Organet e reja antikorrupsion duket se shumë shpejt do të jenë funksionale. Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit do të jenë ato të cilat do të luftojnë korrupsionin në nivele të larta dhe do të hetojnë pushtetarët shqiptarë. Deri tani pengesë për ngritjen e këtyre strukturave kanë qenë Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. Këto dy të fundit nuk janë ngritur dot për shkak të mungesës së kandidatëve. Por në një kohë kur numri i kandidatëve që duhet të shfaqnin interes u plotësua, tanimë duket se edhe procesi i vetingut për ta është vetëm një hap larg. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka njoftuar se ditën e premte të kësaj jave do të mbahet seanca dëgjimore për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit të Shkodrës, Luan Dervishi, i cili njëkohësisht kandidon edhe për KLGJ. Luan Dervishi është pretendenti i vetëm për Këshillin e Lartë Gjyqësor që nuk ka hyrë në veting dhe fakti që brenda kësaj jave do të zhvillohet seanca dëgjimore për të, tregon që procesi i rivlerësimit për të ka përfunduar. “Subjekti: Luan Dervishi, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër, kandidat KLGJ. Vendi: Pallati i Koncerteve (ish-Pallati i Kongreseve), salla ovale, kati 1. Trupi gjykues: Etleda Çiftja, Firdes Shuli, Pamela Qirko. Ora: 12:00”, thuhet në njoftimin e KPK. Me shumë gjasë, vendimi për të mund të jepet ditën e hënë, çka do të thotë se nuk do të ketë më asnjë pengesë për ngritjen e KLGJ, duke qenë se të gjithë kandidatët e tjerë e kanë kaluar sfidën e vetingut.
Rruga që do të ndiqet
Sipas informacioneve të gazetës, pritet që si Gjykata e Lartë, ashtu edhe Prokuroria e Përgjithshme ta thërrasin në të njëjtën kohë Mbledhjen e Përgjithshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve me qëllim zgjedhjen e anëtarëve të mbetur për KLP dhe KLGJ. Më konkretisht, Gjykata e Lartë do të zgjedhë me short 6 anëtarë të KLGJ, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme 6 të KLP. Për këtë të fundit mësohet se shumë shpejt do të kalojnë në sitë edhe dy kandidatët e mbetur: Besnik Cami dhe Shpëtim Kurti. Sipas të gjitha gjasave, këta dy emra pritet të përballen me vetingun gjatë javës së ardhshme me qëllim që ky proces të mbyllet sa më parë. Kjo do të thotë se deri në fund të nëntorit Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme do t’i kenë zgjedhur anëtarët e mbetur të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe deri në fillim të dhjetorit organet e reja të drejtësisë do të jenë gati. Sapo të konstituohen këto struktura, puna e parë që do të bëjnë do të jetë përzgjedhja e anëtarëve të SPAK me qëllim që të ketë rezultate të prekshme në luftën antikorrupsion. Sipas ligjit, SPAK do të ngrihet 2 muaj pas ngritjes së KLGJ dhe KLP, pra gjatë muajit shkurt të vitit të ardhshëm pritet që kjo strukturë të jetë gati. Ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe e Këshillit të Lartë të Prokurorisë mori kaq shumë kohë për shkak të disa problemeve të hasura gjatë rrugës. Teksa Kuvendi arriti t’i përzgjedhë me sukses 5 anëtarët për secilin organ, ashtu siç ia përcakton ligji, ngërçi qëndronte tek zgjedhja e 6 anëtarëve të tjerë. Si fillim për KLP dhe KLGJ patën shprehur interes një sërë emrash, të cilët u futën në veting me përparësi, por shumë prej tyre ngelën. Për këtë arsye, Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme u detyruan të hapin sërish garën për kandidatë. Në limitet e kohës, për KLGJ aplikuan Brikena Ukperaj (e ka kaluar vetingun) dhe Luan Dervishi (kalon këtë javë në sitë). Ndërsa për KLP aplikoi vetëm Bujar Sheshi, i cili e ka kaluar vetingun.
Mimoza Ibra