Instituti i Monumenteve të Kulturës, siç quhej në vitin 1978 e më vonë edhe në 1989, sot Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore), ka hartuar dhe zbatuar në këto vite dy projekte restaurimi për ndërtesën, ku u mbajt Kongresi i Lushnjes. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) shprehet se në ndërhyrjen e parë më 1978 u bë dhe rikonceptimi i përgjithshëm për ekspozimin e objekteve.
“Në vitin 1978, në një kohë kur banesa shërbente pjesërisht edhe si muze, ndërhyrjet konsistuan në rrethimin e monumentit me kangjella dekorative. U krye sistemimi i çatisë, stukimi pjesërisht i mureve dhe shërbetimi e bojatisja në suva. Gjithashtu, u pa i nevojshëm një rikonceptim i përgjithshëm i ekspozimit të objekteve muzeale, si dhe rregullimi i ambientit rrethues”, shprehet Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, ndërsa ka publikuar dhe foto nga kjo ndërtesë ato vite.
Ndërhyrja e dytë, sipas IKTK u bë me rastin e 70-vjetorit të Kongresit të Lushnjes. “Në vitin 1989, në objekt u ndërhy me rastin e 70-vjetorit të Kongresit të Lushnjes. Gjatë kësaj ndërhyrjeje u morën masa për largimin e lagështisë, u risuvatua fasada, u punua mbi sistemin hidraulik në ambientet sanitare, si dhe në ambientin rrethues”, shprehet Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Kongresi i Lushnjes hapi zyrtarisht punimet me 21 janar 1920, ndërsa punimet i zhvilloi nga data 28 deri më 31 janar 1920. Është një nga kuvendet kombëtare më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.
Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjes ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij. Në të morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar. Kongresi i Lushnjes mori vendime të rëndësishme politike. Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit. U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar. Kongresi i Lushnjes me shumicë votash rrëzoi qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina.