Erdogan ultimatum Edi Ramës, kërkon shkatërrimin e organizatës FETO dhe “kokat” e krerëve të KMSH

0
82

Elmas Bogdani

Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan i ka dhënë së fundmi një ultimatum të prerë kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar që të likuidojë gylenistët. Kjo arrihet të kuptohet nga një njoftim i mediave zyrtare të Ankarasë, për një bisedë telefonike të zhvilluar të enjten (8 gusht) mes dy liderëve.

“Udhëheqësi turk iu referua përpjekjeve zhgënjyese të Organizatës Terroriste Fetullah (FETO) për të fituar një terren në Shqipëri, duke shprehur besimin se vendi ballkanik do të vazhdojë të punojë drejt eliminimit të strukturës së grupit në sektorët e tij arsimor, shëndetësor dhe fetar”, thuhej në lajmin e televizionit TRT. Pra, përveç institucioneve arsimore, kërkohet “koka” e kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, bashkëpunëtorëve të tij të skeduar si gylenistë dhe Klodian Allajbeu, pronari i

“Spitalit Amerikan” e oligark i shëndetësisë.
Zbardhen detaje nga telefonata
Pas mediave të Ankarasë, dje reagoi dhe ambasadori turk në Shqipëri, Kagan Atay. Ky i fundit bëri të ditur detaje nga bisedimet midis palëve, ndërsa theksoi se përpos diskutimeve mbi marrëdhënien dypalëshe dhe situatës ndërkombëtare me përshkallëzimet e konflikteve rajonale në Lindjen e Mesme si dhe në Ukrainë, është diskutuar edhe mbi kërkesën që ka shteti turk për pastrimin e organizatës “Feto” në qendrat arsimore dhe fetare të Shqipërisë.

Sipas diplomatit turk, largimi nga idetë e kësaj organizate nuk bëhen vetëm se është një kërkesë e Turqisë, por për një të ardhme më të mirë dhe të sigurt për Shqipërinë, ndërsa theksoi se nuk do të lejonte që ndikimi i “Feto” të helmojë marrëdhënien midis dy shteteve. “Është prekur përsëri pjesa e kërkesës së vazhdueshme të bërë edhe publike nga ana e presidentit tonë për pastrimin e organizatës terroriste FETO këtu në Shqipëri sidomos në fushën e arsimit dhe fesë dhe kjo është prekur edhe në bisedën telefonike. Ky pastrim nuk duhet bërë vetëm për Turqinë, duhet të bëhet për një të ardhme më të sigurt edhe për vendin tuaj. Nuk do ti lejojmë të helmojnë marrëdhënien midis dy shteteve, Unë si ambasador e kam një nga punët e mia primare këtë çështje dhe dua ta theksoj sot edhe përpara jush edhe përpara ndërkombëtarëve, kjo është një punë që ne do i shkojmë deri në fund,” tha Kagan Atay.

Edi Rama në pozita të vështira
“Sulltani” turk dhe vartësit e tij prej kohësh i kanë vënë ultimatum Tiranës zyrtare që të arrestojë të gjithë gylenistët që strehohen në Shqipëri, të cilët kërkon të ekstradohen drejt Turqisë, për shkak se i bën përgjegjës për grushtin e dështuar të shtetit kundër tij në vitin 2016. Përveç personave, Erdogan ka kërkuar edhe mbyllje ne të gjithë institucioneve që operojnë në Shqipëri dhe që financohen me lekët e kundërshtarit të tij më të madh, dijetarit dhe miliarderit që jeton në SHBA, Fethullah Gylen.

Por gjithë këto vite, Rama ka mbyllur vetëm dy shkolla, një në Fier dhe një në Tiranë, që sipas autoriteteve vendase dhe turke thuhet se financohen nga kundërshtari Erdogan. Pasi Rama mbylli kolegjin turk “Mehmet Akif Ersoy” dhe kopshtin “Zubeyde Hanim”, u goditën edhe dy kritikë dhe armiq të Erdogan, sikundër është arrestimi gazetari turk Ahmet Emhre Olur dhe deportimi i tij në Stamboll, si dhe arrestimi dhe burgosja në Shqipëri e bosit të kriptomonedhave turke Faruk Ozer.

Këto katër lëvizje të Edi Ramës, kishin si qëllim final, vënien në zbatim të gjithë ultimatumeve të Erdogan. Por kryeministri u ndal deri këtu, pasi amerikanët i vendosën vijën e kuqe. Rama i ka thënë shpesh mikut të tij “Erdogan se ka bërë aq sa ka mundur pasi fshesa e tij nuk i kap të gjitha pasi kryeministri duhet të merret vesh me amerikanët, të cilët kanë marrë në mbrojtje gylenistët.

Kush janë gylenistët?
Turqia tash e një kohë të gjatë u është vënë pas mbështetësve të lëvizjes Hizmet të klerikut Fethullah Gulen, rivalit kryesor të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Mbështetësit e Gylenit, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, konsiderohen terroristë nga Turqia, ndërkaq Lëvizja Hizmet, që ka miliona mbështetës, në Turqi është shpallur terroriste. Erdogan ka fajësuar Gylenin se qëndron prapa grusht-shtetit të dështuar më 15 korrik të 2016-s në Turqi, dhe prej atëherë, autoritetet turke kanë arrestuar mijëra persona dhe shumë të tjerë i kanë larguar nga puna, pas dyshimeve se janë gylenistë, apo ndjekës të klerikut Gylen.

Çfarë bën Lëvizja e Gylenit?
Kleriku Gylen fitoi famë në vitet ’60, si predikues në lutjet e së premtes. Përmes lëvizjes së tij Hizmet (Shërbim), ka financuar shkolla, media dhe organizata joqeveritare. Kjo lëvizje operon në mbi 150 shtete të botës. Në këtë mes hyn edhe Kosova, në të cilën gjenden shkollat e arsimit fillor dhe të mesëm “Mehmet Akif”. Gylen proklamon se përqafon islamin e moderuar dhe tolerant. Megjithatë, disa qeveri e shohin lëvizjen e tij si kërcënim për shkak të rrjetit që ka në mesin e biznesmenëve të pasur dhe ndikimit që ushtron përmes qendrave arsimore. Mbështetësit e Gylenit thonë se kjo lëvizje promovon altruizmin, punën dhe edukimin.

Raportet me Erdoganin
Rivaliteti në mes të Erdoganit dhe Gylenit nuk ka ekzistuar gjithmonë. Në fakt, lëvizja e Gulenit ka qenë një mbështetëse e fuqishme e Erdoganit. Gylen, përmes mediave që e kanë mbështetur atë dhe lëvizjes së tij, ka ndihmuar që partia e presidentit turk, Partia për Zhvillim dhe Djetësi, të vijë në pushtet më 2002. Megjithatë, marrëdhëniet mes Erdoganit dhe Gulenit u prishën, për shkak të, siç është thënë, dallimeve në çështjen e ndarjes së pushtetit dhe për stilin autoritar të udhëheqjes së presidentit turk.

“Grup terrorist”
Në maj të vitit 2016, Turqia zyrtarisht e ka njohur lëvizjen e klerikut Gylen, si grup terrorist. Erdogan për një kohë të gjatë ka akuzuar Gylenin dhe mbështetësit e tij, se dëshirojnë të bëjnë grusht-shtet. “Ne nuk do t’i lëmë ata që përçajnë kombin”, kishte deklaruar Erdogan, në ditën kur zyrtarisht organizata e Gylenit u shpall si grup terrorist në Turqi, shtet në të cilin njihet me akronimin FETO (Organizata Terroriste Fethullaiste).

Akuza për grusht shtet ndaj gylenistëve, Erdogan kishte bërë pas një skandali të korrupsionit më 2013, ku ishin përfshirë disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Skandali kishte të bënte me akuzat ndaj zyrtarëve shtetërorë që ishin pasuruar duke përdorur fondet shtetërore për të blerë ari nga Irani, dhe për të ndihmuar Teheranin që të shmangë sanksionet ndërkombëtare mbi programin e tij bërthamor. Turqia vazhdimisht ka kërkuar ekstradimin e Gylenit nga SHBA-ja.

Pas tentim puçit më 2016, Ankaraja ka shtuar kërkesat për një ekstradim të tillë, por Uashingtoni zyrtar ka kërkuar prova që dëshmojnë për përfshirjen e Gylenit në puç. Ky i fundit, vazhdimisht ka mohuar çdo përfshirje në këtë ngjarje. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk e njohin si organizatë terroriste Lëvizjen Hizmet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here