Gjyqtari i Tiranës, Kreshnik Omari u shkarkua nga detyra më 6 korrik, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti mungesa të mëdha financiare për justifikimin e pasurive të tij dhe të prindërve, ndërsa u ngritën dyshime se një pjesë e këtyre të fundit mund të ishin prona të fshehura në emër të subjektit. Pretendimet e Omarit se kishte fituar të ardhura të konsiderueshme nga puna si kamionist në emigrim dhe se prindërit kishin ushtruar profesionet e tyre edhe pas daljes në pension, duke krijuar të ardhura të mjaftueshme për blerjen e pronave, u konsideruan më së shumti në nivel deklarativ. Sipas “BIRN”, megjithëse Omari ka pretenduar se nuk kishte pasur asnjë lidhje me pasuritë e prindërve, KPK konstaton se ai ka jetuar së bashku me ta dhe se ka interesa të drejtpërdrejta në disa prej pronave dhe likuiditeteve të zotëruara prej tyre në cilësinë e trashëgimtarit, e për rrjedhojë i ka konsideruar si persona të tjerë të lidhur. Komisioni vendosi të përfundojë hetimin administrativ vetëm për kriterin e pasurisë, duke e rrëzuar kërkesën e subjektit për çeljen e hetimit për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Në vendimin e arsyetuar, trupa gjyqësore thotë se Omari nuk ka qenë bashkëpunues dhe në disa raste, nuk ka dhënë shpjegime dhe nuk ka dorëzuar dokumentacion për gjetjet e hetimit administrativ. Për krijimin e një depozite bankare në shumë 135 mijë euro në vitin 2015, Omari ka deklaruar si burime krijimi të ardhurat nga puna për 5 vjet si emigrant në Itali në periudhën 1991-1995; të ardhurat si avokat për periudhën 1995 -1997; të ardhurat nga puna si gjyqtar nga viti 1997 deri aktualisht; të ardhurat e ish-bashkëshortes si avokate në periudhën 2003 – 2011 dhe si notere në periudhën 2011- 2012 dhe trashëgimi nga i ati. Një pjesë e gjendjes cash ishte trashëguar nga viti 2003, kur Omari kishte deklaruar 97 mijë euro nga puna si emigrant, avokat dhe më pas si gjyqtar. Megjithëse Omari ka dorëzuar dokumentacion për të provuar të ardhurat e përfituara nga puna si kamionist në Itali, sipas KPK ai ka arritur të justifikojë me dokumentacion ligjor vetëm shumën 76 milionë lireta, ekuivalent i shumës 39 mijë e 283 euro.