Në drejtimin e kryetares znj. Ermonela Felaj, Komisioni për Sigurinë Kombëtare mori dje në shqyrtim Aktin Normativ nr. 35, datë 16.12.2020 të Këshillit të Ministrave “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike” miratuar me ligj nr. 18/2020”. Qëllimi draftit është shtyrja e afatit të OFL, për t’i dhënë mundësi gjykatës dhe prokurorisë të konkludojnë me dosjet që kanë shkuar deri tani. Të ftuar për të folur rreth qëllimit dhe objektivave që synohen të arrihen nëpërmjet projektaktit ishin Juljan Hodaj zëvendësministër në Ministrinë e Brendshme dhe Klajdi Karameta zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë. Në fjalën e tij Hodaj bëri një bilanc të punës së Operacionit Forca e Ligjit. Hodaj, shpjegoi se, ndryshimet në aktin normativ kanë për qëllim shtyrjen e afatit për veprimtarinë e gjykatës dhe prokurorisë kompetente të ngarkuar në ushtrimin e kompetencave deri në zgjidhjen përfundimtare të rasteve të referuara nga Policia e Shtetit dhe shprehjen me vendim për ato kërkesa që janë depozituar deri në datën 31 dhjetor 2020. “Në këtë mënyrë masat e marra për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit, do të hetohen deri në vendimmarrjen përfundimtare”, shpjegoi Hodaj.
Relatorja e projektaktit sqaroi për sa i përket shtyrjes së afatit të veprimtarisë së OFL se, “ndikimi evident i pandemisë ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë proces ku OFL ka referuar në SPAK 198 raste për 220 subjekte të Aktit normativ për 1493 pasuri dhe nga Gjykata e Posaçme kemi 88 vendime për 523 pasuri deri në datën 30.11.2020, të tjerat janë ende në proces ose janë kthyer në SPAK për plotësime. Prokuroria e Posaçme në bilancin e punës për vitin 2020 ka paraqitur një raport të detajuar në lidhje me ecurinë e Operacionit Forca e Ligjit, të zhvilluar nga Policia e Shtetit bazuar në aktin normativ që hyri në fuqi në fund të janarit 2020. Sipas të dhënave që bëhen të ditura nga SPAK, për periudhën 1 shkurt 2020 deri në 19 dhjetor 2020, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar gjithsej 226 materiale të paraqitura për vlerësim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Nga ky total i materialeve të paraqitura nga policia, SPAK bën me dije se prokurorët kanë dërguar 113 kërkesa për sekuestro në gjykatë, si dhe 55 kërkesa për konfiskim pasurie, nga të cilat sipas të dhënave të Gjykatës së Posaçme, janë pranuar vetëm 11.