Nikolla Llambro: Filmi “Njeriu me top” i vitit 1977, që shfaqet i digjitalizuar ka një realizim të lartë artistik

0
73

Nga Julia Vrapi

Filmi shqiptar “Njeriu me top” i vitit 1977 me regji të Viktor Gjikës është bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtarit Dritëro Agollit. Filmi u shfaq për herë të parë i digjitalizuar në 4K, në Teatrin dhe Kinemanë Verore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Në film interpretojnë një kast aktorësh të njohur në role, mes tyre në rolin e komandantit të çetës partizane është dhe aktori i njohur Nikolla Llambro. Filmi u shfaq në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit. Por aktori i njohur Nikolla Lambro që ka role në disa prej prodhimeve të kinematografisë shqiptare sjell në vëmendje dhe punën që është bërë atë kohë me filmin. “Artistikisht filmi për mua është një realizim cilësor nga regjisori Viktor Gjika.

Roli i Matos luajtur nga Timo Flloko është realizim i përsosur. Tërë aktorët e zgjedhur janë në vendet e tyre dhe karaktere të spikatur. Mos harrojmë që plaku Mere rol i Kadri Roshit është një realizim epik i shkëlqyer dhe i rrallë. Filmi është me aktorë të shquar të kohës një pjesë e të cilëve kanë ikur nga jeta”, shprehet aktori Nikolla Llambro për filmin. Sipas materialeve më parë, regjisori Viktor Gjika e bëri vetë skenarin, duke u konsultuar edhe me Agollin për të arritur te filmi “Njeriu me top”. Në film interpretojnë aktorët Timo Flloko, Stavri Shkurti, Drita Pelinku, Zef Bushati, Kadri Roshi, Sandër Prosi, Thimi Filipi, Elida Cangonji, etj. Muzika u kompozua nga Limos Dizdari. Xhirimet e filmit që është në koleksionet e Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit u bënë në fshatrat e Delvinës, Përmetit dhe Krujës.

Ngjarjet në film

Për ngjarjet në këtë film aktori Nikolla Llambro thotë se sjell një aspekt të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare e parë nga një këndvështrim i veçantë. Sipas tij, në film ishte dhe përpjekja për bashkim. “Filmi me regji të Viktor Gjikës ka një realizim të lartë artistikisht. Në të trajtohen dhe konfliktet patriarkale brenda fiseve në fshatrat shqiptare të cilat sillnin përçarje, hasmëri e gjakderdhje. Një nga qëllimet e aspektit të luftës, përveç luftës së madhe luftë okupatorëve të huaj, ishte dhe përpjekja për bashkim dhe shuarja e hasmërisë që në atë kohë ishte shumë e zhvilluar. E veçanta e filmit ishte se lufta e madhe ishte në sfond, por ndikimi i saj në jetën e fshatarëve ishte direkte, pasi fiset nëpër fshatra ishin të përpara.

Një pjesë ishte e lidhur me luftën, të tjerët të lidhur me okupatorin. Bukuria dhe e veçanta e filmit qëndron te humbja dhe kërkimi i një topi, i mbetur dhe i fshehur në fshat. Topi është fshehur nga Mato Gruda, i cili e përdor për të marr gjakun e fisit. Rreth kësaj shtrihet intriga, por që ky top përdoret pastaj nga personazhi Mato kundër gjermanëve”, thotë aktori për filmin. Viktor Gjika ishte një nga regjisorët më të rëndësishëm dhe të shquar të filmit shqiptar, ku dhe më parë janë shfaqur filma të tij që janë restauruar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here