Zbardhen skandalet, Akademia e Shkencave u kushton shqiptarëve 1 mld lekë në vit, shumica e anëtarëve zero libra të botuar

0
414

Zbardhen skandalet e Akademisë së Shkencave. Ditët e fundit janë rikthyer debatet mbi këtë institucion, pasi mazhoranca ka vendosur të miratojë ligjin e ri dhe po ashtu në krye pritet të vihet Skënder Gjinushi. Por sa vlerë ka pasur deri më sot Akademia e Shkencave? A ka përfituar populli shqiptar, studentë dhe universitetet nga kjo akademi. Gazeta ka zhvilluar një investigim të thellë mbi Akademinë e Shkencave dhe gjatë ditëve në vijim do tregojmë detaje se si ata që janë pjesë e saj kanë marrë milionë lekë rrogë, por që nuk e justifikojnë. Sipas raporteve financiare të publikuar nga vetë Akademia, në një vit shpenzohen rreth 1 miliardë lekë të vjetra. P.sh. në 2017 janë shpenzuar prej Akademisë në total 105.704.000 lekë të reja. Këto para kanë shkuar për paga, sigurime shoqërore, shpenzime korente, transferta të brendshme, transferta me jashtë, transferime të brendshme dhe Investime. Qëllimi kryesor i Akademisë është sigurisht që të publikojë materiale shkencore, me qëllim që të ndihmojë kërkimin shkencor në vend. Gazeta ka analizuar punën e anëtarëve të përhershëm të saj, sa i takon botimit të librave. Në faqen zyrtare të Akademisë jepen të dhëna mbi librat e botuar nga kjo akademi nga viti 1990 e deri në vitin 2017. Rezulton se shumica e anëtarëve të përhershëm janë emëruar aty prej viti 2008. Pra pjesa dërrmuese ka rreth 10 vite që janë anëtarë. Akademia publikon revista shkencore, libra, si dhe organizon konferenca. Gazeta, sot po merret me librat e botuar nga anëtarët për Akademinë e Shkencave. Për sqarim, gjatë periudhës që profesorët kanë qenë anëtarë të Akademisë, të gjithë kanë kryer botime personale. Por më poshtë ne po tregojmë se sa ata janë autorë, apo bashkautorë, në librat e Akademisë së Shkencave, të publikuar prej saj në faqen zyrtare. Rezulton se, nga 27 anëtarë, 14 prej tyre kanë zero botime librash për Akademinë. Që kur ata janë emëruar dhe deri më sot, kanë kryer botime të ndryshme personale, por nën logon e ASH nuk figurojnë në faqen zyrtare që të kenë botuar libra. Ndërkohë rezulton se nga të gjitha anëtarët e përhershëm janë botuar totalisht 27 libra në 10 vite.

Skandali

Nëse shohim buxhetin e Akademisë dhe produktivitetin e anëtarëve të saj, rezulton se çdo vit shpenzohen 1 miliardë lekë, por që shkojnë për rroga e konferenca pa bereqet, do thoshte populli. Nga analiza e gazetës, rezulton se një pjesë e madhe e anëtarëve kanë kryer botime shkencore, por ato figurojnë vetëm në CV e tyre dhe janë personale. Kjo do të thotë se fitimet nga shitja i kanë marr ata dhe jo akademia. Në faqen online të Akademisë rezulton se 14 emra nuk kanë bërë asnjë botim në emër të ASH, por kanë 10 vite që janë anëtarë. Ajo që bie në sy është se shumica janë mjaftuar me botime në revista apo me organizime konferencash, por që do të flasim në ditët në vijim më me detaje. Në vitin 2017 rezulton se 160 milionë lekë të vjetra janë përdorur për botime. Pyetja është se për çfarë botimesh? Në 2017 ASH ka publikuar 13 libra, por që shumica nuk janë me autorë nga anëtarë të përhershëm dhe që nuk janë kërkim i mirëfilltë shkencor. Disa janë autorë që kanë vdekur, e disa nga jashtë. Po ashtu, gjatë vitit 2017 janë shpenzuar 270 milionë lekë të vjetra për paga dhe honorare. Pra janë dhënë miliona lekë për botime dhe janë paguar anëtarët, por që sipas faqes zyrtare të ASH, shumica nuk kanë kryer botime librash. Pra kjo tregon qartë që prej kaq shumë vitesh Akademia e Shkencave ka qenë një gërmadhë që nuk bëhej shkencë, por që mbahen me paga disa anëtarë, të cilat nuk kanë dhënë asnjë kontribut real. 

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here