Pas prokurorisë, gati edhe Gjykata Antikorrupsion, 14 anëtarë të Krimeve të Rënda emërohen automatikisht

0
458

Organet e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk do të kenë më asnjë pengesë. Më 21 shkurt u mbyll gara për Prokurorinë e Posaçme, por shumë shpejt do të jetë gati dhe Gjykata Speciale. Gazeta ka mësuar detajet mbi procedurat që do të ndiqen që SPAK të jetë gati si në aspektin e prokurorisë, ashtu dhe në atë të gjykatës. Ngritja e prokurorisë do të varet nga vetingu i 27 kandidatëve, ndërsa për gjykatën puna do të jetë më e lehtë. Sapo të jenë përzgjedhur 15 anëtarët e Prokurorisë së Posaçme, menjëherë do të jenë gati dhe Gjykata e Shkallës së Parë Antikorrupsion dhe më pas ajo e Apelit. Në bazë të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të bëhet edhe nëse vetingu për ta nuk është mbyllur. Shumica e anëtarëve të Krimeve të Rënda dhanë dakordësinë për të kaluar te SPAK. Por sipas nenit 162, të gjitha ata emra që kanë hyrë në veting, do të kalojnë në mënyrë të përkohshme te Gjykata e Posaçme. Në momentin që dikush ngel në veting, largohet, ndërsa ai që rikonfirmohet emërohet me mandat 9 vjeçar. “Nëse ndaj gjyqtarit në detyrë të Gjykatës së Krimeve të Rënda ka filluar procesi i rivlerësimit në shkallë të parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me vendim të formës së prerë, dy javë pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë Gjyqësor cakton gjyqtarin përkohësisht në nivelin përkatës në gjykatën e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, me kusht që ai, si dhe familjarët e afërm të tij të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, sipas ligjit ‘Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar’”, thuhet në ligj.

Emrat

Nga të dhënat e Këshillit të Lartë Gjyqësor bëhet me dije se janë 22 anëtarë të Krimeve të Rënda që kanë shfaqur interes për të qenë pjesë e Gjykatës Speciale, emra që vijnë nga shkalla e parë dhe ajo e apelit. Por nga këta, 14 emra mund të emërohen automatikisht. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka nisur procesin e vetingut për 14 anëtarë të shkallës së parë dhe në bazë të ligjit ata kalojnë automatikisht te gjykata speciale. Më pas vetingu do të vendosë nëse ata do të qëndrojnë në postet që do u jepen, apo do të marrin mandate të plota.

Procedurat e kryetarit

Në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve jepen detaje dhe se si do të veprohet me kryetarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. “Kryetari në detyrë i Gjykatës së Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë dhe të Apelit qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të gjykatës së posaçme, me përjashtim të rasteve kur ka shkaqe për mbarimin e statusit të magjistratit, në zbatim të pjesës III, kreu VIII, të këtij ligji ose si rezultat i procesit të rivlerësimit, në përputhje me ligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Këshilli i Lartë Gjyqësor ngre në detyrë pa vonesë gjyqtarët që kalojnë me sukses procesin e rivlerësimit në një pozicion të lirë në gjykatat e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, me qëllim për të siguruar numrin minimal të

gjyqtarëve të përcaktuar për këto gjykata në ligjin ‘Për organizimin e pushtetit gjyqësor në

Republikën e Shqipërisë’”, thuhet aty./Kliti TOPALLI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here