Ekspozita “L’eterno femminino”: Përfaqësimi i gruas shqiptare nga shekulli i njëzetë deri më sot” është çelur me veprat e 36 artistëve në rezidencën e Italisë në Tiranë. Kuruar nga Artan Shabani, ekspozita sjell një përzgjedhje veprash të artistëve dhe artisteve shqiptare nga shekulli i njëzet deri në ditët e sotme, që kanë portretizuar figurën femërore. Ekspozita “L’eterno femminino” (Femërorja e përjetshme) bën bashkë artistë të brezave të ndryshëm, nga periudha e nëntëqindtës shqiptare, etapa e vetë-izolimit, deri tek shprehjet bashkëkohore të ditëve tona (2019). Sipas kuratorit, imazhi i gruas është një vijimësi e krejt artit pamor, krijuar prej të dy gjinive të artistëve. Gruaja, mbetet ndër subjektet më të trajtuara në rolet e saj në shoqëri dhe me domethëniet e tyre simbolike. Në këtë ekspozitë spikasin emrat të njohur të historisë së artit tonë ndër vite, por dhe të rinj. Arben Bajo, Llambi Blido, Pëllumb Bylyku, Adrian Çene, Kristanja Çene, Greta Dhaskal Lami, Mumtaz Dhrami, Ibrahim Kodra, Guri Madhi, Flutura Maçi, Lasgush Poradeci, Robert Përmeti, Qamil Prizreni, Sofia Zengo Papadhimitri, Simon Rrota, Albana Shoshi, Zef Shoshi, Suzana Varvarica, Vilson Kilicia, etj, janë pjesë e kësaj ekspozite me veprat e tyre. Kuratori Artan Shabani shprehet se “L’eterno femminino” shfaqet si ekspozitë kushtuar figurës së gruas, nga figura e nënës tek ajo e vajzës, nga modelet në studiot artistike tek shoqja e jetës, nga krokitë në letër tek emërtesa buçitëse e dheut tonë me emrin, Nënë Shqipëri. “Ekspozita “L’eterno femminino” bën bashkë artistë të brezave të ndryshme, nga periudha e nëntëqintës shqiptare deri tek shprehjet bashkëkohore. Gruaja, ngelet ndër subjektet më të trajtuara në rolet e saj në shoqëri dhe me domethëniet simbolike. Mënyrat e paraqitjes së figurës së saj kanë ardhur duke e ndryshuar ”variablin e tharmit artistik” mbi të, si në teknikat artistike, në ndryshimin e shijeve estetike dhe përthyerjet etike të lëvizjeve të ndryshme të artit, duke ruajtur thelbin e mënyrës së funksionit dhe rolit të saj në shoqëri”, shprehet kuratori Shabani.
Veprat dhe artistët
Veprat e para me subjektet kushtuar femrës i gjejmë veçanërisht tek, Pjetër Marubi, Ndoc Martini, Simon Rrota, Kol Idromeno, Zef Kolombi, Spiro Xega, Sofia Zengo, Androniqi Antoniu etj. Sipas kuratorit, jo më pak nga rëndësia janë portretet, nudot, kompozimet e figurave femërore nga artistet e kohës si: Andrea Kushi, Vangjush Mio, Janaq Paço, Kristina Koljaka etj. Këta emra janë të rëndësishëm për pjesën e parë të nëntëqindtës shqiptare dhe për frymën europiane që i dhanë artit në Shqipëri. Kuratori Artan Shabani vijon se pas viteve ‘60 dhe deri në rënien e murit të Berlinit kemi një qasje tjetër në prezantimin e figurës dhe rolin e femrës shqiptare, një pjesë e mirë e artistëve shqiptar deri në vitet 61 studiuan në “I.E.Rjepin” në Leningrad sot Shën Petërburg, në Pragë, në Bukuresht, Sofie, Varshave, Beograd, Zagreb etj. Kthimi i tyre në Shqipëri sjell ndjeshëm stilin dhe mesazhet e një qëndrimi që përfshinte artin lindor. Kjo frymë ndihej qartë në të gjitha shprehitë artistike dhe kultivimit të atij qëndrimi, nga revistat e ndryshme të kohës deri tek parullat në hapësirat publike, nga skulpturat e shesheve tek posterat e kinostudios dhe pllakatet unike të Safo Markos, Pandi Meles, Ibrahim Çezmës, Shyqyri Sakos, Ksenofon Dilos etj. Asaj kohe, ekspozoheshin vepra me dimensione muzeore të artistëve Fatmir Haxhiu, Çlirim Ceka, Hasan Nallbani, Bashkim Ahmeti etj. Mes artistëve pjesëmarrës, Kristanja Çene vjen me një autoportret të fortë alla Botticelli. Kuratori Artan Shahani vijon se piktura e saj është premtuese. “Si një artiste e kultivuar në mjedisin familjar mes pikturave dhe vizatimeve ajo mbart një ngarkesë që ende është në fillesat e saj premtuese”, pohon ai. Për kuratorin Shabani, qetësia dhe uniciteti i Lasgush Poradecit, portret i një dashnie të pathëne na intrigon pafund. Suzana Varvarica prezantohet me një krijim të vitit 1989, e cila asokohe u ndalua. Çdo pikturë mbart në vetvete edhe një histori e tillë është punë e mjeshtrit guri madhi krijim i vitit 1966. Nga data 4 shkurt deri më 30 prill 2019, Rezidenca e Italisë në Tiranë mirëpret ekspozitën “L’Eterno Femminino”: Përfaqësimi i gruas shqiptare nga shekulli i njëzetë deri më sot”.
Nga Julia Vrapi