Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përgatitur një raport përmbledhës për punën e kryer gjatë periudhës shkurt 2018-prill 2019. Në bilancin e KPK thuhet se përgjatë një viti organi i vetingut ka kaluar në “sitë” 141 gjyqtarë dhe prokurorë. Mes vendimeve të dhëna mbizotërojnë ato të konfirmimit në detyrë, plot 56 të tilla. “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nga data 8 shkurt 2018 deri në datën 30 prill 2019 ka dhënë 141 vendime. 56 vendime për konfirmimin në detyrë të 25 gjyqtarëve, 23 prokurorëve dhe 7 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë; 52 vendime për shkarkimin nga detyra të 31 gjyqtarëve, 19 prokurorëve dhe 2 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë; 10 vendime për ndërprerjen e procesit të 5 gjyqtarëve, 4 prokurorëve dhe 1 ish-këshilltari ligjor; 8 vendime për pushimin e procesit të 3 gjyqtarëve, 1 prokurori dhe 4 ndihmësve ligjorë;15 vendime për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar, për kryeinspektoren e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, 10 gjyqtarëve dhe 4 prokurorëve”, thuhet në raportin e KPK. Në grupin e të konfirmuarve në detyrë, mbizotërojnë gjyqtarët. 25 të tillë janë konfirmuar në detyrë, ndërsa prokurorët pak më pak, 23. Shtatë të tjerët që janë rikonfirmuar janë këshilltarë ligjorë. Gjyqtarët mbizotërojnë edhe tek grupi i të shkarkuarve nga detyra. Nga 52 të shkarkuar, 31 janë gjyqtarë, 19 prokurorë dhe 2 këshilltarë ligjorë. Në raportin e KPK sqarohet edhe sesa unanimë kanë qenë komisionerët e vetingut kur kanë dhënë vendimet për subjektet e rivlerësimit. Vetëm në tetë raste nuk është gjetur gjuha e përbashkët mes tyre dhe janë ndarë në vota. “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë 133 vendime me unanimitet, ku të gjithë anëtarët e trupit gjykues kanë votuar në mënyrë të njëjtë dhe 8 vendime me shumicë votash. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë 16 vendime bazuar në një kriter, 10 vendime bazuar në dy kritere dhe 83 bazuar në të tre kriteret e rivlerësimit”, vijon më tej bilanci i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
KPK rrëzon ILDKP dhe DSIK
Për pjesën më të madhe të subjekteve të rivlerësimit, KPK është bazuar tek gjetjet e veta për të dhënë vendimet për ta dhe jo tek raportet e hartuara nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë për pasurinë dhe nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar për figurën. Sipas ILDKP, 37 gjyqtarë e prokurorë janë me probleme me pasurinë, por KPK ka konstatuar 57. “Organet ndihmëse të Komisionit në këtë proces janë Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) për vlerësimin e pasurisë dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) për vlerësimin e figurës. Vendimmarrja e Komisionit nuk është e kushtëzuar nga përfundimet e rezultateve të këtyre raporteve, pasi Kushtetuta i njeh KPK-së të drejtën e një hetimi të pavarur. Sipas raporteve të ILDKPKI-së për 108 subjekte rivlerësimi, kanë rezultuar pa probleme me pasurinë 71 subjekte rivlerësimi dhe me probleme 37 prej tyre, ndërkohë që hetimi i kryer nga Komisioni ka dhënë rezultate të tjera: kanë rezultuar 57 subjekte pa probleme me pasurinë dhe 51 subjekte me probleme. Nga raportet e DSIK-së për 92 subjekte rivlerësimi, kanë rezultuar të papërshtatshëm për vijimin e detyrës 22 subjekte rivlerësimi, ndërkohë që nga hetimi i Komisionit rezultuan me probleme 16 prej tyre”, thuhet në raportin e KPK.
Mimoza Ibra