Zgjedhjet e 25 prillit pritet të sjellin një betejë të fortë politike në disa qarqe të vendit. PD synon përmbysjen, ndërsa PS kërkon mandatin e tretë. Janë disa qarqe në vend që mund të vulosin fituesin, ndërkohë që një betejë të fortë do të ketë mes PS dhe PD për të përfituar nga zonat ku është dobët LSI. Gazeta pak ditë më parë bëri një projeksion mbi mandatet që mund të marrë LSI nëse bazohemi te sondazhet dhe ajo rrotullohet te rreth 5 mandate. Në zgjedhjet që shkoi LSI mori 19 mandate dhe duket se votuesit që ajo ka pasur mund të përcaktojnë qeverinë e re. Nëse i marrim me radhë, Berati do të jetë një nga qarqet ku do ketë zhvillime. LSI e ka bastionin e saj dhe në 2017 mori 2 mandate. Por PS ka i ka marrë dy emra të fortë në këtë qark, Nasip Naçon dhe Gledion Rehovicën. PS kishte 4 mandate në 2017 dhe synimi i saj është të shkojë në PS, ose së paku të ruajë 4 mandatet. PD pretendon të ngrihet. Kishte vetëm 1 mandat në 2017 dhe synimi është që të shkohet te 2 mandate. Por Berati mbetet i majtë sipas gjasave. Dibra është një tjetër qark ku PD dhe PS në 2017 kanë pasur pothuajse numër të njëjtë votash dhe kanë marrë nga 2 mandate, ndërkohë 1 shkoi për LSI dhe njëri për PDIU. Por këtë vit Dibra do ketë një mandat më pak dhe lufta më e madhe do të jetë pikërisht për këtë mandat ku duke qenë se sipas sondazheve PD është në rritje, ajo është më e avantazhuara dhe nuk është çudi të kemi një rezultat 3 me 2.
Qarqet e “zjarrit”
Durrësi do të jetë ndër qarqet ku beteja e 25 prillit do të jetë shumë e fortë. Ky qark ka 14 mandate dhe ka rol të madh në përcaktimin e mazhorancës. Në 2017 PS mori 8 mandate, PD 4 mandate dhe LSI 2. Vetë kryeministri Rama pritet të jetë kandidat në këtë qark. LSI ka dërguar dy këshilltarët e presidentit, Shemsi Prençi dhe Bahri Shaqiri, ndërsa PD do të ketë Edi Palokën dhe Oerd Bylykbashin. Ndërkohë me PS ka shkuar Lefter Koka, i cili njihet si individ që ka shumë vota në këtë zonë. Plani i PS është të ruajë të paprekur 8 mandate, çka do të thotë se do kemi një betejë PS-PD për të marrë mandatet e LSI. PS sipas sondazheve është me rënie në Durrës dhe mund të humbasë 1 ose 2 mandate. Por 1 mandat të LSI e ka pas vetes Lefter Koka, i cili shkon te PS. Vetë LSI pritet të marrë vetëm 1 mandat. Pra PD ka si synim të përmbysë PS, por që mbetet për t’u parë dhe nëse shohim sondazhet do ketë garë të fortë. PS mund të humbasë mandat dhe atë ta marrë PD. Po ashtu dhe demokratët mund të marrin mandate dhe nga LSI. Tirana padyshim është qarku më i fortë, pasi të gjithë synojnë shumë. Sondazhet e nxjerrin PS në avantazh dhe ajo në 2017 mori 18 mandate. Synimi është që ky numër të mos preket. Ndërkohë PD është më rritje dhe LSI në rënie, çka do të thotë se votat e LSI mund të shkojnë drejt PD. LSI mori 5 mandate në 2017, por këtë herë kuotohet te 2 mandate. Pra PD mund të marrë mandatet e saj. Demokratët mund të kenë rritje, pasi Tirana do ketë 2 mandate më shumë se në 2017. Por ndërkohë në lojë do të hyjë dhe Tom Doshi, i cili synon një mandat dhe mund të marrë vota si nga e majta ashtu dhe nga e djathta, çka mund të bëjë që PD dhe PS të notojnë në të njëjtat kuota, por që sondazhet u japin avantazh socialistëve të cilët synojnë të mos bien nën 18 mandate. Qarku i tretë që do kemi betejë të fortë është Elbasani. Nga LSI aty kandidon Monika Kryemadhi, nga PD Gazment Bardhi, ndërsa nga PS Taulant Balla. Po ashtu socialistët do të kenë së paku 3-4 emra të rinj ndërsa do mbështeten dhe nga PDIU. Në 2017 kjo forcë mori 2 mandate falë Aqif Rakipit, i cili është në krah të PS. Pra socialistët duke se e kanë blinduar numrin e 7 mandateve. LSI mori 2 mandate në 2017, por në bazë të sondazheve një mandat mund të shkojë për PD. Ndërkohë demokratët mund të marrin dhe një tjetër mandat nga të pakënaqurit, ku atyre ju shton numrin, por PS nuk preket sepse kompensohet nga PDIU. Pra Elbasani do jetë betejë e fortë, pro PS duket favorite. Korça po ashtu është një qark ku votuesi është 50 për qind i djathë dhe 50 për qind i djathë. Demokratët synojnë të marrin 6 mandate, ndërsa LSI mund të dalë me zero mandate. Pra dhe në Korçë do ketë betejë të fortë.
Beteja PS-PD
Demokratët synojnë përmbysjen në shumë qarqe të vendit. Dibra duket se është një qark ku PD pretendon të marrë më shumë mandate se PS. Lezha është një tjetër bastion ku demokratët synojnë përmbysje. Edhe këtu duket se do ketë betejë për mandatin e LSI. Kjo e fundit mori 1 mandat në 2017 dhe PS me PD morën nga 3 mandate. Demokrat synojnë që të marrin 4 mandate në Lezhë duke kaluar PS, ndërsa LSI del më e humbura. Shkodra padyshim është bastion i djathtë dhe demokratët kërkojnë të thellojnë fitoren në 6 apo 7 mandate deputeti. LSI është po ashtu partia që rrezikon, pasi mund të dalë me zero mandate dhe ky mandat shkon për PD. Gjirokastra pritet të mos ketë shumë surpriza. PS synon 3 mandat dhe mund ta mbajë këtë numër, ndërsa PD kuotohet te 1 mandat. LSI del jashtë loje sepse Gjirokastrës i është rrudhur numri i deputetëve. Fieri po ashtu nuk pritet të sjellë shumë surpriza, maksimumi mund të luhet me 1 mandat deputeti, pasi PS është shumë favorite. Vlora është një qytet ku PD synon rritje, falë Bujar Leskajt. Nga 3 mandate në 2017 synohen 4-5, ku 1 mandat mund të merret nga LSI, por PS e ka bastionin e saj. Ndërsa PS synon të ruajë 8 mandatet, por që mund të zbresë dhe në 7. Kukësi është qarku ku nuk priten surpriza, pasi pritet të ndahet 2 mandate për PD dhe 1 për PS. Megjithatë këto kalkulime janë vetëm në bazë sondazheve, pasi kemi elektoratin gri që mund të bëjë diferencën. E sigurt është se askush nuk e di si do të jetë rezultati i 25 prillit, gjithçka do mësohet në datën 26.