SPAK dhe Pastrimi i Parave në kërkim të pasurive të pushtetarëve jashtë vendit, 91 persona në skaner, 7 të përfshirë në korrupsion

0
296

Rreth 90 persona po hetohen për pastrim të parave dhe fshehje të pasurisë jashtë vendit. Pas vitit 1997, miliona euro kanë dalë jashtë vendit dhe shumë grupe kriminale dhe zyrtarë të lartë kanë bërë transferta të vazhdueshme në shtete të ndryshme të botës. Sipas raportit të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave janë dërguar 91 kërkesa jashtë vendit për dyshime se pastrohen para nga grupe kriminale shqiptare dhe zyrtarë të korruptuar. Ndërkohë nga shtetet partnere ka pasur 113 kërkesa për dyshime se bëhet pastrim parash në vendin tonë. Ndërkohë, edhe SPAK është duke bërë të njëjtën gjë sa i përket hetimit të pastrimit të parave jashtë vendit. Në një raport të SPAK, bëhet me dije se lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për kryerjen e veprimeve hetimore apo verifikimeve jashtë Shqipërisë janë përpiluar për vitin 2020 nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme 41 kërkesa për ndihmë të ndërsjellët juridike drejtuar autoriteteve gjyqësore të huaja. Në raport bëhet me dije, se nga këto 41 kërkesa janë rreth 7 kërkesa të cilat lidhen me hetime për shpërdorim detyre e korrupsion. “7 kërkesa, ose 9.75 % janë në lidhje me hetime në fushën e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e lidhur me subjektet e Prokurorisë së Posaçme, “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”, “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë“, “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”, parashikuar nga nenet 248, 244, 258, 319, 319/ç, 258, 260 të Kodit Penal”, thuhet në raport.

Bashkëpunimi brenda vendit

Në raportin vjetor të Drejtorisë së Pastrimit të Parave bëhet me dije se bashkëpunim ka pasur dhe me autoritete vendase. Sipas tij, gjatë vitit 2020 janë trajtuar në total rreth 371 kërkesa për informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për rreth 2 mijë persona për hetim të pasurisë dhe pastrim të parave. Po ashtu, në raport theksohet se kërkesa të shumta janë dërguar pranë kësaj drejtorie edhe nga prokurori të ndryshme. “Gjatë vitit 2020, janë trajtuar 371 kërkesa për informacion të ardhura nga DPPSH me të cilat është kërkuar informacion për 2,506 persona. Nga prokurori të ndryshme janë dërguar 309 kërkesa për informacion, me të cilat janë kërkuar të dhëna për 2,451 persona për të cilët DPPPP ka kryer verifikime dhe ka informuar në kohë këto institucione. DPPPP, gjatë vitit 2020 ka vijuar bashkëpunim intensiv me OFL (Operacioni Forca e Ligjit) duke kthyer përgjigje me prioritet për 990 kërkesa të ardhura, me të cilat është kërkuar informacion për 5,302 persona. Gjithashtu, pjesë e rëndësishme e punës së DPPPP vijon te jetë shkëmbimi i informacionit me institucionet e tjera si: KJV, KPK, BSH, DSIK, AMF etj., në kuadër të kthimit të përgjigjeve ndaj kërkesave të tyre, edhe pse në kushtet e vështira të pandemisë dhe me personel të reduktuar, DPPPP është impenjuar maksimalisht për të respektuar afatet ligjore të kthimit të përgjigjeve për këto institucione”, thuhet në raport.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here