PD jep sinjale për dialog me PS, LSI frikë nga një 17 maj i dytë, kërkon diskutime gjithëpërfshirëse

0
292

Partia Demokratike shprehu ditën e djeshme gatishmërinë për t’u ulur në tryezën e dialogut me Partinë Socialiste. Prej muajsh kriza politike ka kapluar vendin dhe deri tani nuk është gjetur asnjë zgjidhje a konsensus mes palëve. Por duket se nisja e sesionit të ri parlamentar do të sjellë zhvillime të reja. Demokratët lanë dje një dritare hapur për të dialoguar me mazhorancën dhe për të arritur në zgjidhjen e krizës. Ishte ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylybkashi ai i cili 4-mujorshin e fundit të vitit e cilësoi si një mundësi shumë të madhe për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe “çelësin” që i jep fund situatës së rënduar politike. “Nga shtatori deri në dhjetor është një dritare mundësie shumë e madhe për politikën shqiptare për t’i dhënë një zgjidhje thelbësore kësaj krize dhe zgjidhja në fakt është vetëm një, zgjedhjet e parakohshme. Politika shqiptare dikur e ka patur kapacitetin për të arritur marrëveshje, konsensuse, kompromise, për t’i dhënë mundësi frymëmarrjes politike, zhvillimeve qeverisëse apo demokratike, gjë që është humbur krejtësisht të paktën në 6 vitet e fundit që kur Edi Rama ka marrë pushtetin si Kryeministër. E sheh marrëveshjen ose si diçka me të cilën ai mund të marrë pushtet ose si diçka për t’u thyer kur ai ka pushtetin”, deklaroi Oerd Bylykbashi.

LSI frikë nga një 17 maj i dytë

Në anën tjetër të opozitës qëndron Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila po ashtu kërkon dialog, por ka edhe disa kushte. Ajo kërkon që dialogu të jetë gjithëpërfshirës dhe jo vetëm me dy krerët kryesorë të opozitës e të mazhorancës. Kjo kërkesë, të cilën e artikuloi ish-deputeti i LSI, Edmond Panariti, reflekton mjaft mirë frikën që ka partia e presidentit nga një 17 maj i dytë. LSI kërkon që në takimet e dialogut të mos jenë prezent vetëm PD dhe PS, por edhe partitë e tjera të vogla, përfshirë edhe vetë atë. Kjo pasi Lëvizja Socialiste për Integrim e ka pësuar një herë nga marrëveshjet qeveri-opozitë. Nga marrëveshja e 17 majit të 2017, LSI ishte partia më e dëmtuar. Tani ajo kërkon që kjo gjë të mos përsëritet, por të jetë edhe vetë pjesë e marrëveshjes. “Nuk mendoj që mund të bëjë veprime të dëmshme në demokraci dhe që mund të kishte diskordanca. Opozita është solide dhe homogjene në mënyrën si mendon se ky sistem duhet çrrënjosur. Data 13 tetor një opsion që ofron Presidenti për t’i futur palët në zgjedhje. Unë besoj që dialogu duhet të jetë transparent jo me dyer të mbyllura. Duhet rivendosur besimi. Vendi ka nevojë urgjente, ulëritëse për zgjedhje sa më parë. Lini pushimet e uluni në tryezën e dialogut, nuk ka zgjidhje tjetër”, tha Panariti. Por ndryshe nga PD, LSI apelon për dialog pa kushtin që Edi Rama të mos jetë kryeministër. Kjo pasi LSI e ka kuptuar që ajo ishte partia që humbi më shumë nga djegia e mandateve dhe tani po kërkon me doemos e po bën ç’është e mundur që të rikthehet në pushtet. Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do që të vazhdojë edhe për shumë gjatë situata e krijuar nga dorëzimi i mandateve pasi në pranverë rrezikon edhe shkarkimin. Ajo kishte vetëm 8 bashki dhe tani ato i ka marrë PS, çka do të thotë se partia e presidentit ka humbur çdo pushtet. Të vetmit që kanë mbetur janë militantët, por edhe ata sipas burimeve të gazetës po drejtohen drejt PS sepse siç dihet, simpatizantët e LSI rendin pas pushtetit. Duke kuptuar rrezikun e shkrirjes dhe frikën për një puç të dytë nga PS-PD, LSI tani kërkon të ketë dialog, por të jetë edhe vetë pjesë e tij.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here