Rrezikojnë deri në 13 vite burg/ SPAK thellon hetimet për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë të ngelur në veting, zbardhen veprat penale

0
372

Prokuroria e Posaçme ka intensifikuar hetimet për ish-anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të ngelur në veting. Në maj të këtij viti nis hetimi për rreth 10 emra të shkarkuar nga komisionet e vetingut, ndërsa gazeta ka mësuar se shumica e tyre akuzohet kryesisht për 3 ose më shumë vepra penale. Nën hetim janë: Bashkim Dedja, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese; Tom Ndreca, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë; Shkëlzen Selimi, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë; Gani Dizdari, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese; Xhezair Zaganjori ish-kryetar i Gjykatës së Lartë, etj. Sipas informacioneve ata po hetohen për disa vepra penale, por 3 për të cilat mund të akuzohen të gjithë janë: “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal; “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal. Mes tyre ka dhe emra që akuzohen për fshehje të të ardhurave apo mospagim të taksave parashikuar nga nenet 180 dhe 181 të Kodit Penal. Baza e akuzave janë 3 veprat e para dhe sipas dënimit të parashikuar në Kodin Penal, secili mund të dënohet deri në 13 vite burg. Kaq është dënimi maksimal. Më konkretisht, shpërdorimi i detyrës dënohet deri në 7 vite burg, ndërsa korrupsioni dhe fshehja e pasurisë me nga 3 vite burg secila. Pak ditë më parë kreu i SPAK, Arben Kraja deklaroi se viti 2021 do jetë vit i vështirë për të korruptuarit dhe sipas burimeve të gazetës, pritet që të konkretizohen hetimet për ish-gjyqtarët në fjalë.

Detajet e padisë

Hetimet e SPAK nisën pas një padie që bëri avokati Fran Dashi ndaj shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve. SPAK nisi hetimet vetëm për ish-anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, pasi për ta ka kompetencë, ndërsa gjyqtarët e thjeshtë po hetohen nga prokuroritë e rretheve.

Në krye të padisë është ish-kryeprokurori Adriatik Llalla edhe pse dosja e tij tani ndodhet në gjykatë. Më pas vjen ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Ky i fundit e kaloi shkallën e parë, por u shkarkua nga Apeli. Sipas KPA, ai nuk justifikon pasurinë. Një shtëpi në Golem i hapi mjaft punë. Ajo ishte në emër të të vëllait, por që dyshimet ishin se ishte e gjyqtarit. Po ashtu dhe deklarimet e tij nga emigracioni nuk përputheshin. Emër tjetër që po kalon në sitën e SPAK është Tom Ndreca, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë. Ai doli se nuk justifikon të ardhurat dhe se ka pasur kontakte me persona të papërshtatshëm. Një tjetër emër nën hetim është ish-gjyqtari i lartë, Shkëlzen Selimi. Ajo që e fundosi emrin në fjalë ishin lidhjet e dyshuara me persona me precedentë penalë. Ndërsa ONM publikoi prova dhe për ndikim të tij në mosekstradimin e një personi. Në listë është dhe Gani Dizdari, ish-anëtar i Kushtetueses. Edhe Dizdari u shkarkua që në shkallën e parë dhe Apeli e la në fuqi vendimin. Sipas dosjes së KPK, pasuria e vajzës i dha goditje gjyqtarit. Padi ka pasur dhe ndaj Xhezair Zaganjorit, ish-kreu i Gjykatës së Lartë. Ai e kaloi me shumë polemika fazën e parë të vetingut, por KPA e shkarkoi. Zaganjori rezulton ndër gjyqtarët me mbi 1 milion euro pasuri.

Disa nga emrat që po hetohen nga SPAK

1.      Adriatik Llalla, ish-Prokuror i Përgjithshëm

2.      Xhezair Zaganjori, ish-kreu i Gjykatës së Lartë

3.      Bashkim Dedja, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese

4.      Tom Ndreca, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë

5.      Shkëlzen Selimi, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë

6.      Gani Dizdari, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese

7.      Edmond Islamaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë

8.      Guxim Zenelaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë

9.      Besnik Imeraj, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese

10.  Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë

Emrat që po hetohen nga prokuroritë e tjera

1.      Fatmir Lushi, sh-prokuror në Prokurorinë e Elbasan

2.      Luan Dervishi, ish-gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër

3.      Marina Rraboshta, ish-gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkodër

4.      Petrit Fusha, ish-drejtues i Prokurorisë Tiranë

5.      Besnik Cani, ish-drejtues i Prokurorisë Elbasan

6.      Besim Trezhnjeva, ish-gjyqtar Gjykata e Apelit Durrës

7.      Arjan Balliu, ish-gjyqtar Gjykata e Apelit Durrës

8.      Ferdinad Elezi, ish-drejtues i Prokurorisë së Apelit Durrës

9.      Ema Gashi, Gjykata e Rrethit Durrës

10.  Besa Nikëhasani, ish-drejtuese e Prokurorisë Apelit Shkodër

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here