Blindohen SPAK dhe Byroja e Hetimit/ 500 milionë lekë fonde për pajisjet dhe pagat e hetuesve dhe prokurorëve

0
224

Qeveria ka planifikuar 500 milionë lekë të reja për funksionimin e Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Dje u prezantua buxheti për vitin 2021 dhe ajo që bie në sy është se ka një mbështetje të madhe për institucionet e sistemit të drejtësisë. Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka nisur të funksionojë, por ka ende shumë mungesa në administratë, ndërkohë që në vitin 2021 planifikohet që të nisë punën edhe Byroja Kombëtare e Hetimit që do të jetë pjesë e SPAK. Por buxheti i miratuar nga qeveria pritet që të shkojë për rrogat e prokurorëve të SPAK, hetuesve të BKH dhe punonjësve të tjerë të administratës, ndërkohë që pjesa tjetër do të shkojë për pajisje hetimore. Byroja e Hetimit është një organ i ri, i cili do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta dhe do të ketë pajisje të reja të teknologjisë së fundit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbështetur maksimalisht deri tani reformën në drejtësi dhe pritet që një pjesë të shpenzimeve për pajisjet t’i mbulojë Uashingtoni dhe një pjesë do të mbulohen nga buxheti i shtetit. Por buxheti për vitin 2021 do të kalojë në Kuvend për diskutim dhe pritet që të shihet gjatë diskutimeve nëse ky buxhet që është akorduar nga qeveria është i mjaftueshëm për të mbuluar shpenzimet e organeve të reja të drejtësisë apo jo.

Ja buxheti për organet e tjera

Organet e sistemit të drejtësisë kanë marrë buxhet më të madh këtë vit, duke shprehur kështu mbështetjen e qeverisë për to. Prokuroria e Përgjithshme gjatë vitit 2021 do të ketë në dispozicion një fond prej 2.4 milionë lekë të reja, të cilat do të shërbejnë për pagat e prokurorëve dhe punonjësve të tjerë të administratës. Një tjetër organ që ka përfituar nga buxheti i shtetit është edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, vlera e të cilit arrin në 3.4 miliardë lekë të reja. Ky buxhet, përveçse do mbulojë pagat e anëtarëve dhe gjyqtarëve të tjerë, do të mbulojë edhe pajisjen e KLGJ me teknologji të re. Ndërsa për Këshillin e Lartë të Prokurorisë qeveria ka akorduar një fond prej 164 milionë lekë të reja. Ky fond është për të gjithë veprimtarinë që ka ky institucion. 155 milionë lekë të reja qeveria i ka dhënë për Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjykatë është një prej institucioneve të rëndësishme në sistemin e drejtësisë dhe ngritja dhe funksionimi i saj është kthyer në një çështjet më të rëndësishme jo vetëm të aktorëve vendas, por edhe atyre ndërkombëtarë. Ky fond që do jepet vitin e ardhshëm për Kushtetuesen do të jetë për veprimtarinë e këtij institucioni, pra për pagesat e anëtarëve apo edhe punonjësve të tjerë.

Ja fondi për organet e vetingut

Por edhe organet e vetingut kanë përfituar nga buxheti i shtetit për vitin 2021. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit të cilat bëjnë hetimin administrativ për gjyqtarët dhe prokurorët në vendin tonë kanë qenë ndër organet më të mbështetura edhe nga SHBA-BE. Kështu, KPK dhe KPA, Komisioneri Publik dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë kanë përfituar së bashku një fond prej 654 milionë lekë të reja, të cilat do të shërbejnë për pagesat e punonjësve të çdo institucioni. Ndërsa Avokati i Popullit ka përfituar nga buxheti i shtetit një fond prej 118 milionë lekë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here