Opera “Madama Butterfly” është vënë në skenën shqiptare për herë të parë në vitin 1961. Në këtë vepër dekada më parë interpretuan artistë të njohur, ndërsa Teatri i Operës dhe Baletit sjell përmes fotove operën “Madama Butterfly” atë vit në skenë. Në foto janë dy nga protagonistët e shfaqjes, Gjyzepina Kosturi dhe Stavri Rafael gjatë interpretimit të Cio-Cio-San (Madama Butterfly) dhe Pinkerton. Opera histori ndalet këtë herë në këtë kryevepër operistike dhe për drejtoreshën e teatrit Zana Çela kjo bëhet për të kujtuar të gjithë ata artistë, që e sollën në skenë këtë shfaqje. “Opera histori, sot ndalet në këtë vepër për të kujtuar të gjithë ata që e ngritën në skenë dhe në mënyrë të veçantë këngëtarët e pazëvendësueshëm, legjenda të teatrit tonë, tenori Stavri Rafael dhe sopranoja Gjyzepina Kosturi. Nderim për pasurinë e madhe, që i lanë traditës sonë të vokalit e interpretimit operistik”, shprehet Zana Çela drejtoreshë e Teatrit të Operës dhe Baletit. “Madama Butterfly” është një opera në tre akte nga Giacomo Puccini, me libret shkruar nga Giuseppe Giacosa dhe Luigi Illica, përcaktuar në partiturë dhe në libret “tragjedi japoneze” dhe dedikuar mbretëreshës së Italisë Elena e Malit të Zi. Premiera u shfaq në Milano në Teatro alla Scala, më 17 shkurt 1904. Puçini e zgjodhi subjektin e operës së tij të gjashtë pasi pa tragjedinë me të njëjtin titull (Madama Butterfly) në korrikun e 1900 në Duke of York’s Theatre në Londër. Tragjedia me një akt e David Belasco ishte e frymëzuar nga një tregim i amerikanit John Luther Long. Pas fillimit në 1901, kompozimi vijoi me ndërprerje të shumta. Orkestrimi nisi në nëntor të 1902 dhe u përfundua në shtator të vitit tjetër. Vetëm në dhjetor të 1903 opera mund të konsiderohet e plotë në të gjitha pjesët e saj. Për realizimin e dramës Puçini u dokumentua pa pushim e deri në detaje mbi elemente të ndryshme orientale, që i konsideroi interesante për t’i përfshirë. Në veçanti e ndihmoi një aktore e famshme japoneze dhe bashkëshortja e ambasadorit japonez në Itali, e cila i përshkroi zakonet dhe traditat e këtij populli. Puçini shkroi 14 opera, dhe shumë këngë, të cilat janë shumë të njohura nga publiku mbarë botëror.