A do të kërkohet verifikimi i ndonjë kandidati për deputet?/ Palmer nxjerr prapaskenat politike dhe jep mesazhin e koduar për zgjedhjet e 25 prillit dhe Reformën në Drejtësi

0
210

Zv.Ndihmës Sekretarit Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer ka dhënë një intervistë për ABC ku ka zbërthyer se çfarë pret SHBA nga Shqipëria, që nga zgjedhjet e deri tek Reforma në Drejtësi.

I pyetur nga gazetarët nëse SHBA do të kërkojë për verifikimin e ndonjë kandidati të dyshuar, edhe pas zgjedhjeve dhe nëse të vazhdojë ndjekja penale e tyre edhe pasi të jenë zgjedhur deputetë, Palmer tha se SHBA ka pritshmëri jo vetëm për kandidatët për deputetë por edhe për ata që kanë poste.

ZV/NS Palmer: E dini, kemi pritshmëri jo vetëm për kandidatët për deputetë por kemi pritshmëri edhe për ata që kanë poste ndaj, nëse po më pyesni nëse Shtetet e Bashkuara do të këmbëngulin që partnerët tanë në qeveri të jenë njerëz të pastër dhe që punojnë në mënyrë që është në përputhje me normat demokratike e standardet demokratike, përgjigja është absolutisht po. Dhe ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që institucionet gjyqësore, teksa ecin përpara në Shqipëri me procesin e reformës, të demonstrojnë se janë mjeti i duhur për të siguruar llogaridhënie nga ana e atyre që kanë pushtet. Nuk janë vetëm gjykatat. Shoh edhe SPAK të ngrihet dhe të fillojë të bëjë punën dhe ta bëjë atë në mënyrë të efektshme dhe duke vendosur standarde. Ka një mesazh që po del: që ata që kanë poste të besimit publik dhe i keqpërdorin dhe abuzojnë ato pozicione do të japin llogari për to.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet ambasadores në Tiranë, po njeh me zë të lartë problemet e Shqipërisë,  kryesisht me zgjedhjet në vend, përfshi blerjen e votave, presionin për votat, ndikimin e krimit dhe korrupsionin në politikë.  Kemi pohime të forta të Ambasadores Kim që bën thirrje për një parlament me integritet nga zgjedhjet e 25 prillit.

Palmer është pyetur nëse  ndjen se presioni i ambasadores së SHBA do të funksionojë, ndërsa është përgjigjur se Shtetet e Bashkuara kanë një detyrim dhe përgjegjësi ndaj Shqipërisë për të qenë të qarta dhe pa kurrfarë paqartësie në mesazhet e tyre.

ZV/NS Palmer: E dini, pyetje e shkëlqyer. A mendoj nëse udhëheqësia në Tiranë po e dëgjon mesazhin tonë? Absolutisht. Ambasadorja Kim është shumë gjëra por nuk ka dyshim që është shumë e qartë. Dhe, mendoj që kjo është një vlerë e rëndësishme kur ne komunikojmë për çështje me rëndësi si reforma në drejtësi, si llogaridhënia. Mendoj që Shtetet e Bashkuara kanë një detyrim dhe përgjegjësi ndaj Shqipërisë për të qenë të qarta dhe pa kurrfarë paqartësie në mesazhet tona për këtë. Ne kemi çdo pritshmëri për t’i kërkuar standarde të larta Shqipërisë. Sinqerisht, nuk është një standard që vendi do ta arrijë nesër apo pasnesër. Ajo që duam të shohim është që Shqipëria të jetë gati të zërë vendin e saj si anëtare e Bashkimit Europian dhe janë 80,000 faqe rregulla që duhen për acquis dhe ka kërkesë për të demonstruar se ka një historik të fortë transparence dhe llogaridhënieje për ata që kryejnë korrupsion. Kjo është një nga vlerat themelore të Bashkimit Europian. Është një prej vlerave themelore të aleancës ndëratlantike. Anti-korrupsioni është një vlerë thelbësore, jo thjesht për BE-në, por është vlerë kyçe edhe për NATO-n. Është një vlerë kyçe edhe për Shtetet e Bashkuara. Diçka qendrore për partneritetin tonë me Shqipërinë. Është bërë përparim. Ka vërtet shumë për të bërë. Dhe ajo që duam të shohim është që figurat e fuqishme, njerëzit me ndikim, njerëz që në të kaluarën kishin një pritshmëri se do të ishin të mbrojtur, të japin llogari. Duhet të ketë ndjekje penale. Duhet të ketë dënime. Ata q  ë dënohen duhet të kryejnë dënimet. Këtë pamje ka llogaridhënia dhe gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Mendoj që prirjet e përgjithshme janë në drejtimin e duhur por jemi të paduruar. Dhe besoj që populli shqiptar është i paduruar. Dhe do të donim të shihnim që përparimi në këtë fushë të përshpejtohet dhe të bëhen shembuj.

Ndërsa pyetjes se çfarë lloj zgjedhjesh presin Shtetet e Bashkuara nga Shqipëria më 25 prill, Palmer është përgjigjur kështu: Nuk dua të paragjykoj atë që do të ndodhë më 25 prill. Ne i marrim informacionet sinqerisht nga misioni i OSBE/ODIHR që vendosin standardin e artë për këto lloj vëzhgimesh të zgjedhjeve. Pres me kënaqësi raportin që ekipi i OSBE/ODIHR do të prodhojë. Raporti që bënë për zgjedhjet e shkuara në shumë mënyra drejtoi përpjekjet tona për të mbështetur reformën zgjedhore përpara këtyre zgjedhjeve dhe mendoj se u arrit marrëveshje në parlament për reforma mjaft të rëndësishme, mjaft domethënëse. Kam çdo arsye për të besuar që nëse ato reforma zbatohen dhe punohet për to, që këto zgjedhje do të jenë një hap përpara, një hap në drejtimin e duhur, dhe në fakt këtë kërkojmë. Kërkojmë përparim pozitiv. Kërkojmë jo diçka të përsosur, por diçka më të mirë dhe ndjesinë se gjërat vazhdojnë të ecin përpara me reformat në mënyra që inkurajojnë publikun shqiptar. Të dinë që kur të shkojnë të hedhin votën, vota do të numërohet. Që do të numërohet drejt përkrah qindra e mijëra të tjerëve që hedhin votën. Dhe që rezultati, ajo që del në formën e parlamentit, udhëheqësia e zgjedhur do të pasqyrojë agregatin e atyre votave. Sigurisht ka sfida rrugës, që nuk kanë të bëjnë me procesin e numërimit të votave, por kanë të bëjnë me mjedisin dhe kushtet e medias. Edhe kjo është diçka që e trajton OSBE/ODIHR. Është një Fushë ku ne duam të shohim përparim dhe reformë. Një mjedis pozitiv për median, akses i barabartë ndaj instrumentave që lejon partitë që zëri i tyre të dëgjohet.

ZV/NS Palmer: Për pjesën time, marrëdhënia me Presidentin Meta është e shkëlqyer. Dhe e kemi njohur njëri-tjetrin për shumë vite dhe kemi pasur shumë biseda dhe flasim me njëri-tjetrin shumë hapur dhe sinqerisht, çka mendoj është mënyra se si duhet të flasin aleatët e partnerët me njëri-tjetrin. Shtetet e Bashkuaram unë personalisht, nuk kemi anë. Ana jonë është Shqipëria. Është marrëdhënia Shqipëri-SHBA. Punojmë mirë dhe ngushtë me qeverinë e tanishme. Do të punojmë mirë dhe ngushtë me çfarëdo qeverie që do të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Jam i bindur se cilado parti të dalë fituese më 25 prill, cilido të jetë kryeministri pas 25 prillit, do të jetë dikush që e vlerëson partneritetin me Shtetet e Bashkuara. Po ndaloj këtu. Nuk marrim anë në politikën e cilitdo.

Palmer në këtë intervistë me gazetarët është pyetur edhe lidhur me kritikat e Këshillit Europian për ligjin anti-shpifje, ndërkohë që një gjykatë e pavarur vendosi që Shqipëria i detyrohet 110 milionë euro biznesmenit Italian Francesco Beçhetti për mbylljen e stacionit të tij televiziv.

ZV/NS Palmer: Mendoj se ka absolutisht punë për të bërë për lirinë e medias, jo vetëm në Shqipëri por kudo në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Vizioni ynë për rajonin është një rajon që është drejt integrimit europian me institucionet europiane, përfshi sidomos Bashkimin Europian. Kjo do të kërkojë shumë përpjekje në fushën e lirisë së medias, dhe mendoj se ka shumë për të bërë në Shqipëri. Por nuk mendoj se është një sfidë unike. Mendoj se atë e ndajnë gjerësisht në rajonin e Ballkanit.

Ambasadorja Kim: A mund të shtoj një shënim sqarues, thjesht për të parandaluar çfarëdo keqkuptimi. Ajo që ZV/NS Palmer tha ka të bëjë me lirinë e medias dhe mjedisin e medias në përgjithësi. Nuk është një koment për rastin që përmendët.

ZV/NS Palmer: Po, nuk po komentoj rastin e veçantë. Flas thjesht në përgjithësi në lidhje me lirinë e medias. Mendoj se ka shumë punë për t’u bërë ende në mënyrë që Shqipëria të bëjë përparim në rrugën e saj europiane.

Për sa i përket rezultateve të SPAK, Palmer është shprehur: Mendoj që SPAK po bën përparim. Nuk kam një stekë objektive me të cilën ta mat përparimin në kohë. Por synimi është të punojmë me SPAK si partnerë, t’i ndihmojmë ata të ndërtojnë kapacitetet për të qenë të aftë që të veprojnë në mënyrë që nxit qeverisjen e mirë, transparencën dhe në rastin e SPAK, llogaridhënien. Që është dhe synimi në fakt. A mund ta riformuloni pjesën e dytë?

ZV/NS Palmer: Mendoj që është shumë e rëndësishme që zgjedhjet e 25 prillit të zhvillohen në mënyrë që tregon përparim pozitiv përpara me reformat demokratike dhe reformat zgjedhore. Në një mënyrë të tillë që e bën Këshillin Europian të ndihet mirë për t’i dhënë dritën jeshile konferencës së parë ndërqeveritare, çka është diçka që mendojmë se Shqipëria e ka fituar, dhe diçka që do të donim shumë ta shihnim të ndodhte.

ZV/NS Palmer: Nuk dua të flas në emër të OSBE/ODIHR por e di që ky është një problem, një sfidë që nuk është aspak unike për Shqipërinë. Diçka që unë e parashikoj dhe e pres shumë është që ekspertët e OSBE, të cilët janë të ngarkuar me monitorimin e kushteve të zgjedhjeve, duke ofruar raporte dhe rekomandime për reformat e nevojshme me qëllim që të forcohet sistemi, jam i bindur që kjo është diçka që edhe ata do ta ndjekin nga afër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here