Luftar Paja: “Gunat përmbi tela” i vitit 1977 u xhirua në kushte të vështira

0
109

Procesi i restaurimit është me rëndësi për filmat shqiptarë prodhime të para viteve ’90-të që kanë probleme. Pak ditë më parë u shfaq dhe premiera e filmit të restauruar “Gunat përmbi tela”, me regji nga Muharrem Fejzo. Aktori Luftar Paja thotë se “Gunat përmbi tela” ishte një film me përmasa të mëdha dhe që sot një projekt i këtyre përmasave është e vështirë të realizohet. Në intervistën për gazetën “SOT” aktori i njohur tregon se çfarë ka ndodhur me xhirimet e filmit të vitit 1977 dhe ndalet dhe te momentet e vështira dhe puna e madhe që ka bërë regjisori dhe artistët atë kohë. Për aktorin Luftar Paja filmat e para viteve ’90-të përbënin një histori, por sipas tij sot duhet treguar më shumë vëmendje për restaurimin e tyre. Si aktor i roleve në disa filma Luftar Paja thotë se sot duhet më shumë vëmendje për kinemanë dhe rëndësi duhet t’i kushtohet dhe skenarit. Tek Luftar Paja qysh në moshë të re spikat talenti i tij si aktor. Luftar Paja është nderuar me Medalje të Çmimit të Parë në vitin 1969 për kontributin e dhënë në grupet amatore. Në vitin 1968 u emërua aktor profesionist në estradën e Fierit. Në vitin 1971 është ndër të parët në krijimin e teatrit “Bylis”, Fier. Luan në teatër në dramën “Hijet e natës”, “Fejesa e Çehovit”, etj. Ndër rolet më të spikatura të aktorit Luftar Paja është Çobo, në “Çobo Rrapushi me shokë”. Ka luajtur në dramën “Vite të paharruara”, “Fytyra e dytë”, etj, e në qindra komedi me një akt. Në vitin 1979 merr titullin “Artist i Merituar”. Luftar Paja ka marrë pjesë dhe në shumë filma artistik. Ka spikatur me role në filma si “Këshilltarët”, “Guna përmbi tela”, “Gjeneral Gramafoni”. Filma të tjerë ku ka lozur janë “Ëndrra për një karrige”, “Streha e re”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Pranverë në Gjirokastër”, “Pas lajmit të fundit”, etj. Në vitin 1990 merr titullin e lartë “Artist i Popullit”. Në vitin 2001 është shpallur “Qytetar Nderi” i Fierit. Në 31 maj të vitit 2005 i jepet titulli “Nderi i qarkut Fier”.

-Premiera e filmit të restauruar “Gunat përmbi tela”, prodhim i vitit 1977 me regji nga Muharrem Fejzo bëri bashkë artistët. Në një mbrëmje në kinema u fol për prodhimin kinematografik që erdhi premierë  i restauruar 47 vite pas realizimit të tij. Në këtë film jeni dhe ju në rolin e Velo Sadikut. Nëse kthehemi pas në kohën e xhirimeve, çfarë mund të na thoni mbi punën e bërë me filmin?

“Gunat përmbi tela” ishte një film me përmasa të mëdha. Me pjesëmarrje masive dhe mbi të gjitha duhej një organizim perfekt. Megjithatë stafi që drejtonte këtë film ishte nga më të mirët e Kinostudios në atë kohë. Regjisori me përvojë Muharrem Fejzo, operatori Ilia Terpini dhe si film me shumë pjesëmarrje të madhe kishim dhe konsulent të ushtrisë në atë kohë gjeneralin me përvojë Bejto Isufi. Por fjalët më të mira kam dhe për skenaristin Duro Mustafaj. Ishin njerëz, të cilët i karakterizonte qetësia dhe mençuria. Në atë staf bënte pjesë dhe piktor Hazis Karalliu. Kemi pasur një drejtor shumë të mirë të filmit në atë kohë Polivaq Lino, por kam ndjerë keqardhje të madhe që iku nga kjo jetë në moshë të re 37 vjeç. Ishin njerëz që e donin punën dhe kishin rezultate të larta. Filmi “Gunat përmbi tela” këtë vit mbushi 47 vite që është xhiruar. Kishte kushte të vështira ato vite për përmasat që kishte filmi, por në fund të fundit njerëzit kishin një etje për të ndihmuar Kinostudion “Shqipëria e re” atë kohë. Nuk ishte e kollajtë të bëje një film si “Gunat përmbi tela”.

-Ju keni qenë aktor në film, por thoni se një film i atyre përmasave nuk ishte e lehtë të xhirohej. Si u bënë xhirimet?

Filmi kishte një masë të madhe figurantësh, objektesh. Ishte një fermë në Vlorë që u angazhua që kishte në dispozicion kuajt ose ndihmonte ushtria shumë te figurantët, gjë që nuk ishte shumë e lehtë për ta organizuar këtë. Unë kisha rolin e Velo Sadikut. Ishte një luftëtar i vitit 1920. Lufta e Vlorës dhe Italia një shtet kaq i madh me një potencial të modernizuar në atë kohë u përball me njerëzit e thjeshtë të Shqipërisë, me fshatarë, punëtorë, bujq të cilët nuk ishin të armatosur, por me mjete rrethanore u mobilizuan dhe u organizuan kaq bukur sa këtë shtet e hodhën në det në atë kohë me organizimin e asaj kohe. Megjithatë duhet theksuar diçka që të bëje një film të këtyre përmasave duhet ta pyesje veten mirë, sepse duhej një organizim i përsosur. Aty morën pjesë repartet ushtarake të Vlorës, morën pjesë ndërmarrjet e ndryshme të Vlorës, rinia e Vlorës, kështu që njerëzit ishin dhe të etur siç e thashë për të ndihmuar Kinostudion, por sot nuk janë ato kushte dhe është e vështirë.

-Një nga momentet më të vështira në kinema ju kujtoni pikërisht tek filmi “Gunat përmbi tela” të Muharrem Fejzos…

Dihet se filmat ndahen me episode dhe këtu kishte episode të vështira. Në një moment na duhej që njerëzit të betoheshin për të shporrur fashizmin në atë kohë. Dhe ai episod kërkonte mbi 800 figurantë. Kjo ndodhi në një fshat që quhej Çerisht, në rrethin e Vlorës. Nga ana artistike ishte minuar vendi me mina mësimore dhe me dhe të imët gropat. Jepte komandën regjisori dhe që ishin diku te 800 veta dhe ai jepte dhe udhëzimet. Mirëpo, një ushtri e tërë me 800 veta është e vështirë për t’u menaxhuar, pasi sa fliste regjisori dikush kishte vajtur e kishte luajtur baterinë. Një i moshuar xha Rasho që kishte ardhur si figurant erdhi edhe po dëgjonte me vëmendje çfarë bisedohej. Në këtë kohë plasi gropa dhe ai u dëmtua, duke rënë përtokë. E marrin dhe e çojnë në spitalin e Vlorës. Po duke xhiruar e pëson dhe nipi i tij. Dështoi ai episod në film. Në këto momente u bë një anomali, regjisori u revoltua, u revoltuan njerëzit dhe nuk kishim mundësi ta bënim më atë episod. Mandej ishte rezervë episodi që unë si Velo, si personazh që isha, vete gjej një mitraloz që e kishte lënë italiani atje dhe po e shikoja se si shkrepet e se si bëhet. Gjatë kësaj kohe dy metra larg meje ishin figurantët italianë që do vepronin, mirëpo në mjegull e sipër dikush e shkrepi pushkën me fishkë manovër dhe më goditi mua në sy. Mbaj mend që rashë përtokë, madje kam dhe ca shenja nga ai film. Ishin fishekë manovër, ciflat më goditën dhe më e keqja është se mua më ra barut në sy dhe më humbi 70 për qind e syrit. Vajta në spital në Vlorë, mirëpo gjatë kohës që na transportonin ne, qytetarët pyesnin: “Çfarë bëhet më Çerisht, bëhet luftë vërtet?”. Kështu që frenuan dhe pak njerëzit, stepeshin, thoshin: “Nuk vemi në film”.

-Por për një film me ato përmasa sot pse sipas jush është i vështirë realizimi?

Nuk janë ato kushte sot. Sot të gjithë bazën vullnetare edhe ta paguash nuk e përballon dot se të bëjnë pazare të mëdha. Problemi financiar është ai që e pengon. Aktorët ishin të predispozuar të punonin e merrnin me qejf se dhe stafi drejtues ishte ai që të kishte ta bëje atë punë. Mbi të gjitha ai film është bërë në kushte shumë të vështira, sepse kemi xhiruar veshur me guna në verë. Maj qershor, korrik, gusht ishim të veshura me rroba leshi dhe guna. Me rroba dimri në verë. I kemi kapërcyer me sukses ato gjëra. Kishte episode të vështira. Megjithatë ai film ka pasur dhe të mirat e tij.

Luftar Paja: “Gunat përmbi tela” i vitit 1977  u xhirua

-Herë pas here rikthehet diskutimi për filmat e  Kinostudios prodhime para viteve 1990. Ju jeni shprehur dhe më parë, por çfarë shikoni te Kinostudio?

Kinostudio ka qenë një ndërmarrje e madhe një institucion që atje bënin pjesë mbi 1 mijë punonjës. Kishte organizimin e saj me disa grupe filmash, këto grupet e filmave ishin me drejtor, nëndrejtor, shef llogarie, etj, secili film kishte ndërmarrjen e tij. Kinostudio kishte degët më vete që atë kohë bëheshin 14 filma artistikë në vit. Unë jam një nga artistët që kam folur për filmat dhe vlerat e tyre. Por në demokraci fjala është e lirë gjithsekush ka mendimin e tij, por duhet thënë një gjë. Nuk jam dakord asnjëherë që ato 50 vjet të diktaturës ti fshish me një të rënë të lapsit, se ato mirë ose keq kanë bërë një histori dhe kjo histori është pasqyra dhe nëpërmjet filmave. Filmat nuk kanë qenë të përsosur, por as të përdhosur. Ata kanë pasqyruar historinë siç ka qenë dhe për mua dhe për shumë njerëz që mendojnë si mua ky kapitull është mbyllur, sepse shekulli i njëzet pati historinë e tij dhe ashtu siç i bëri, ashtu pati dhe rezultatet. Çfarë rëndësie ka? Të përsosur nuk ishin, por ama ata përbënin një histori.

-Për ju sa rëndësi ka restaurimi i filmave?

Historia me filmat që ne folëm më parë duhet mirëmbajtur. Kjo do të thotë që t’ia bësh hyzmetin deri në fund. Vjen një kohë te filmat që cilësia e bërjes së tyre degjeneron, kështu që lind nevojë për një restaurim. Shteti me pak vëmendje duhet të bëjë më shumë për këtë punë. Megjithatë duhen falenderuar edhe ata që na ndihmojnë, pra donatorët. Por restaurimi i filmave artistikë është jetëgjatësi e shëndetshme. Restaurimi i filmave para viteve ’90-të ruan zhdukjen e tyre.

-Ju folët për filmin, por sot përballë dhe zhvillimit diskutohen dhe problemet me kinemanë. Ju si aktor që keni lozur në filmat si para ’90-tës dhe pas këtyre viteve, çfarë shikoni si shqetësuese sot?

Si në të gjitha fushat në demokraci edhe kinematografia pati fatin e keq. Si shumë uzina, fabrika, kapitali i Shqipërisë ra në duart e atyre që nuk duhet të binte dhe prishe çdo gjë se e ka bërë komunizmi. Po mirë komunizmi me çfarë e ka bërë? Me mundin dhe djersën e popullit i bëri që ky mund dhe djersë nuk duhet të shkonte dëm. Gjithë ai kapital i atyre viteve, por disa gojë të liga që thonin prishe se është e komunizmit. Në vend që atë që gjetën ta avanconin pak më tej me cilësi dhe zgjuarsi ata i vunë kazmën. Edhe për kinemanë i njëjti fat ndodhi. Me filmat ndryshon pak puna, duhen mbajtur në kushte shumë të favorshme, sepse koha i degjeneron si cilësi, por sido që të jetë filmi është një pasqyrë që nuk vjen më.

– Një skenar i mirë në film për ju çfarë sjell?

Një skenari i mirë është si një pasqyrim artistik i historisë së një populli.

-Ju keni marrë pjesë dhe në shumë filma artistik që janë prodhuar në vendin tonë. Por si aktor, çfarë mund të na thoni mbi punën tuaj?

Te ndonjë film jam protagonist, por në shumë filma jam jo protagonist. Unë jam munduar që tua bëj hyzmetin këtyre filmave dhe me gjithë vështirësitë që kemi pasur mendoj që kemi dhënë një kontribut modest.

 -Roli juaj më i fundit në kinema është ai në filmin “Vdekja le të presë” me regji të Edmond Topit. Ju keni mbi 30 role në kinema dhe këtë herë keni rolin e një ish shefi kuadri para ’90-tës. Pas filmit “Vdekja le të presë”, ku do t’ju shohim me një tjetër projekt kinematografik?

Në filmin “Vdekja le të presë” personazhi im është një ish zyrtar shef kuadri apo shef i burimeve njerëzore që i thonë sot. Kam dalë në pension dhe me këtë në azil jemi bashkuar shumë veta. Në role janë Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Tinka Kurtin, etj. Por sa i takon filmit nuk kam një tjetër projekt, por në vijim t’ia lëmë kohës.

-Po për teatrin sot, çfarë mund të na thoni?

Talente ka shumë në teatër, por për mua mos ti zërë gjumi, mos të dembelosen. Duhet të punojnë pak më shumë për pasqyrimin e  vlerave të tyre.

 -Një këshillë që ju keni për artistët e rinj sot?

Këshilla ime është që çdo gjë cilësore në art arrihet vetëm me punë. Në art po nuk punove nuk ke rezultat.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here