Raportimet e amerikanëve, ja si Hoxha sulmonte SHBA e Britaninë, spastrime në radhët e mbështetësve të Titos pas urdhrit të Moskës

0
399

Amerikanët kanë nxjerrë në dritë të tjera detaje sa i takon situatës në Shqipërinë komuniste. Gazeta po publikon sot disa artikuj të prestigjiozes amerikane “The New York Times”, ku flitet mbi sulmet e diktatorit Hoxha ndaj SHBA dhe Britanisë së Madhe. Po ashtu tregohet dhe si nisën arrestimet në radhët e mbështetësve të Titos. Sipas gazetës gjithçka erdhi pas ultimatumit të Moskës.

14 nëntor 1948

Shqipëria akuzon SHBA e Britaninë

Kryeministri shqiptar Enver Hoxha akuzoi sot në një komunikim të transmetuar nga Radio Tirana se Britania dhe Shtetet e Bashkuara po bëjnë gjithçka është e mundur për të përdorur incidentin e minave detare në kanalin e Korfuzit, si një pretekst për ndërhyrje të armatosur në Shqipëri. “Por përpjekjet e banditëve mbetën të zhgënjyera”, tha Hoxha në një fjalim në kongresin e partisë. Ai shtoi se më 22 janar 1945 komandanti i forcave aleate Marshall Harold Alexander kërkoi që misioni ushtarak aleat në Shqipëri të zëvendësohej me një mision britanik të drejtuar nga një gjeneral. “Por Shqipëria refuzoi pasi një mision i tillë do të përgatiste terrenin për ndërhyrje të gjerë të armatosur”, tha Hoxha.

10 dhjetor 1948

Shqipëria arreston komunistët pro-Tito

Arrestime masive të komunistëve shqiptarë miqësorë me qeverinë e Titos në Jugosllavi u raportuan sot nga agjencia jugosllave Tanjug. Arrestimet kishin nisur pas kongresit të partisë shqiptare që e shpalli vendin në favor të bllokut sovjetik dhe kundër partisë komuniste jugosllave. Tanjug raporton se arrestimet erdhën si rezultat i vendimit të kongresit për të përfshirë gjeneral Koçi Xoxe, Pandi Kriston dhe Nasti Kerenti në listën e elementëve armiqësorë. Të tjerë të arrestuar ishin zv. ministri i brendshëm Vasko Koci, koloneli i ushtrisë Vango Mitrojogji, major Mistar Tare, sekretari i komitetit të partisë së Tiranës Ismail Kausi, Bibi Sima Skënder Kosova etj. Tanjug raporton se e gjithë udhëheqja e partisë së Tiranës është arrestuar dhe se “një numër i madh personash janë larguar nga vendet e punës në administratë së bashku me të tjerë që janë ulur në detyrë në rotacione postesh. Lufta për pushtet në Shqipëri mes pro-sovjetikëve e pro-jugosllavëve është përshkallëzuar që prej anulimit të papritur nga Hoxha të marrëveshjes tregtare tre-vjeçare me Jugosllavinë. Informacionet nga Beogradi nuk jepnin arsyet se cilat segmente të partisë komuniste shqiptare po fitonin avantazh në luftën për pushtet, por arrestimet e fundit të elementëve pro-jugosllavë do të thonë se Hoxha po fiton terren, edhe pse Partia Komuniste Shqiptare është e copëtuar. Sido që të jetë ngjarjet në Shqipëri dëshmojnë për fuqinë e joshjes së komunistëve jugosllavë dhe sinjalizojnë në një farë mase për pasigurinë në bllokun sovjetik.

19 dhjetor 1948

Moska urdhëron partitë komunistë të bëjnë spastrime

Një spastrim total i partive komuniste të Evropës Lindore është urdhëruar nga Zyra e Informacionit e bllokut Komunist Kominform. Masa duket se është marrë për të eliminuar tendencat e vazhdueshme drejt ‘titizmit’ dhe pavarësisë nga blloku komunist që kjo predikon, gjë që po inkurajohet nga Beogradi. Sekretari i Partisë Komuniste Hungareze Matias Rakosi ka nisur tashmë hapat për të luftuar lëvizjen tisit brenda radhëve komuniste dhe masa të tjera priten në konferencat e partive të Polonisë, Çekosllovakisë dhe atë që nisi sot në Sofje të Bullgarisë. Justifikimi zyrtar për spastrimet është publikuar në edicionin e fundit të buletinit të Kominformme me titull “Për një paqe të qëndrueshme në vendet e demokracive popullore”. Aty thuhet: “Si pasojë e fluksit të anëtarëve të rinj të partisë edhe gabimeve të bëra në këtë aspekt, ndryshime serioze po ndodhin në përbërjen shoqërore të partive. Elementët e vegjël borgjezë janë shtuar së tepërmi dhe kanë dëmtuar përbërjen e klasës punëtore. Gjithashtu elementët borgjezë dhe reaksionarë kanë depërtuar në brendësi të partive si rezultat i zbutjes së vigjilencës revolucionare”. Organi i Kominform thotë gjithashtu se si rezultat i kësaj tendence Hungaria, Polonia, Çekosllovakia e Bullgaria do të kufizojnë pranimet e reja në parti dhe do të bëjnë verifikime për anëtarësinë aktuale. Propaganda e Kominform përmend në veçanti se armiqtë kryesorë të rendit komunist janë “kulakët” ose fshatarët e pasur që kishin depërtuar mes organizatave të partisë dhe po pengonin si aparatin politik ashtu dhe objektivat e prodhimit.

21 shkurt 1949

Shqipëria mbijeton vetëm me fasule pas prishjes me Jugosllavinë

Gazeta Politika raportonte dje se populli shqiptar ka mbetur në krizë urie me një dietë minimale fasulesh si rezultat i anulimit të marrëveshjes tregtare me Jugosllavinë, që u krye nga udhëheqësit komunistë menjëherë pas përjashtimit të saj nga Zyra Komuniste e Informacionit, Kominform. Udhëheqja shqiptare ishte e para që ndërpreu marrëdhëniet me Beogradin edhe pse lidhjet mes dy vendeve kishin si qëllim të ushqenin popullin shqiptar me marrëdhënie afatgjata tregtare. Enver Hoxha dhe segmentet anti-jugosllave shqiptare anuluan marrëveshjen tregtare tre-vjeçare me Jugosllavinë me shpresën se Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera komuniste tashmë do të vijnë në ndihmë të tyre me furnizime.

20 mars 1949

Refugjatët shqiptarë thonë se rusët po përgatiten të luftojnë Titon

Raportimet nga të arratisurit nga Shqipëria drejt Greqisë fqinje flasin për përgatitje madhore ushtarake në verilindje të kufirit shqiptar përballë Jugosllavisë dhe në ujërat e zonës së Vlorës. Sipas raportimeve qëllimet e aktivitetit ushtarak janë rikthimi i ushtrisë së Bashkimit Sovjetik në brigjet e detit Adriatik me anë të satelitit të tij Bullgarisë. Prishja mes marshall Titos dhe kryeministrit sovjetik Stalin ka thyer disi vazhdimësinë e territorit të dominimit sovjetik që më parë shtrihej nga Moska deri në Tiranë. Tashmë Rusia sovjetike raportohet të ketë në plan të hapë një korridor mes Maqedonisë jugosllave për të lidhur Bullgarinë me Shqipërinë, dhe burimet shqiptare thonë se Moska do të ndërhyjë drejtpërdrejt për këtë, që më pas të përdorë forcat shqiptare, bullgare dhe guerilasit grekë kundër ushtrisë së Marshall Titos.

23 mars 1949

Shqipëria forcon lidhjet sovjetike me vizitën e delegacionit në Moskë

Interesi i shtypit sovjetik ishte sot i gjithi i fokusuar te Shqipëria, me mbërritjen në Moskë të delegacionit të kryesuar nga kryeministri Enver Hoxha, një nga ndjekësit më të afërt të BRSS. Vizita e Hoxhës ishte pasqyruar në të gjitha faqet e para të gazetave sovjetike, me foto të delegacionit shqiptar që pritej nga zv. kryetari i Këshillit sovjetik të Ministrave Anastas Mikojan, dhe figura të tjera si ministri i Jashtëm Andrei Vishinski, gjenerali K. R. Sinelov. Hoxha shoqërohej nga kolonel Nexhipo Binçani dhe një grup zyrtarësh të tregtisë të kryesuar nga kreu i Planit Shtetëror Spiro Koleka. Gjeneral Hoxha transmetoi nga aeroporti i Moskës një mesazh urimi për popullin sovjetik, në të cilin iu referua ashpër “imperialistëve dhe lakenjve të tyre që fusin turinjtë në kufijtë e vendeve”. Hoxha shtoi më tej se Shqipëria është një vend krenar dhe se të gjitha tentativat e imperialistëve dhe të zagarëve të tyre në Ballkan për të trazuar paqen botërore “do të përfundojnë në dështim sepse përpjekja botërore e paqes udhëhiqet nga Bashkimi Sovjetik i lavdishëm i udhëhequr nga Stalini i madh, udhëheqësi i dashur i gjithë njerëzimit progresiv”. Misioni i Hoxhës në Moskë është zgjerimi i lidhjeve ekonomike të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe diskutimi i çështjeve të tjera të interesit të përbashkët, siç ai theksoi në diskutimin e tij. Në shenjë mirënjohjeje ndaj Rusisë, ai premtoi se kombi i tij nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të mbështetur Bashkimin Sovjetik dhe ndihmën që ai po i jepte. Hoxha më tej sulmoi “pseudo-demokracitë” që po riarmatoseshin dhe po hartonin buxhetin e ushtrisë, duke lënë mënjanë shpresat në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe riorganizimin shoqëror. Shqipëria ka tashmë marrëveshje bashkëpunimi me BRSS dhe traktate asistence reciproke. Jugosllavia nuk është përmendur në shtypin sovjetik javët e fundit, por në kontrast, përvjetori i akordit bullgaro-sovjetik u festua dy ditë më parë në Sofje, siç raportohej në gazetat e Moskës. Ndarja e Jugosllavisë nga blloku sovjetik i shteteve komuniste ka ngritur shumë pikëpyetje në çështje ku Shqipëria dhe BRSS kanë interesa të përbashkëta. Përveç çështjeve ekonomike ka dhe çështje etnike si ajo e Maqedonisë ku ka shqetësime si për Shqipërinë dhe Bullgarinë. Ka pasur një përkeqësim të ndjeshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Jugosllavisë javët e fundit, të cilat janë shoqëruar me akuza të rënda në propagandën e Tiranës kundër Beogradit. Në shtypin perëndimor ka zhurma në lidhje me Maqedoninë, për të cilën Moska ka quajtur heshtjen më rigoroze.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here