Muharrem Xhafa, ish-shef i Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës ka komentuar situatën politike në Shqipëri, ndërsa ka hedhur akuza të forta në adresë të politikanëve kryesorë që kanë drejtuar vendin në këto 30 e ca vite demokraci. Në një intervistë ekskluzive dhe të jashtëzakonshme për gazetën “SOT”, zoti Muharrem Xhafa, ka hedhur dritë mbi disa nga skandalet më të mëdha që kanë shënuar historinë moderne të vendit dhe jo vetëm.
Xhafa, me një qasje të guximshme dhe të drejtpërdrejtë, ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha si agjent të Sigurimit të Shtetit dhe UDB-së, ndërkohë që zbuluar një rrjet kompleks korrupsioni që përfshin disa nga politikanët më të fuqishëm të vendit. Sipas tij, Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij, përfshirë ish-presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama, kanë ndërmarrë masa për të ndaluar hetimet dhe për të penguar Prokurorinë Speciale (SPAK-un) në ngritjen e akuzave ndaj tyre.
Ky rrëfim i bujshëm i Z. Xhafa për kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, ofron një pamje të detajuar të mënyrës se si janë blerë certifikatat e sigurisë dhe si janë manipuluar institucionet për të mbrojtur interesat e tyre. Po ashtu, në këtë intervistë, ish-shef i Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës nxjerr detaje e analizon ndodhitë që kanë shokuar opinionin publik dhe kanë tronditur themelet e politikës shqiptare.
-Zoti Xhafa, Shqipëria prej më shumë se tre dekadash ndodhet në demokraci. A jemi sot një vend realisht demokratik për të përmbushur aspiratën që kishim në fillim të viteve ’90: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”?
Unë s’e kam fshehur asnjëherë që as kam qenë, as nuk jam, as nuk do të jem dakort me sloganin “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”. Për mua, kjo ishte një gënjeshtër e madhe e kapitalizmit amerikano-europian, i cili kishte si qëllimi jo zhvillimin e popullit shqiptar, po shembjen e rendit socialist në Shqipëri, pastaj në djall vafshi! Rigels, vendi ynë në Europë ishte, por jetonte në një rend tjetër, në rendin socialist.
Askënd nuk sulmonte, askujt nuk i binte në qafë, po edhe askush nuk guxonte ta sulmonte, se e zinte gjarpri, ngrihej në këmbë një popull i tëre. Kur një herë e sulmuan ushtarakisht nga jashtë, ata që e sulmuan e panë se ç’i gjeti! I nderuar, Europa kapitaliste ishte me plot sëmundje e plagë. Edhe sot kështu është! Tani që u bëmë Europë, dmth kapitalizëm, shihni, ju lutem, se në ç’nivele kanë shkuar në Shqipëri droga, krimi, korrupsioni e sëmundje të tjera të kapitalizmit europian e botëror.
Nuk them se fara e atyre plagëve e sëmundjeve nuk ekzistonte në vendin tonë, sepse kjo do të ishte e pavërtetë, por ishte në nivele fare – fare të vockla, të papërfillshme. Kurse sot ato plagë veprojnë sheshit dhe marrin shumë jetë njerëzish. Po do të thotë ndonjëri: kush pyet për jetën e njerëzve, tani “rëndësi” kanë paratë. Pse a nuk ke dëgjuar që pasanikët e korruptuar janë razi, të gati, të shkojnë prapa hekurave vetëm që pasuria e vjedhur të mos u konfiskohet, mbasi në burg ata jetojnë si pashallarë!
Shteti dhe shtetarët, që nga viti 1990, i kanë nxitur dhe i kanë stimuluar plagët e kapitalizmit dhe të korruptuarit, sepse përmes atyre sëmundjeve janë pasuruar dhe po pasurohen. Shteti borgjez shqiptar dhe shtetarët borgjezë shqiptarë bëjnë sikur luftojnë kundër atyre sëmundjeve e plagëve të kapitalizmit, po, në të vërtetë, jo, sepse të pasurit nuk jetojnë ndryshe! Plagët i vuajnë të varfrit, o mik, jo të pasurit! A…mbase jo të gjithë janë të korruptuar. Dakort, por kjo është tjetër gjë, veçse për t’u pasuruar, në kurriz të popullit janë pasuruar të gjithë, edhe kjo kategori. Kush nuk e di këtë, le ta mësojë.
Cilido le të mësojë se pushtetarët e korruptuar dhe kriminelë i varfërojnë popujt e tyre, madje i varfërojnë aq shumë sa i bëjnë të kalojnë gjithë kohën për të siguruar bukën e gojës, që të mos u mbetet kohë për t’u ngritur në revolta e protesta për mbrojtjen e të drejtave të veta. A jemi sot realisht një vend demokratik?, pyetët ju. Mik, në kapitalizëm ka demokraci për të pasurit, jo për të varfërit, ka demokraci për të qenë të nënshtruar, për t’i shërbyer borgjezisë, të veshurve me pushtet!
Në kapitalizëm nuk ka demokraci për të varfërit! Ato që thuhen në kapitalizëm për demokracinë janë përralla me mbret. Kjo duhet kuptuar mirë, se njerëzit e punës janë ata që i pasurojnë të pasurit. Apo jo? Të pasurit nuk jetojnë pa të varfërit. Nuk i ke lexuar afishet ngjitur xhamave të dyqaneve: Duam kamerier – e, kuzhinier – e etj.? Kjo dukuri lindi kur rinia iku jashtë vendit të vet!
-Përse ka kaq shumë korrupsion në këtë vend, është realisht drejtësia që nuk funksionon, apo jemi popull që kërkojnë të përfitojmë pa u lodhur shumë?
Ka mbi 30 vjet që sidomos të rinjtë kanë marrë rrugët e botës, fenomen ky që ka ardhur duke u agravuar! Ku kanë shkuar gjithë ato fonde që ka dërguar bota? Në xhepat e shpuar të popullit apo në xhepat e pushtetarëve të korruptuar e të fuqishëm, të cilët shteti bën sikur nuk i sheh. Sa më i korruptuar të jetë shteti, aq më i korruptuar do të jetë vendi dhe çdo organ i tij, vetë shoqëria. Po nuk vodhi shteti, edhe organet e tij kanë frikë të vjedhin, edhe shoqëria është më e pastër.
E di që s’ka vende kapitaliste pa korrupsion e pa të korruptuar. Po pse ka kaq shumë korrupsion në Shqipëri?, pyesin njerëz të ndershëm. Mik i dashur, kjo sëmundje gangrenë është e kapitalizmit, jo e socializmit, e të pasurve jo e atyre që s’kanë bukë të hanë e të blejnë ilaçet. A…jo në të gjitha vendet kapitaliste niveli i korrupsionit është i njëjtë. Po, dakort, sepse ka shtete e vende kapitaliste që luftojnë më shumë kundër korrupsionit, siç ka vende të tjera kapitaliste, që luftojnë pak kundër dhe kanë më shumë të korruptuar. Po edhe vendet që luftojnë më shumë kanë korrupsion dhe vuajnë nga sëmundja e korrupsionit, sepse shteti kapitalist dhe pushtetarët kapitalistë s’kanë si pasurohen ndryshe!
Flisni ju edhe për drejtësinë nëse ajo funksionon apo ? O, mik, po kush e pjellë drejtësinë, a nuk e pjellë Kuvendi i borgjezisë? A nuk i pjellë ky Kuvend i borgjezisë organet e drejtësisë borgjeze? A është i pastër Kuvendi i saj? Shihni se nga kush përbëhet, pastaj flasim. Për deri sa Kuvendi është i borgjezisë, edhe drejtësia është e borgjezisë, jo e punëtorisë! A nuk është shkruar në gazetën “Sot” se X-i apo Y-i janë dënuar sepse kanë vjedhur 2 apo 3 kilovat energji elektrike, ndërsa një borgjez që ka vjedhur miliona euro, jo?! Madje është shkruar se milioneri ka ikur në “rrugë të paditur” dhe se biletën e udhëtimit ia ka blerë shteti me paratë e popullit! Shteti i di se ku fshihen të korruptuarit, vrasësit, horrat, etj. I di, i di! E ç’mund të bëjnë në këto rrethana organet e drejtësisë borgjeze? Vetë të pasurit e të korruptuarit janë ata që i kanë vënë në detyrë! A vërtetë mendohet se organet e drejtësisë janë të pavarura? Ata që mendojnë kështu janë naivë, për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër më të rëndë. Kush ekstradohen nga jashtë?
Ata që nuk i duhen më shtetit, ata që nuk u duhen më pushtetarëve të fuqishëm, por të korruptuar! Rigels, a mos ti mendon se media në Shqipëri është e pavarur? Jo, mik, jo! Medja është e varur, është e varur nga borgjezia, është e varur nga partitë e saj. A s’është vënë re që për gjërat themelore, (themelore sipas tyre) nuk ka borgjezi të majtë e të djathtë, por ka vetëm një borgjezi të pasur, që voton në bllok. E gjithë borgjezia bie dakort që në Shqipëri të ketë fashizëm e nazizëm, sepse është borgjezia ajo që kalon a degjeneron në fashizëm ose nazizëm. jo punëtoria. “Harrohet” prej saj se kush i bëri zap fashizmin e nazizmin! A nuk keni vënë re se fashizmi në mos është vendosur, po vendoset në Shqipëri e më gjerë?
Po… zihen e kacafyten, siç po shihet në Kuvend, por kjo ndodh se cila nga partitë politike të jetë në pushtet për vehte. Se në kapitalizëm kush është në pushtet ka më shumë mundësi për të vjedhur, për të abuzuar me pushtetin. Vetë shteti është i varur nga borgjezia. Në kapitalizëm shteti e pushteti janë të borgjezisë, jo të popullit, për popullin pyesin sa t’i marrin votën, pastaj nuk pyet kush për të! Ju flisni edhe për popullin tonë, madje thoni se a mos jemi ne, shqiptarët, popull që kërkon të përfitojë pa u lodhur shumë! Unë e kuptoj domethënien e kësaj ironie, ndaj po i bie shkurt kësaj çështje : Mik, nuk e lejon borgjezia e pasur popullin të pasurohet!
-Prej 11 vitesh kemi një qeveri të majtë. A ka qeverisur siç duhet Partia Socialiste?
Partia Socialiste është parti e majtë, por është parti e borgjezisë. Kjo nuk duhet harruar! Para PS-së, kemi patur në qeverisje PD-në, një parti të djathtë, por një parti të djathtë borgjeze. As kjo nuk duhet harruar! A ka qeverisur PS-ja si duhet?! Duke qenë kundër rendit kapitalist, kuptohet se jam edhe kundër Partisë Socialiste borgjeze. PS, bie fjala, mendon se vendi do të bëjë progres përmes turizmit?! Sipas meje një vend qoftë ky kapitalist ose jo kapitalist nuk bën përpara pa industri të zhvilluar, pa bujqësi të zhvilluar, pa shërbime të zhvilluara. Nuk kam parë që qeveria greke ose spanjolle ose italiane etj., etj. të bëjnë zhurmë e propagandë të shfrenuar për turizmin? Shtetet që përmenda e të tjerë e kanë goxha më të zhvilluar se ne sektorin e turizmit, po nuk bëjnë zhurmë, se e dinë mirë që një popull nuk jeton dot me të ardhurat e turizmit, sado i zhvilluar të jetë. Turizmi i zhvilluar ndihmon, por nuk mund të jetë kurrë primar!
A ka Shqipëria industri të rëndë të zhvilluar? Po bujqësi të zhvilluar a ka? Po shërbime të zhvilluara a ka ? Me se do të jetojë ky popull, me turizëm, me të ardhurat nga turizmi? Jo, o mik, jo! Ndaj me qëllim a pa qëllim, Shqipëria do të bëhet edhe më e varur nga bota, se sa është, edhe më e varfër se sa është, edhe më servile se sa është. Nëse ecet kështu, siç blihet sot çdo gjë nga jashtë, do të blihet edhe nesër. Turp, edhe domatet? Shqipëria po bën çfarë i thotë bota! Dhe shteti do të përpiqet ta gënjejë popullin më shumë se deri më sot! Dhe të korruptuarit e të pasurit do të bëhen më të korruptuar, edhe më të pasur se sa janë, edhe më të egër e më të pamëshirshëm se sa janë. Po, naivët mendojnë ndryshe!
-Mendoni se ka ardhur koha që Edi Rama të mbyll këtë mandat dhe t’i thotë boll qëndrimit në pushtet?
A do ta mbyllë ose jo karrierën e Kryeministrit me këtë mandat dhe a do t’i thotë boll ose jo qëndrimit të tij në pushtet si Kryeministër, këtë Rama e di dhe e vendos vetë, po aq sa i njoh unë disa deputetë të PS-së, ata nuk dëshirojnë që Edi Rama të vazhdojë më shumë si Kryeministër i vendit. Një parti edhe mund të rivotohet, po Kryeministër mund të mos jetë i njëjti njeri! Ky veprim, ia ngre vlerat personit, kushdo qoftë personi!
-A është në gjendje opozita me Sali Berishën dhe Ilir Metën të vijë në pushtet?
Mendoj se vetëm këta të dy, jo! Sali Berisha, për shumë arsye, nuk është në gjendje të qeverisë dhe them se nuk duhet të vijë në pushtet. Për mendimin tim, Saliu duhet ta mbyllë ciklin e tij. Se dr. Berisha mund të jetë më i zoti se shumë të tjerë në PD deri sa të vdesë, po kjo nuk do të thotë që ai duhet të vdesë në karrige! Bile kjo nuk është as në nderin e tij! Unë e kuptoj që ju po flisni për opozitën e Sali Berishës me Ilir Metën, por them se Ilir Meta ka natyrë krejt të ndryshme me Sali Berishën, ndaj them se “dashuria” e tyre nuk mund të shkojë gjatë. Nëse Meta gënjen është tjetër gjë.
-Me pasaportën në xhep sot çdo turist i huaj mund të vizitojë Shqipërinë, por në kohën e regjimit komunist kjo nuk mjaftonte. Turistët priteshin në pikat kufitare nga berberë dhe rrobaqepës, që ua ndalonin hyrjen atyre që kishin pamje që regjimi i cilësonte “shfaqje të huaja”. Flokët e gjatë apo veshjet e papërshtatshme nuk lejoheshin. Më pas niste mbikëqyrja dhe përgjimi. Me këtë bum turistik që po përjeton Shqipëria prej një viti, dy pedagoget Arjana Isaku dhe Brunilda Liçaj dhe eksperte të këtij sektori kanë hapur një ekspozitë-muze “Turistë të përgjuar”, që qytetarët shqiptarë dhe vizitorët e huaj të njihen me turizmin në Shqipërinë komuniste. Ju zoti Xhafa, keni qenë funksionarë i lartë në atë kohë, sa qëndrojnë këto pretendime?
Shqipëria është bërë sot han pa porta, ku mund të hyjë edhe derri edhe dosa. Në socializëm nuk i jepej prioritet turizmit dhe besoj se është vepruar drejtë, pra jam me ato që ju thash më lart, më duket, në pyetjen e parë. Sa për atë që ju thoni se turistët priteshin në pikat kufitare nga berberë dhe rrobaqepës, të cilëve u ndalohej hyrja, pse kishin pamje, të cilat regjimi i cilësonte “shfaqje të huaja” dhe se më pas vinte mbikëqyrja, përgjimi për ta etj., shoh që ka një farë teprimi.
Po, edhe mund të ishte vepruar ndryshe. Por kurrsesi nuk duhen përjashtuar rastet që në radhët e turistëve ka patur e ka edhe agjentë, madje të regjur, kundër vendit tonë. Mos të mendojë ndonjë tifoz i madh i bumit të turizmit se sot nuk ka agjentë. Bota punon, zoti Rigels! Shqipërinë, nuk e hëngri varfëria, po e hëngri tradhtia. Sa për servilët e servilet e pushtetit të borgjezisë, të tillë e të tilla ka patur, ka e do të ketë jo vetëm pedagogë-e, sociologë-e e gogë e goge të tjerë e të tjera, po edhe lloje të tjerë e të tjera servilësh e servilesh. Se edhe këta do të hanë bukë, ecin me moton “qingji i butë pin dy nëna”!
-Ndërkaq ka akuza të hedhura ndër vite se dhe ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë spiun apo bashkëpunëtor i Ish-Sigurimit të Shtetit, madje edhe i UDB. Keni një koment? Sa qëndrojnë këto akuza…
Unë kam qenë dhe jam për çeljen e dosjeve për të gjithë ata që kanë shkelur ligjet e kohës, por jo të paragjykohen, të gjykohen apo dënohen njerëzit me ligj politik. Kjo, përveçqë do të ishte e padrejtë dhe do të nxiste vetëgjyqësinë, do ta ngatërronte edhe më keq çështjen. Për çdo rast të veçantë duhet të bëhet gjyq i veçantë konform ligjeve të kohës, jo ligjeve juridike të kapitalizmit. Se po dalin edhe hajdutët e vrasësit të dënuar politikë! Çertifikatë pastërtie?
Sot cilido mund të marrë një certifikatë pastërtie, mjaft që të jetë i pasur e të paguajë. Pastërtia e figurës se parlamentarit ose shtetarit duhet të jetë përgjegjësi e partive politike, e atyre që bëjnë propozimet dhe e atij që kërkon, jo të mbetet kjo përgjegjësi ekskluzive e KQZ-së. KQZ-ja le të bëjë punën e vet? A ka qenë Sali Berisha spiun, agjent i Sigurimit të Shtetit dhe i shërbimeve të huaja, përfshirë UDB-në etj?, pyesni ju. Unë këtë nuk mund ta konfirmoj, sepse nuk jam marrë me këta sektorë. Po, konfirmoj se kështu flitet për Berishën. Kjo i mbetet detyrë organeve përkatëse. Me saktësi, konfirmoj se Sali Berisha ka qenë anëtar i PPSH-së!
-Ilir Meta dhe Sali Berisha po hetohen nga SPAK. Por thuajse përditë ky çift politikanësh sulmon dhe hedh akuza të forta ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani dhe prokurorëve specialë. A ka ardhur koha që Meta-Berisha të japin llogari para drejtësisë? Dosja e “21 Janarit” tashmë është duke u hetuar nga SPAK. Si e kujtoni ju atë ditë? A duhet të mbajë dikush përgjegjësi për vrasjen e 4 protestueseve në 21 janar 2011…
Sali Berisha e Ilir Meta po hetohen nga SPAK-u për vrasjet e “21 janarit” etj, thoni ju. Po ashtu thoni se ka ardhur koha që Berisha e Meta të japin llogari përpara drejtësisë dhe se çdo ditë ata akuzojnë Dumanin e të tjerë. Përveç sa thashë më lart për drejtësinë, për të gjitha të tjerat kam për të thënë : Sa të jetë Dumani i sotëm, po edhe kur të vij një Duman tjetër nesër, çështja e Berishës, e Metës dhe e Ramës me bashkëpunëtorët e tyre, nuk do të gjejë zgjidhje të drejtë. Këta nuk do të dënohen, sepse, së pari, janë të bashkuar midis tyre, së dyti, sepse ligjet i kanë bëre vetë e për vehte, së treti, sepse organet e drejtësisë, përveç që janë të korruptuara, ato janë ngritur nga borgjezia dhe nuk dalin dot kundër saj! Po, të tjerët, që nuk u hynë më në punë shtetarëve e pushtetarëve që përmenda, ata do të dënohen!
Intervistoi: Rigels Seliman