Ilir Meta rinis tentativat për të bllokuar institucionet, tërhiqet nga kandidaturat për kreun e KLSH, refuzon të shkarkojë gjeneral Dogjanin

0
384

Presidenti Ilir Meta vijon të forcojë nga dita në ditë idenë se është krah opozitës. Deklarata e tij e pak ditëve më parë duke kërcënuar me dorëheqje apo vetëvrasje, e tregoi qartë se kemi një aleancë të zgjeruar kundër qeverisë. Teksa PD e LSI protestojnë në rrugë për rrëzimin e Ramës, presidenti po lufton institucionalisht kundër qeverisë. Edhe pse ka shumë pak kompetenca, Meta po mundohet që si e si të pengojë sadopak punën e ekzekutivit. Meta prej 2 muajsh po mban të bllokuar emërimin e kreut të ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Mazhoranca i rrëzoi atij dy kandidatura, atë të Bahri Shaqirit dhe të Vitore Tushës. Por Meta duhet të kishte propozuar një emër të ri, pasi KLSH është në një situatë të vështirë, duke qenë se Bujar Leskaj është larguar. Prej 2 muajsh Meta ende nuk ka propozuar një emër, duke lënë në ngërç KLSH. Një tjetër lëvizje e tij është ajo për shkarkimin e gjeneral Ylber Dogjanit. Ministrja e Mbrojtjes i ka kërkuar Metës lirimin e tij nga detyra, me argumentin se ai ka pasur përgjegjësi për vjedhjen e armëve në bazën e Pashalimanit. Gazeta ka pyetur pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe ajo bëri me dije se presidentit i janë vënë në dispozicion të gjitha materialet e nevojshme. Meta pas kërkesës së shkarkimit ka kërkuar informacione shtesë nga ministria, por kjo e fundit ja ka dhënë të gjitha informacionet. Por Meta nuk ka marrë ende një vendim për gjeneralin, duke treguar edhe një herë përplasjen e fortë që ekziston mes tij dhe qeverisë. Këto lëvizje të Metës vijnë pas bllokimit që i bëri Gent Cakës si ministër të Jashtëm, apo dhe pas përplasjeve me kryeministrin për Sandër Lleshajn. Realisht kemi një përplasje të fortë mes qeverisë dhe Presidencës. Meta ka thyer disa ligje për rishqyrtim, ndërsa po ashtu në çdo dalje sulmon kryeministrin dhe ekzekutivin. Pra duket qartë se Berisha-Meta-Kryemadhi po tentojnë të godasin në çdo front shefin e qeverisë, por që deri më tani nuk kanë pasur asnjë sukses. Tentativat e Metës për të bllokuar institucionet janë të zakonshme, pasi ai mbajti peng shortin për KED për muaj e muaj me radhë. Po ashtu nuk dekretoi për më shumë se 1 vit kreun e SHISH, ndërsa vetëm dje propozoi kandidatët e fundit për Gjykatën Kushtetuese.

Frika e reformës në drejtësi

Në Shqipëri kemi një konflikt shumë të thellë politikë. Nga njëra anë është opozita ajo e cila dogji mandatet dhe po mundohet të fusë në kaos vendin, ndërsa nga ana tjetër dhe presidenti nuk po qëndron dot mbi palët, por sulmon qeverinë. Por pse po ndodh e gjithë kjo? Dyshimet janë se gjithçka lidhet me reformën në drejtësi. Tashmë nuk e ndal dot askush Strukturën e Posaçme Antikorrupsion dhe Byronë e Hetimit. Deri më tani opozita kishte vënë me dhjetra stërkëmbsha ndaj reformës, ndërsa po ashtu dhe vetë presidenti ka nisur ta sulmojë procesin. Por tani që gjithçka ka hyrë në shina dhe askush nuk e pengon dot, palët janë alarmuar. Shpresat e opozitës janë se do rrëzojë qeverinë dhe do fitojë thellë përballë PS në zgjedhjet e parakohshme. Po ashtu shpresat e tyre janë që të marrin rreth 84 vota dhe pastaj të ndërhyjnë në reformën në drejtësi. Argumentet që ata përdorin janë se do ndërhyhet për të ndalur kapjen e reformës, por e gjitha ka si qëllim bllokimin e saj. Megjithatë ky plan i opozitës është i parealizueshëm dhe e vetmja gjë që duhet pritur është se me kë do nisë punë SPAK. 

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here