David Packouz, ortaku i Efraim Diverolit që lidhi kontratë me qeverinë shqiptare me vlerë 300 milionë dollarë për tregtinë e fishekëve, ka rrëfyer takimet me zyrtarë të lartë shqiptarë, si dhe me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Packouz është një prej dëshmitarëve që SPAK ka kërkuar që t’i merret dëshmia përmes letër-porosisë në kuadër të procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Ndër të tjera Packouz flet edhe për biznesmenin Kosta Trebicka, i cili pas tragjedisë së Gërdecit denoncoi aferën, por fill më pas humbi jetën në një aksident në qarkun e Korçës.
Rrëfimi i David Packouz
Ish-zëvendës presidenti i kompanisë Amerikane “AEY”, ortak me Diverolin pretendon se politika shqiptare ishte e përfshirë në këtë proces. Sipas tij, Efraim Deviroli e siguroi kontratën nëpërmjet Delijorgjit, të cilin e takoi së bashku me Shkëlzen Berishën. Packouz foli në një intervistë të gjatë në podcast-in “Connect” në datën 7 korrik të këtij viti për kontratën që ai dhe ortaku i tij lidhën me qeverinë shqiptare për tregtinë e fishekëve.
“Ai (Deviroli) shkon në Shqipëri! Shkon dhe takohet me drejtorin e kompanisë shqiptare të eksportit Ylli Pinarin. Evetualisht, Ylli thotë: Do bëjmë një takim me personin që i merr këto vendime! Dhe ai bën takim me një person që quhej Deliorgji. Deliorgji, gjë që e zbuluam më vonë, ishte kreu i mafies shqiptare. Dhe në një farë mënyrë u përfshi me këtë gjë dhe është i lidhur me djalin e kryeministrit, i cili ishte gjithashtu në takim. Po kështu ndodh, edhe në Rusi! Qeveria dhe mafia, bashkëpunojnë me njëra-tjetrën! Kështu që Deliorgji i thotë Diverolit: E kuptoj që t’i do një çmim më të mirë dhe e di që je duke paguar, këtë personin tjetër Kosta Trebickën, këtë shqiptarin tjetër, për ripaketimin e municioneve! Atëherë pse nuk ma jep mua kontratën e ripaketimit?
Unë do t’i ripaketoj dhe do të bëj para nga ajo kontratë dhe të jap një çmim më të ulët për municionet? Efraim thotë: Po, kjo me duket ide shumë e mirë! Ai është i pushuar… t’i sapo u punësove! Dhe Kosta që zotëronte kompaninë e ripaketimit më merr dhe më thotë: Më kanë ngelur paketime me vlerë 20 mijë dollarë! Këto nuk do t’ju duhen gjithsesi, atëherë pse nuk i blini nga unë? Që mos të humbas 20 mijë dollarë me këto paketime.
Edhe i them Efraim-it: Pse nuk i blejmë këto paketime nga ai? Edhe ai thotë: Varja atij! Çfarë mund të bëj ai? Edhe unë i thash… Efraim, ai di çdo gjë! Ai e di për ripaketimin dhe pse po e bëjmë ne këtë! Jepi 20 mijë dollarë! Ne kemi një kontratë prej 300 milionë dollarësh! Si përfundim, Kosta u mërzit vërtetë shumë! Dhe kontaktoi me Neë York Times dhe u tregoi se çfarë ishim duke bërë. Dhe kontaktoi me FBI-në dhe u tregoi se çfarë ishim duke bërë! Dhe gabimi me i madh i tij ishte se ai kontaktoi me gazetarinë shqiptare dhe u tha atyre që politikanët shqiptarë ishin duke përfituar nga kjo marrëveshje. Një javë më vonë, ai përfundon i vdekur. Në një aksident shumë të dyshimtë me makinë. Asnjë nuk e beson se ishte vërtetë një aksident, por e bënë të dukej si të tillë!”, tha Packouz.
Detajet nga dosja
Një pjesë e hetimeve të dosjes së SPAK për Gërdecin është përqendruar ndaj Shkëlzen Berishës dhe ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi. Ky i fundit nga dëshmitë dhe përgjimet del se i raportonte Shkëlzen Berishës rreth vendimit të qeverisë për punishten e vdekjes, ku demontoheshin armët. Ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, nisi një faks për Gërdecin në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes, në adresë të Shkëlzen Berishës. Nuk dihet ende se ku e ka bazuar Aldo Bumçi këtë vendim, pra për të nisur shkresat zyrtare në adresë të fëmijëve të ish-kryeministrit Sali Berisha. Vetë Aldo Bumçi e ka mohuar këtë fakt, por shumë shpejt ai u zbulua, pasi sekretarja e Bumçit e konfirmoi faktin në prokurori.
Raporti sekret i SHBA
Por, Bumçi nuk i raportonte Shkëlzenit vetëm nëpërmjet faksit, por edhe drejtpërdrejt. Takimet konfirmohen nga një raport sekret që ambasada amerikane në Tiranë i ka nisur Departamentit Amerikan të Shtetit. “Në një dëshmi, sekretarja e ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, tregoi për të paktën dy takime mes Bumçit dhe Shkëlzenit në 2007-ën. Dhe kur u pyet për një letër që Bumçi i dërgonte Mediut për aprovim të projekt-ligjit që do t’i hapte rrugë çmontimeve në Gërdec, ajo konfirmoi që Bumçi kishte shkruar mbi kapak “Për Shkëlzen Berishën”.
Pas kësaj dëshmie, Bumçi, ende një deputet (dhe një zagar sulmi i Partisë Demokratike), akuzoi ish-sekretaren e tij për shpifje dhe e paditi atë. E frikësuar, sekretarja publikisht deklaroi se dëshmia kishte qenë e falsifikuar”, thuhet në kabllogramin e ambasadës amerikane. Dhe në të vërtetë Bumçi e paditi sekretaren e vet. “Nuk ka kallëzim për shpifje, ka kallëzim për dëshmi të rreme, që është vepër penale. Dëshmia e rreme përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore. Një dëshmi e rreme nuk ka nevojë që të niset me kallëzim, por mund të niset dhe kryesisht dhe prokuroria është në dijeni të këtij kallëzimi, të kësaj dëshmie të rreme, që në korrik të vitit 2008”, deklaroi Bumçi.
Të gjithë raportonin te Shkëlzeni
Ambasada amerikane i raportonte DASH, se të gjithë raportonin tek Shkëlzeni. “Rrjedhjet e regjistrimeve telefonike zbulojnë se vetëm disa orë pas 15 marsit 2008 kur ndodhi shpërthimi në Gërdec, Ministri i Mbrojtjes, Mediu, e telefoni djalin e Berishës katër herë. Më tej, Mihal Delijorgji, pronar i Albademil (kompania që punonte në Gërdec) telefonoi Shkëlzenin vetëm 30 minuta pas shpërthimit. Nga janari deri në ditën e shpërthimit, Delijorgji e telefononte Shkëlzenin 56 herë. Përveç kësaj, janë konfiskuar shënime nga sekretaret e Ministrisë së Mbrojtjes që tregojnë se gjatë vitit 2007 dhe 2008 ish/ministri Mediu pati takime të shpeshta me Shkëlzenin. Në një takim thuhet se Shkëlzeni kërkoi që Mediu të rriste ritmin e furnizimit me municione të Gërdecit”, thuhej në Kabllogram.
Dëshmia e sekretares
Sekretarja e Bumçit quhet Anjola Agolli. Teksa është marrë në pyetje, ajo ka deklaruar se në kohën kur është dërguar faksi, sekretarja tjetër ishte me leje dhe ajo ka mbuluar të dyja turnet. “Ministri Bumçi shkruante me një lloj stilolapsi me bojë, por që shkruante si stilograf. Në rastin konkret shikoj që shënimi “për trajtim” është i ministrit Bumçi. Firma nuk duket si ajo e ministrit Bumçi dhe nuk e identifikoj dot. Më kujtohet kur e kam nisur faksin dhe shënimi i vendosur me shkrim dore tek cepi i majtë lart: “Për z. Shkëlzen Berisha”, është shkrimi i ministrit të asaj kohe, Aldo Bumçi.
Këtë faks e kam nisur unë për tek Ministria e Mbrojtjes. Ministri më udhëzoi që t’ia nisja Ministrisë së Mbrojtjes me faks shkresën që kishte vënë shënimin “Shkëlzen Berisha. Nga Ministria e Mbrojtjes më ka marrë një zë femre dhe më ka thënë se ata nuk kishin asnjë njeri me atë emër. Unë i kam thënë që ma kanë dhënë faksin për ta nisur dhe se unë vetëm po nisja faksin”, tha në dëshminë e saj ish-sekretarja e ministrit Aldo Bumçi.
Takimet konkrete Shkëlzen Berisha-Aldo Bumçi
Sekretarja ka vazhduar bisedën me personin tjetër, i cili insistonte se në Ministrinë e Mbrojtjes nuk kishte asnjë Shkëlzen Berisha, por një Shkëlzen Madani. Lidhja Shkëlzen Berisha-Aldo Bumçi nuk ka ekzistuar vetëm në letra, por edhe në takime konkrete. Sekretarja e ministrit Bumçi ka dëshmuar për disa takime të zhvilluar në zyrën e këtij të fundit në Ministrinë e Drejtësisë. “Unë njoh një shtetas me emrin Shkëlzen Berisha, i cili ka ardhur dy herë për të takuar ministrin Aldo Bumçi në zyrë.
Rasti i parë ka qenë me fillimin e punës si ministër të zotit Aldo Bumçi. Unë e kam parë kur po dilte nga zyra ku ishte futur gjatë kohës që në turn ishte sekretarja tjetër, Rovena. Rastin e dytë nuk e kujtoj saktë si muaj, por mbaj mend se më kanë njoftuar nga sporteli e më kanë thënë se zoti Shkëlzen Berisha do të takojë ministrin”, ka pohuar sekretarja.
Dëshmia e Luan Hoxhës
Një tjetër dëshmitar që mund të fundosë Shkëlzen Berishën është dhe Luan Hoxha. Një kabllogram i Wikileaks tregon një raportim të Ambasadës në Tiranë për DASH, lidhur me atë që ndodhi në Gërdec. Kabllogrami i klasifikuar sekret raporton një bisedë në Ambasadë mes ambasadorit, stafit të ngushtë të tij dhe ish-shefit të Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha. Ky i fundit thotë se Shkëlzen Berisha e ka kërcënuar dhe shton se ish-ministri Mediu ka ndjekur gjithë procesin në detaje. “…
Në një takim të kërkuar me ambasadorin, Hoxha tregoi historinë e tij që qëndronte pas shkarkimit që iu bë kohët e fundit duke e lidhur këtë me shpërthimin e Gërdecit. Në ndryshim nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili nëpërmjet deklaratave publike u vë fajin operativëve të ushtrisë për Gërdecin, Hoxha deklaroi në Ambasadë se që nga fillimi se ish-ministri Mediu ka marrë të gjitha vendimet, nga zgjedhja e Gërdecit si vend për shkatërrimin e municioneve, deri tek llojet e municioneve që do të shkatërroheshin dhe planifikimi i kohës se kur do të bëhej shkatërrimi.
Hoxha pranoi se stafit të tij ishte thënë të transportonte municionin në atë vend dhe të ruante vendin, asgjë më tepër. Hoxha tha se kur ai vizitoi Gërdecin në mes të 2007-ës, ushtarët e tij po bënin këto dy detyra, dhe në sipërfaqe u duk se s’kishte asgjë të gabuar. Ai akuzon se gjatë pjesës së dytë të projektit, nisur në dhjetor 2007, ishte urdhëruar nga Mediu, pavarësisht shqetësimit të tij drejtuar me një letër kryeministrit Berisha, zonjës Topalli dhe Mediut.
Del në skenë emri i Shkëlzen Berishës
Pas kësaj, presioni mbërriti përmes telefonit nga një ‘djalë i ri”, i cili më pas u konfirmua si Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit, që e urdhëroi të vijonte dërgimin e municionit të kalibrit të lartë në Gërdec, “pa asnjë vonesë”. I pyetur nëse e kishte raportuar këtë informacion për Prokurorinë e Përgjithshme, Hoxha u përgjigj “po”, ai kishte dhënë të gjitha informatat dhe dokumentet për hetuesit, me përjashtim të informacionit lidhur me djalin e Berishës. Mbi këtë ai tha se nuk ndihej i sigurtë që të fliste. Ambasadori i tha se nëse hetimet e prokurorisë do të jenë të suksesshme ata që dinë të vërtetën duhet të flasin hapur. Hoxha ishte dakord se në interes të drejtësisë ai duhej të fliste hapur, por nuk konfirmoi që do ta bënte këtë.