“Një këngë kreshnikësh shqiptarë” nga muzikanti Red Radoja , prezantohet dhe studimi dhe kërkimi në terren për Eposin e kënduar

0
89

Një kumtesë mbi vargun e kënduar të Eposit u zhvillua në Akademinë e Shkencave, ku u bë dhe prezantimi i librit “Një këngë kreshnikësh shqiptarë” i muzikantit Red Radoja. Në kumtesë u prezantua një pjesë e punës etnomuzikologjike e Red Radojës, si një nga aspektet më pak të njohura të punës së tij të shumanshme si muzikant. Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave akad. Vasil Tole përshkroi veprimtarinë me pianon dhe koncertet që kanë lënë mbresë në publikun e gjerë. ASH shprehet se akad. Tole kujtoi edhe edukimin e Red Radojës (djali i aktorit të njohur Guiljem Radoja), ku prej prindërve ka filluar lidhjet e ngushta me artin në disa debutime, që ka bërë në filmat shqiptarë kur ishte fëmijë. Më pas akad. Tole ndali në interesat intelektuale për muzikën, ku u hapet drita kërkimeve muzikologjike dhe theksoi se për fat të mirë Shqipëria është një nga ato vendet që ka trashëgimi të mirë, kur bëhet fjalë për muzikën, gjuhën dhe dialektet. “Dhe është provuar që krijues shumë të zotë, por edhe më pak të zotë, sa herë i janë referuar tendencës krijuese që lidhet me zbulimin e teknikave kompozicionale dhe të formave dhe gjinive që lidhen me këtë traditë, gjithmonë kanë patur sukses”, tha akad. Tole, vijon materiali i ASH. Më tej vijon ASH, Tole tha se e quante shumë thelbësore që të gjenerosh muzikën prej rrënjëve të tua. “Dhe sigurisht në këtë fazë të jetës së tij, Red Radoja është i fokusuar në Shqipërinë e veriut, drejt terreneve të virgjëra, siç është muzika e fshatit dhe sidomos malësitë e Shqipërisë së veriut me fokus të veçantë tek Eposi dhe kryesisht tek lahuta, që është instrumenti gjenuin që vë në lëvizje Eposin”, shprehet akad. Tole.

Kërkimi mbi elementet muzikorë

 Muzikanti Red Radoja gjatë kësaj kumtese dha një shpjegim të plotë mbi metodat e kërkimit të elementëve muzikorë në rrënjët e Eposit shqiptar. Në materialin e ASH-së thuhet se duke e konceptuar si një simbiozë unike vargun dhe poezinë në eposin shqiptar, Radoja tha se vargu duhet marrë në tërësinë e tij, si një varg i koduar me veçoritë e të kënduarit, një varg që bëhet aktiv dhe i plotë vetëm kur këndohet në lahutë. “Radoja shpjegoi se ka punuar me variantet melodike, duke studiuar disa variante të vogla në treva që janë të izoluara nga kultura orientale e mesjetës, dhe nga pushtimi turk. Ai iu është referuar këtyre zonave të pastra, për zbuluar muzikën dhe vargun e kënduar të Eposit, që e dallon atë nga variantet paralele në Ballkan. Red Radoja ka bërë studime e vëzhgime, duke u futur edhe ne detaje të psikikës së lahutarit si një talent i lindur për ta mbartur e përcjellë trashëgiminë”, thuhet nga ASH. Në këtë veprimtari, Radoja bëri një paraqitje audio/video të materialit që ka shërbyer si bazë e analizave, për të hapur në vijim diskutimin me pyetje nga auditori. Sipas materialit të akademisë, ai argumentoi tezën se vargu i eposit përcaktohet më tepër nga muzika, sesa nga logjika poetike. Kjo shkon në të kundërt me qëndrimin mbizotërues, jo vetëm të etnomuzikologjisë, por edhe të albanologjisë shqiptare përgjithësisht. Kjo tezë u la vend diskutimeve dhe debateve shkencore me akademikët dhe studiuesit e fushave të albanologjisë për të përqasur afërsitë kërkimore në kontekstin e kohës së krijimit të bërthamës së Eposit. Ndër të tjera, në ASH dr. Ermir Ballgjati bëri një paraqitje të karrierës së muzikantit Red Radoja, i cili ka studiuar për piano dhe dirigjim pranë Akademisë së Arteve në Tiranë. Ai vuri në dukje se hulumtimi mbi elementin muzikor përbën një nga aspektet më pak të zhvilluara të studimeve mbi eposin në tërësi. Në këtë kuptim, sipas tij çdo kontribut i ri është më se i mirëpritur. Për dr. Ballgjatin puna e Red Radojës është dëshmi e një pasurimi, që ka përftuar në këto vite ajo që mund të quhet etnomuzikologjia shqiptare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here