Cirku Kombëtar prej ditës së mërkurë nuk ka një vend ku të zhvillojë aktivitetin e tij. Zyra e përmbarimit ashtu siç dhe ishte bërë me dije më parë ekzekutoi vendimin për mbylljen e çadrës së cirkut. Por nga Ministria e Kulturës deri të mërkurën nuk kishte ende një njoftim zyrtar, se ku do të vijojë aktiviteti i artistëve. Përmbarimi i vuri shiritin Cirkut Kombëtar duke bllokuar kështu aktivitetin, çka solli përplasje mes tyre dhe artistëve. Artistët akuzojnë Ministrinë e Kulturës që nuk ishte në gjendje të gjente një zgjidhje deri tani. Artisti i cirkut Julian Kazazi, njëkohësisht dhe kryetar i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Cirkut Kombëtar tha se përballë kësaj situata nga ministria i braktisën. “Nuk dimë se ku do të vijojë aktiviteti i Cirkut Kombëtar, asnjë përgjigje. Kjo është turp për ministren e Kulturës, që duhet ti jepte zgjidhje problemit të Cirkut Kombëtar. Po i lënë artistët të përballen me zyrën e përmbarimit dhe të kalojnë një lloj stresi, që kthehet në dëm për ta. Ne duam një vend tjetër për të vijuar aktivitetin tonë. Nuk u arrit asnjë marrëveshje, por as drejtori dhe as përfaqësuesi i ministrisë nuk janë tani në institucion. Na kanë braktisur”, tha Kazazi. Akrobatja Eris Dakli njëkohësisht dhe sekretare e sindikatës thotë se janë në pritje të zgjidhjes së problemit. “Kërkojmë një zgjidhje nga ana e Ministrisë së Kulturës për vendosjen e çadrës së cirkut. Çfarë plani kanë menduar gjatë kësaj kohe? Dhe meqë çadra u mor nga ana e pronarit çdo bëhet me cirkun, sepse ne tashmë kemi vetëm 2 palestra zyrat dhe asgjë më shumë. Ne kërkojmë një Cirk të ri”, tha Dakli, ku dje kur mbërriti përmbarimi artistët po jepnin shfaqje në çadër.
Edhe para 4 vitesh përballja me përmbarimin
Reshat Ibrahimi kreu i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë u shpreh i revoltuar që kjo çështje nuk mori zgjidhje edhe pse tashmë u bënë 4 vite. “Në 2017 u përballëm me përmbarimin dhe pas 4 vitesh ndodh e njëjta gjë. Ne kemi bërë disa kërkesa. Ne u themi vetëm një gjë çojeni çadrën ku të doni, mjafton që cirku të vijojë punën dhe artistët të mos përfundojnë rrugëve. Problemi i çadrës është bërë një gangrenë prej 10 vitesh”, u shpreh Ibrahimi. Përfaqësues i Ministrisë së Kulturës, Gjet Ndoj drejtor i përgjithshëm i politikave dhe zhvillimit të kulturës i pranishëm dje dhe në takimin që u bë me përfaqësues të zyrës përmbarimit tha në fjalën e tij se janë në bisedime me Bashkinë për të marrë një ambient. “Ministria e Kulturës në momentin që ka marrë vesh vendimin e gjykatës ka reaguar duke bërë ankimimin e saj në Gjykatë të Apelit. Ndërkohë paralel ministria është në negociata me Bashkinë e Tiranës për të marrë një ambient për të pasur cirkun”, tha ai. Historia e prishjes së Cirkut Kombëtar, ku përmbaruesit dhe artistët e cirku përplasen mes tyre vijon prej vitesh. Përplasjet kanë nisur që kur Gjykata Administrative me vendim të formës së prerë i ka kaluar truallin, ku ndodhet cirku pronarit privat. Toka ku është ngritur çadra rreth 1073 metra katrorë i janë njohur nga gjykata si pronë private një sipërmarrësi, që në vitin 2014. Në këtë veç çadrës së cirkut dhe palestra e madhe poshtë, magazina, dhoma e kafshëve, etj. Momenti që shënoi lindjen e cirkut shqiptar, është nëntori i vitit 1959 me realizimin e një shfaqje të plotë.