Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gati draftin për të mundësuar votën e emigrantëve. Aty parashikohet ngritja e një sistemi online, ku të gjithë ata që dunë të votojnë duhet që më parë të regjistrohen. Sipas dokumentit, secili emigrant që do të votojë duhet që fillimisht të japë të dhënat personale edhe të familjarëve. Ndërkohë mënyra tjetër është ajo e njohur si “FACE ID”. “Afati i fillimit të procesit të regjistrimit të zgjedhësve nga jashtë vendit si rregull i përgjithshëm të jetë jo më vonë se 5 ditë pas shpalljes së dekretit të Presidentit për datën e zgjedhjeve për Kuvendin dhe të përfundojë jo më vonë se 60 ditë para datës së zgjedhjeve. Përjashtimisht për Zgjedhjet e Kuvendit të datës 25 prill 2021 afati i fillimit të këtij procesi të vendoset nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në varësi të procesit të prokurimit dhe të përfundojë jo më vonë se 24 shkurt 2021”, njoftoi KQZ. Në vendim thuhet se lista e zgjedhësve nga jashtë vendit e hartuar sipas proceseve të përshkruar në lidhjen e këtij vendimi miratohet nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve dhe i dërgohet DPGJC-së. DPGJC jo më vonë se 45 ditë para datës së zgjedhjeve heq zgjedhësit nga jashtë vendit nga lista e zgjedhësve të qendrave të votimit ku ata kanë të regjistruar vendbanimin në Shqipëri në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. “Subjektet zgjedhore të regjistruara në KQZ, me kërkesën e tyre dhe pa pagesë, mund të marrin nga KQZ një kopje elektronike të listave të zgjedhësve nga jashtë vendit. Kjo listë përmban përbërësit zgjedhorë të përcaktuar në shkronjat “a”, “b”, “ç”, “d” të pikës 1 të nenit 45 të Kodi Zgjedhor, qarkun ku zgjedhësit kanë të regjistruar vendbanimin në Shqipëri në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile si dhe shtetin ku ata kanë regjistruar vendbanimin në “Programin e regjistrimit të adresës”, pjesë përbërëse e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile”, thuhet në vendim. Tani, sistemi qendror në KQZ do të komunikojë nëpërmjet Platformës Qeveritare të Ndërveprimit me Bazat e të dhënave shtetërore si Regjistri i Kombëtar i Gjendjes Civile, Regjistrimi i adresës së banimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit etj., me qëllim identifikimin e zgjedhësve jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.