Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se janë kthyer në “makthin” më të madhe të ish-kryeministrit Sali Berisha. Teksa dje ishte i ftuar në një studio televizive, kreu i “Foltores” Berisha ka deklaruar se telefoni i tij është përgjuar nga ish-presidenti i SHBA, Barack Obama. Madje, Berisha zbuloi se ku ishte në pushtet kishte dhënë urdhër që të mos përgjohet asnjë ambasador i NATO-s. “Edhe unë jam përgjuar, telefoni im është përgjuar nga Barack Obama. Kur doli lista, Obama kishte kërkuar dhe regjistrimin tim. Unë kisha dhënë urdhër që të mos përgjohet asnjë ambasador i NATO-s. Unë them atë që kisha dhënë, ky ishte koncepti im. Vjen njëherë një ambasador. Më thotë mua, më regjistrojnë. I thashë merr vendin tënd, se po të përgjojnë shërbimet armike, sepse vendi ynë nuk e bën pasi kam dhënë urdhër. Ajo më shërben si garanci, se i thashë më nxirr një fakt. Do përgjojë kryeministri i Shqipërisë presidentin e SHBA, për çfarë i duhet? Prandaj i thosha nuk keni asnjë fakt mbi tokë atyre që më shpallën “non grata”, deklaroi ai.
Berisha sulmon Blinken
Më tej ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për protestën e djeshme, por edhe për rikthimin e tij në politikë pas shkëputjes. I pyetur nga moderatorja Grida Duma në “Top Story”, për ndjesitë dhe arsyet e rikthimit të tij dhe betejën për të fituar PD-në, ai tha se është luftë për dinjitet. Ai akuzoi Blinken se i ka lënduar dinjitetin. “Ajo çka unë ju garantoj është se gjithçka ka pikënisje në këtë pikë idealet e mija. Unë, po ecja drejt mbylljes së plotë të kapitujve të mi në jetën politike parlamentare. Kisha vendosur të dorëzoja mandatin nëse fitonim. Por ajo që ndodhi e riktheu Berishën në vitin 1998. Unë nuk kam qenë i persekutuar. Kam qenë i privilegjuar, Kisha një laborator për kohën modern. Publikonim studime në revista të mëdha. Njohuritë e mija ishin kryesisht mjekësore, historike, letrare. Por kishte një problem themelor, dinjiteti njerëzor. Sepse unë ndryshe flisja në kolektiv, ndryshe flisja me miqtë dhe ndryshe me familjen. Këtë gjë e krijoi diktatura. Dhe ky ishte një vendim i imi jo për pushtet, por për të dalë nga dupliciteti im. Të njëjtën gjë pas 33 vitesh, del një burrë i nderuar, kryediplomat i botës dhe pas asnjë fakt apo dokument, më lëndon dinjitetin tim. Atëherë çfarë ishte. I kam shkruar në letrën e parë që reagova për të mbrojtur dinjitetin tim”, u shpreh ai.
Neza përplaset me Berishën
Por ish-kryeministri është gjendur përballë një të papriture, pasi Agron Neza, “Personi A” i përmendur në dosjen e ish zyrtarit të lartë të FBI-së, ka dërguar “live” një mesazh moderatores Grida Dumës, ku ia “përplas në fytyrë” Sali Berishës, pasi e cilëson si fatkeqësi që janë nga i njëjti vend. Neza shkruan se Azem Hajdari bëri gabimin më të madh që e futi në politikë. “Po ndjek emisionin tuaj, problemi është se unë dhe doktori jemi tropojanë. Fatkeqësi e madhe. Azem Hajdari bëri gabimin më të madh që e futi në politikë”, shkruan Neza në mesazhin që i ka dërguar zonjës Duma. Ndërsa Berisha u përpoq të injoronte këtë sulm. “Ka të drejtë që të mbrohet si të dojë se është person në hetim. Por aktakuza e prokurorit të Uashington thotë se Agron Neza na solli të dhëna nga zyra e kryeministrit. Mbi bazën e atyre të dhënave McGonigal kërkoi që të niste hetimin. Edi Rama ka kryer vepër penale të shumëfishtë”, tha ai.
Berisha flet për “non gratën” britanike
Po ashtu, ish-kryeministri, Sali Berisha ka deklaruar se ka siguruar dokumentet në lidhje me shpalljen e tij “non grata” nga Britania e Madhe, për të cilat ka paralajmëruar se do t’i bëjë publike. Ai ka zbuluar se ndryshe nga SHBA, ku duhet të lobosh për të marrë shkresa, Britania e mundëson një gjë të tillë sepse ka në fuqi një sistem të tillë që të mundëson rekursin administrativ. “Jam që të ndëshkohet çdokush që ka kryer krim, por më rastisi të provoj dy procedura, të Britanisë dhe SHBA. E Britanisë më ndihmoi, mora të gjitha dokumentet pse jam shpallur dhe do i bëj publike. Nëse SHBA për të marrë dokumente duhet të lobosh dhe unë këtë e quajt korrupsion të qartë. Britania e Madhe ka ligjin që pas vendimit nëse dua të shkoj në gjykatë e ti padis për shpifje, duhet të bëj rekurs administrativ që unë e kam bërë. Uroj që ta plotësojnë ligjin, edhe juristë të tjerë amerikanë kanë shkruar për ndryshimin e tij”, nënvizoi ai. megjithatë kërcënimi i kryefoltoristit Sali Berisha se do të nxjerrë dokumentet për shpalljen “non-grata” nga Britania, lë të kuptohet se ankimimi i bërë prej tij për heqjen e “njollës së zezë” nuk është pranuar, duke i dhënë të njëjtën përgjigje si SHBA.



































