Filmi “Portreti i pambaruar” me ngjarje në Shqipërinë e viteve ’80, Alfred Trebicka: Për dashurinë në diktaturë, se si rri kjo ndjenjë

    0
    635

    Filmi “Portreti i pambaruar”, përcjell historinë e dashurisë së një djali shqiptar me vajzën e një diplomati italian. Me regji të Namik Ajazit, skenar të Ruzhdi Pulahës ngjarjet në film zhvillohen në Shqipëri në vitet ‘80, në një kohë kur lidhjet me botën perëndimore ishin fije të ndaluara për shqiptarë. Filmi bazohet mbi një histori të vërtetë dhe është xhiruar në Shqipëri e Itali. Në role janë aktorë shqiptarë e italianë. Dje gjatë prezantimit në kinema, regjisori Namik Ajazi dhe disa nga aktorët folën rreth filmit, që vjen dhe premierë për publikun. Me rolin e zëvendësministrit të brendshëm vjen aktori i njohur Alfred Trebicka. Ai shprehet se në këtë film është se si rri ndjenja e dashurisë, por kjo para ’90 në vendin tonë. “Për dashurinë në diktaturë. Ndjenja e dashurisë se si rri në diktaturë, tjetër gjë të dashurosh sot dhe tjetër gjë në diktaturë”, thotë ai. Regjisori Namik Ajazi ka punuar për gati tre vjet duke bërë kërkime në ish-Arkivin e ministrisë së Brendshme dhe jo vetëm. Për filmin e tij, regjisori Ajazi tha se kjo histori është e ngjashme me njërën nga 7 historitë e pamundura të djemve shqiptarë me vajza të huaja. Sipas tij, janë 7 të tilla në arkivin e sistemit. “Ne me këtë film menduam ti bëjmë një homazh të gjithë atyre që guxuan të kishin një ndjenjë kaq të pastër si dashuria, por të pamundur për shkak të regjimit”, thotë ai. Në qendër të historisë së filmit “Portret i pambaruar” është studenti i arteve Artur Erzeni, i cili përballet me presionin e Sigurimit të Shtetit përgjatë historisë së tij të dashurisë. Aktori Remo Girone, që u bë lajm që kur mbërriti në Tiranë për xhirimet e filmit, së bashku me aktoren Victoia Zinny interpretojnë prindërit e vajzës. Beatrice Aiello, një aktore e re me perspektivë është në rolin e protagonistes, ndërsa roli kryesor ai i Artur Erzenit i është besuar një aktori të ri, shkodrani që vjen nga Firence, Anton Kodrinaj. Edhe aktorja Marta Gastini i bashkohet një kasti të mirë aktorësh shqiptarë, ku spikasin Alfred Trebicka, Guljelm Radoja, Raimonda Bulku e Mehdi Malkaj.

    Rreth filmit

    Arturi, piktor i suksesshëm, hap një ekspozitë në Itali. Piktura më e vlerësuar nga kritika; portreti i një vajze me titullin “Drita e Dashurisë”, që fsheh një dashuri të ndaluar në Shqipërinë komuniste. Në Shqipërinë e viteve ’80, një student i talentuar pikture dhe vajza e një diplomati italian do të luftojnë për dashurinë e tyre edhe kundër shtetit. Takimi pas shumë vjetësh para pikturës do t’i detyrojë Arturin dhe Klarën të përballen me historinë e tyre dhe ndjenjat për njëri-tjetrin. Për publikun filmi do të prezantohet për dy javë në kinema. Me regji të Namik Ajazit e skenar të Ruzhdi Pulahës filmi vjen për publikun në kinematë në Tiranë pas vlerësimit si “Filmi më i mirë me metrazh të gjatë” në Festivalin e Karlsruhe, në Gjermani. Drejtor fotografie në film është Nino Celeste. Një bashkëprodhim shqiptaro-italian i vitit 2019, mes Mediavision e Mediterrania production, mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, “Euroimage” dhe Ministria Italiane e Kulturës.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here