Nga Julia Vrapi
Libri po përjeton një periudhë të vështirë, ku për botuesit shqiptarë është skandaloze çfarë po ndodh me piraterinë. Shtëpitë botuese në vend po përballen me problem të ndryshme, ku sipas tyre pirateria e librave po dëmton jo pak. Shoqata e Botuesve Shqiptarë ngre shqetësimin për piraterinë e botimeve shqiptare në vendin tonë e sidomos në trevat shqipfolëse, duke i bërë thirrje edhe institucioneve që të reagojnë. Përpjekjet për të luftuar piraterinë në botime mblodhën një ditë më parë botuesit shqiptarë, ku ata denoncuan se me fondet e komunës së Tetovës në Maqedoninë e Veriut, janë blerë tekste librash të shtypur pa të drejta autori. Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë Petrit Ymeri tha se kjo është një situatë shumë shqetësuese. “Prej disa vitesh e kemi shumë shqetësuese këtë situatë në Tetovë dhe në Kosovë, ku janë bërë edhe gjyqe. Janë disa shtëpi botuesve, të vogla e të mëdha që shesin sot e gjithë ditën në librari dhe në Panairin e Prishtinës, librat tanë të piratuar”, u shpreh Ymeri kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë një ditë më parë. Një ditë më parë në emër të SHBSH, Petrit Ymeri informoi për bisedat që ka pasur me institucione dhe drejtues të lartë në Maqedoninë e Veriut dhe përmendi një mundësi të takimit midis palëve në ditët në vijim. “Ne kërkojmë edhe ndërhyrjen e shtetit tonë në këtë ndodhi të përsëritur. Ashtu siç kërkojmë që të ndërhyhet në piraterinë e librit në format elektronik, që është shumë e përhapur në vendin tonë”, tha Ymeri ndër të tjera. Një nga çështjet që u diskutua ishte indiferenca e administratës dhe institucioneve tona për problemet e librit, ku u soll në vëmendje heqja e barrierave fiskale kufitare midis Shqipërisë dhe Kosovës ,etj, mungesa e mbështetjes me fonde shtetërore të sektorit të librit, për bibliotekat publike sidomos, mungesave e sektorëve profesionalë për punën me librin në ministrinë që mbulon edhe kulturën. Kryetari i SHBSH tha se drejtori libri nuk ka prej vitesh. “Ne nuk kemi ministri Kulture. Nuk kemi as drejtori të librit dhe bibliotekave që prej vitit 2014”, vijoi Ymeri ndër të tjera.
Shteti nuk do t’ia dijë për librat
Botuesi Bujar Hudhri që denoncoi një rast nga Tetova, sipas tij pre e piraterisë kanë rënë edhe libra të shkrimtarit Ismail Kadare. “Kanë bërë libra piratë në marrëveshje me komunat. Dhe i çojnë direkt në biblioteka. Tani kanë avancuar aq shumë sa vetë shteti, vetë kryetari i komunës blen një mall të vjedhur. Janë librat e të gjithë botuesve shqiptarë. Këto libra të shtypur në mënyrë skandaloze, madje të përgjysmuara, janë të destinuara për të gjithë brezat e nxënësve”, tha Hudhri. Pirateria e librave vazhdon të jetë problem në vendin tonë, por botuesit sjellin në vëmendje se me zhvillimin e teknologjisë po bëhet më i lehtë kopjimi i veprave të ndryshme. Botuesit janë të shqetësuar sa i përket këtij fenomeni, i cili duket se po dëmton jo pak. “Shteti shqiptar s’do t’ia dijë fare për librat dhe më duket qesharake ta ngre këtë problem në një zyrë të shtetit shqiptar”, shprehet botuesi Hudhri. Ndërsa edhe kryetari Shoqatës së Botuesve Shqiptarë Petrit Ymeri thotë se skanohen libra pa të drejta dhe shiten. “Në Shqipëri është shumë e dëmshme pirateria që bëhet nëpërmjet librit digjital. Libra që skanohen, futen në portale dhe shiten. Skadojnë librat tanë pa të drejta dhe i shesin”, tha Ymeri. Shoqata e Botuesve Shqiptarë herë pas here ka reaguar për probleme të ndryshme me librin, gjendjen e bibliotekave në vend, etj, duke sjellë në vëmendje se duhet bërë më shumë nga institucionet përgjegjëse.