Tryeza e dialogut për reformën zgjedhore duket se nuk i ka kënaqur të gjithë. Si në PD ashtu dhe në LSI kanë dalë emra kundër këtij takimi, ndërsa ajo që ra në sy është fakti se presidenti Ilir Meta nuk reagoi fare për këtë çështje. Ndonëse të hënën u bëri thirrje palëve që t’i japin fund krizës, takimi i së martës nuk ka prodhuar asnjë reagim, ndërkohë që kryeministri Rama, kreu i PD, Basha dhe ndërkombëtarët reaguan të gjithë. Gazeta ka mësuar se ky takim nuk është mbështetur dhe aq nga Meta, Berisha dhe LSI. Kjo e fundit është bërë pjesë e tryezës për të mos lënë PD dhe PS vetëm në tryezë.
Sipas informacioneve, Basha prej disa javësh u është bindur ndërkombëtarëve për t’u ulur në tryezë dhe nuk ka marrë mendimin e LSI. Kjo ka sjellë dhe përplasje. Por e kapur e papërgatitur, Kryemadhi ka vendosur që të përfaqësohet në tryezë me Vasilin, nga frika e një tjetër puçi Rama-Basha. Ndërkohë duhet theksuar se deri pak ditë më parë Berisha, Meta dhe disa figura të tjera kërkonin revolta kundër Ramës për ta larguar dhe ulja në një tryezë nuk është kapërdirë. Por nëse shohim me detaje zhvillimet, amerikanët duket se kanë lënë jashtë loje presidentin Meta. Kanë qenë diplomatët e SHBA dhe të disa vendeve të BE që kanë negociuar që prej muajit dhjetor me PS dhe me PD që të gjendej gjuha e konsensusit. Meta është lënë jashtë gjithë këtij procesi, ndonëse në një shtet normal presidenti do të ishte strumbullari që do garantonte që tryeza të dilte e suksesshme. Burime të sigurta të gazetës thanë se është negociuar drejtpërdrejt me Ramën dhe me Bashën, duke lënë jashtë të tjerët. Pra ka pasur gati dy muaj negociata për të bërë bashkë palët. Meta prej muajsh ka nisur një fushatë sulmesh ndaj ndërkombëtarëve. Dhe nëse kthehemi pas, javën që shkoi Meta dha një intervistë ku ashpërsoi tonet e sulmeve. Kur dha intervistën, gjithçka ishte mbyllur dhe LSI ishte në dijeni të takimit, por kjo nuk e ka ndalur Metën të sulmojë ambasadorët, duke treguar dhe një herë pakënaqësinë ndaj tyre. Pra duket qartë se kreu i shtetit po lihet jashtë gjithë proceseve dhe sidomos nga të huajt.
Shkarkimi i Metës
Opozita u përfaqësua nga Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili. Aleatët tradicionalë të PD nuk morën pjesë, por fakti që LSI kishte përfaqësuesin e saj tregon qartë se nuk ka besim mes dy partive aleate. Basha heziton të vulosë koalicionin me LSI, ndërsa kjo e fundit i druhet një puçi të dytë. Meta jo pa qëllime përmend paktin Rama-Berisha në 2008. Në këtë vit u dakordësuan palët po për reformën zgjedhore dhe LSI doli më e humbur. Në 2017 po për reformën zgjedhore u dakordësuan dhe LSI doli e humbur. Edhe këtë herë frika është se partitë e mëdha do e hartojnë kodin e ri sipas interesave të tyre.
Por duket se frika e LSI nuk është dhe pa arsye, pasi nëse shihet me kujdes, përveçse Meta është lënë jashtë loje, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje pasi të jetë vulosur shkarkimi i tij. Gazeta muaj më parë e deklaroi se PD e PS kishin rënë dakord që të shkohet në zgjedhje pas shkarkimit të Metës dhe duket se kështu do të ndodhë. Me paktin e arritur, flitet se në tetor do të kemi zgjedhje të parakohshme. Kushtetuesja në mars pritet të jetë gati dhe deri në tetor me gjasë do të jetë marrë vendimi për shkarkimin e kreut të shtetit. Gojët e liga flasin se pas shkarkimit, Meta mund të ketë telashe me drejtësinë dhe kjo do i jepte një shpartallim LSI në zgjedhje. Megjithatë mbetet të shihet se çfarë do të prodhojë pakti i së martës.