca Kryeprokurorit dhe i ngelet vetëm ministrit të Mbrojtjes. “Megjithëse ligji është miratuar në vitin 2015, dispozita aktuale asnjëherë nuk është miratuar akti i përbashkët midis ministrit të Mbrojtjes dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Kjo situatë sjell mangësi në administrimin dhe dokumentimin ligjor të veprimtarisë informative. Gjithashtu, në vlerësimin tonë, nisur për nga karakteri ushtarak, sensitiviteti dhe cikli informativ që kryhet në bazë të kësaj veprimtarie i gjithë informacioni i përfituar dhe aktiviteti operacional janë pjesë e një cikli që zhvillohet dhe konsumohet brenda aktivitetit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura dhe për ketë arsye nuk ka vend për kërkesë për miratim nga Prokurori i Përgjithshëm”, thuhet në relacion. Ndërkohë, në relacion ndër të tjera, theksohet se nenin 6 propozohet që të ndryshohet togfjalëshi nga me udhëzim të përbashkët mes ministrit të Mbrojtjes dhe Prokurorit të Përgjithshëm në, me udhëzim të ministrit të Mbrojtjes duke i hequr kështu kompetencat Prokurorit të Përgjithshëm. “Në nenin 6, propozohet të bëhet ndryshimi në pikën 3, të nenit 20, me këtë përmbajtje: fjalët “miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Mbrojtjes dhe Prokurorit të Përgjithshëm” zëvendësohen me fjalët “… me udhëzim të Ministrit të Mbrojtjes””, thuhet në relacion.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here