Ja abuzimet e Ilirjan Mandros në Akademinë e Sigurisë, KLSH 5 ligje të thyera nga shkeljet e kompetencave dhe…

0
72

Gazeta “SOT”, në investigimet e saj, është marrë gjerësisht me përdhosjen e ligjit të arsimit të lartë nga Rektori Ilirjan Mandro, i cili, me veprimet e tij, e ka futur këtë institucion në një paligjshmëri totale. Në një pjesë të mirë të investigimit tonë, disa probleme janë trajtuar edhe më thellësisht nga raporti i KLSH. Ajo që kemi evidentuar është se ky zyrtar ka vepruar dhe vepron si një despot, duke shkelur ligje, VKM apo akte të tjera nënligjore, dhe vazhdon t’ia hedhë paq. Përkëdhelja që i është bërë nga pushteti këtij zyrtari duket edhe në një auditim të bërë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit “Për realizimin e kontrollit të pajtueshmërisë së veprimtarisë së institucioneve të arsimit të lartë, me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi” më datë 07.12.2022.

Nga informacioni i gazetës, Ilirjan Mandro, duke përdorur lidhje të forta me Sekretarin e Përgjithshëm, Erzen Tola, ka arritur të legalizojë të gjitha shkeljet e ligjit për arsimin e lartë, pa i hyrë një gjemb në këmbë. Nëse lexon këtë raport auditimi, kuptohet lehtësisht favorizimi që i është bërë Mandros nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Gazeta do të investigojë më tej edhe këtë rast, por le të merremi me raportin e KLSH. Sipas KLSH, Rektori Ilirjan Mandro ka kapërcyer kompetencat që i jep ligji për arsimin e lartë, duke futur në kolaps këtë institucion.

Detajet nga raporti

Ja çfarë shkruhet në pikën 20 të këtij raporti: “Gjatë auditimit të veprimtarisë së institucionit për periudhën 2022-2023, rezultoi mbivendosje e kompetencave midis Rektorit dhe Administratorit, pasi nga Rektori janë ushtruar funksione që lidhen me menaxhimin financiar dhe kontrollin. Konkretisht: Rektori i AS-së ka nxjerrë urdhrat e prokurimit, ka nënshkruar urdhër-shpenzimet si dhe urdhër-shërbimet në këtë institucion. Veprimet e mësipërme bien në kundërshtim me: Ligjin nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë në RSH”, neni 39, pika 1 dhe neni 51, pika 1. Ligjin nr. 10296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” (i ndryshuar). Ligjin nr. 162, datë 23.12.2020 “Për prokurimin publik”, neni 21, pika 5. Statutin e Akademisë, miratuar me urdhër të përbashkët nr. 130, datë 10.03.2023, të Ministrit të Arsimit dhe Sportit si dhe të Ministrit të Brendshëm, neni 12.

Rregulloren e Akademisë së Sigurisë, miratuar me vendim të Senatit Akademik nr. 77, datë 02.05.2023. Pra, Rektori ka shkelur 5 akte ligjore dhe nënligjore për një vit të tërë, pa iu dridhur qerpiku, duke firmosur tenderat dhe aktet e tjera financiare. Për ta bërë më të thjeshtë për lexuesin, në ligjin për arsimin e lartë përcaktohet se “Rektori është autoriteti më i lartë akademik i institucionit të arsimit të lartë, si dhe përfaqësuesi ligjor për çështjet akademike dhe protokollare”. Me pak fjalë, ai është përgjegjës për pritje, përcjellje të delegacioneve, autoriteteve të larta shtetërore, ceremonitë zyrtare, etj. Pra, ky përcaktim e ka bërë të qartë që veprimet e tij me tenderat apo veprimtaritë e çdo lloji financiar janë kryer krejtësisht në shkelje të disa ligjeve. Kjo përbën një rast unik, ku një zyrtar shkel kaq shumë ligje me ndërgjegje të plotë dhe nuk merret i pandehur nga Prokuroria për shpërdorim detyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here